Kërko

Françesku: të dimë ta dallojmë “grurin nga egjra” në botë, në zemër e në të tjerët

Në katekizmin para lutjes së Engjëllit të Tëntoz, sot në mesditë në Vatikan, Papa, që pati pranë një të moshuar e një të ri, komentoi shembëlltyrën e Jezusit, protagoniste e liturgjisë të kësaj së dieleje dhe ftoi për ta kultivuar me durim “çka mbjell Zoti “në arat e jetës”, duke e mundur tundimin e duke e dalluar të keqen në zemrën tonë me shqyrtimin e ndërgjegjes.

R.SH. / Vatican News

Ungjilli i kësaj së Diele të 16-të gjatë vitit kishtar nga Mateu na kujton shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrës (krh Mt 13,24-43). Me këto fjalë e nisi sot Papa Françesku takimin e së dielës me turmën e njerëzve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, për lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot, pa pyetur për vapën “tropikale” që përvëlon këto ditë Romën. Për të vijuar, më pas, me përshkrimin e situatës dramatike të bujkut që, siç na kujton pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, pasi hodhi farë të mirë në arën e tij, zbuloi se armiku gjatë natës kishte mbjellë po aty egjër, një farë që i ngjet shumë grurit, por është farë e keqe!  

Bota jonë, arë e madhe

Kështu i flet Jezusi botës sonë – tha Papa - kësaj bote që i ngjet aq shumë një are të madhe, ku Zoti mbjell grurë - e djalli, egjër! Prandaj rriten së bashku e mira me të keqen. E shikojmë në kronikat, në shoqëri, e edhe në familje e në Kishë. E kur, njëherësh me grurin e mirë, vërejmë se rritet edhe fara e keqe, ndjejmë dëshirën ta shkulim e ‘t’i vëmë fshesën’:

Po Zoti na paralajmëron se ky është tundim: nuk mund të krijosh një botë të përkryer as nuk mund të bësh mirë, duke shkatërruar me nxitim çka nuk shkon, sepse kjo ka pasoja edhe më të këqija: domethënë – siç na e kujton një fjalë e urtë - me ujin e ndotur flakim tutje edhe fëmijën”.

Ara e dytë, që pret ta spastrojmë: ara e zemrës

Nuk duhet harruar se është edhe një arë e dytë, që mund e duhet ta pastrojmë: është ara e zemrës, e vetmja ku mund të ndërhyjmë drejtpërdrejt - vijoi Papa - Edhe aty janë gruri e egjra, madje prej aty shpërndahen në arën e madhe të botës. Zemra jonë është ara e lirisë: nuk është laborator asketik, por hapësirë e çiltër, e prandaj edhe e ligshtë. Për ta kultivuar mirë, nga njëra anë duhet të kujdesemi me durim për bimët delikate të së mirës, e nga ana tjetër,  t’i shkulim nga rrënjët barërat e këqija:

Atëherë mund të shikojmë brenda vetes e të vërejmë çfarë po ndodh,  ç’e mirë e ç’e keqe po rritet brenda nesh. Është një metodë e bukur për ta bërë këtë: rrëmimi i ndërgjegjes, që shërben pikërisht për të vërtetuar, në dritën e Zotit, çfarë po ngjet në arën e zemrës”.

Ara e tretë, ara e fqinjit

Por - vijoi Ati i Shenjtë – duhet ditur se pas arës së botës e arës së zemrës, është edhe një arë e tretë. Mund ta quajmë “ara e fqinjit”. Janë njerëz që i takojmë çdo ditë e që shpesh edhe i gjykojmë. Sa shpejt e njohim egjrën e tyre! E sa vështirë të shohim grurin e mirë, që rritet.

Të mos harrojmë pra – nënvizoi Papa - se po të duam t’i punojmë arat e jetës, është e rëndësishme të kërkosh sidomos veprën e Zotit: të mësohesh  për të parë në të tjerët, në botë e në vetvete,  bukurinë  e të mbjellave të Zotit, grurin,  që puth diellin me kallëzat e veta të arta:

Të kërkojmë hirin për ta parë në  vetvete, por edhe në të tjerët, duke nisur nga ata që i kemi pranë. Nuk është shikim naiv, është shikim besimtar. Na kujton se Zoti, bujku i arës së madhe të botës, dëshiron të shohë si rritet e mira derisa ta bëjë korrjen festë të vërtetë”.

Pyetje, duke menduar për arën e botës

Si zakonisht në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, edhe sot Papa bëri një mori pyetjesh retorike, të domosdoshme për ta mposhtur tundimin nga zemrat njerëzore, duke menduar gjithnjë për arën e botës:

 “A di ta mund tundimin për ta shkulur me rrënjë çdo lloj bari, domethënë për t’i qëruar hesapet e të tjerëve me gjykimet e mia? Pastaj, duke menduar për arën e zemrës: a jam i ndershëm kur kërkoj në vetvete bimët e këqija e vendos  t’i flak në zjarrin e mëshirës së Zotit? E, duke menduar për arën e fqinjit, a di ta shikoj çka është e mirë, pa u çkurajuar për kufizimet e ngathtësinë e tjetrit?”.

Këto, pyetjet që i mori me vete për t’i medituar, turma në largim nga sheshi i përvëluar prej diellit të korrikut, njëherësh me lutjen  përfundimtare, drejtuar, si zakonisht, Zojës së Bekuar:

Virgjëra Mari na ndihmoftë ta kultivojmë me durim çka mbjell Zoti në arat e jetës”.

23 korrik 2023, 12:34

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >