Kërko

Katedralja e Shndërrimit të Zotit në Odessa pas goditjes me raketa Katedralja e Shndërrimit të Zotit në Odessa pas goditjes me raketa   (ANSA)

Papa: vdekje dhe shkatërrim në Odesë, të lutemi për paqen

Pas Engjëllit të Tënzot, Françesku përsëriti ftesën për t'u lutur për paqen, veçanërisht për "Ukrainën e dashur", duke kujtuar sulmin me raketa gjatë natës mbi qytetin e Odesës, pa kursyer as katedralen.

R. SH. - Vatikan

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot nuk mungoi as kujtimi i tmerrit që jetoi mbrëmë qyteti i Odesës, pas një sulmi të tmerrshëm me 19 raketa ruse. Natë e frikshme, që shkaktoi dëme serioze edhe në katedralen e Shndërrimit të Zotit, një nga kishat ortodokse më të rëndësishme dhe më të mëdha të Odesës Të lutemi për paqen, posaçërisht, për Ukrainën e dashur!

Arkidiakoni Palchuk - një shkatërrim i madh

"Shkatërrimi është i madh, gjysma e katedrales tani është pa çati" - pohon Kryediakoni Andrii Palchuk ndërsa dokumentet dhe sendet me vlerë u morën nga ndërtesa, dyshemeja e së cilës u përmbyt me ujë të përdorur nga zjarrfikësit për të shuar zjarrin. Palchuk, siç raporton La Presse, kujton se dëmi u shkaktua nga një raketë ruse, që depërtoi deri në bodrumin e ndërtesës. Dy personat që ndodheshin brenda në atë çast, mbetën të plagosur. "Por, me ndihmën e Zotit, ne do ta rindërtojmë katedralen tonë" - pohoi kryedjakoni, pa mundur t’i mbajë lotët.

Faqja e UNESCO-s, ministri i jashtëm i Ukrainës: krime lufte

Është monument i mbrojtur nga Unesco, ashtu si e gjithë qendra historike e Odessës. U përfshi në listën e vlerave në fillim të këtij viti, pavarësisht nga kundërshtimi rus. Ndërkohë bilanci deri tani është dy viktima dhe 22 të plagosur, siç bëri të ditur ministri i Brendshëm, Igor Klymenko. Ndërmjet të plagosurve, edhe katër fëmijë. Ministria e Jashtme e Ukrainës flet për "krim lufte". Sulmet me raketa ruse në Odessa po përpiqen të ndërpresin plotësisht hyrjen e Ukrainës në Detin e Zi, duke neutralizuar kështu përpjekjet ndërkombëtare për të rivendosur funksionimin e korridorit të grurit, sipas Sekretarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksiy Danilov - lexojmë në UNIAN.

Italia merr përsipër ta rindërtojë Katedralen

"Sulmet në Odessa, vdekja e të pafajshmëve, shkatërrimi i katedrales së  Shndërrimit të Zotit, na lënduan thellë. Agresorët rusë shkatërrojnë hambarët, duke privuar nga ushqimi miliona njerëz të uritur. Shkatërrojnë qytetërimin tonë evropian, simbolet e tij të shenjta. Një popull i lirë – lexohet në një notë të Pallatit Chigi - nuk trembet nga kërcënime të tilla. Barbaria nuk do të fitojë! Italia, me kompetencat e saj të pashembullta në botë asht gati të angazhohet në rindërtimin e katedrales së Odesës dhe thesarve të tjera të trashëgimisë artistike të Ukrainës”.

23 korrik 2023, 13:06