Françesku përkrah emigrantëve: Mesdheu, kurrë më "teatër i vdekjes dhe i çnjerëzimit"
R. SH. - Vatikan
"Mesdheu mos qoftë kurrë më teatër vdekjeje dhe çnjerëzimi": thirrja e Papës pas Engjëllit të kësaj të diele, përballë 20 mijë besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit dhe miliona njerëzve të lidhur përmes mediave, ishte e fuqishme! Ati i Shenjtë foli për gjendjen e rëndë të mijëra emigrantëve të bllokuar dhe të braktisur për javë të tëra, "mes vuajtjeve të papërshkrueshme" në zonat e shkreta të Afrikës veriore. E, i prekur thellë, uroi të mos përsëriten kurrë më shëmtimet, që vijojnë t’i tronditin zemrat e ndjeshme njerëzore:
“I drejtoj thirrjen time, veçanërisht krerëve të shteteve e të qeverive evropiane dhe afrikane, që t'u japin ndihmë dhe mbështetje urgjente këtyre vëllezërve dhe motrave. Mos u bëftë kurrë më Mesdheu teatër vdekjeje dhe çnjerëzimi. Zoti i ndriçoftë mendjet dhe zemrat e të gjithëve, duke ngjallur ndjenja vëllazërimi, solidariteti dhe pranimi”.
Pranë viktimave dhe të zhvendosurve të stuhive në Korenë e Jugut
Françesku kujtoi edhe se "këtu e në shumë vende, po përjetohen ngjarje ekstreme klimatike": nga njëra anë, shumë rajone preken "nga valët e padurueshme të të nxehtit dhe nga zjarre shkatërruese"; nga ana tjetër, shumë vuajnë nga stuhia dhe përmbytjet, "si ato që kanë goditur Korenë e Jugut ditët e fundit”. Unë jam pranë atyre që vuajnë dhe atyre që po ndihmojnë viktimat e të zhvendosurit:
“Dhe, ju lutem, përsëris thirrjen time drejtuar liderëve të kombeve, për të bërë diçka më konkrete lidhur me kufizimin e emetimeve ndotëse: është një sfidë urgjente dhe nuk mund të shtyhet, ka të bëjë me të gjithë. Ta mbrojmë shtëpinë tonë të përbashkët!”.
E ardhmja ndërtohet me aleancën ndërmjet të rinjve e të moshuarve
Së fundi, duke paraqitur nipin dhe gjyshen e tij që i kishte pranë në dritaren nga ku sapo kremtoi lutjen e Engjëllit, Papa kujtoi se sot, “ndërsa shumë të rinj po përgatiten të nisen për Ditën Botërore të Rinisë”, po festohet Dita Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve:
“Afërsia ndërmjet dy ditëve qoftë ftesë për të nxitur aleancën ndërmjet brezave, e cila është tejet e nevojshme, sepse e ardhmja ndërtohet së bashku, me shkëmbimin e përvojave dhe kujdesin e ndërsjellë të të rinjve me të moshuarit. Të mos e harrojmë këtë. E le të duartrokasim të gjithë përr gjyshërit! Fort!”.
Në fund, Papa përshëndeti besimtarët romakë dhe shtegtarët nga Italia e nga shumë vende, veçanërisht nga Brazili, Polonia, Uruguai, studentët e Buenos Aires dhe besimtarët e dioqezës së Legnicës, në Poloni. E edhe grupin e çiklizmit "Quarant'anni dopo" nga Cogorno, pjesëmarrësit në nismën "Pedalar pela Paz" dhe fëmijët e mirëpritur nga disa bashkësi në Lazio.