Papa: Kisha dhe bota kanë nevojë urgjente për dëshminë e njerëzve të kushtuar
R. SH. - Vatican News
“Mos kini frikë t’i kapërceni kufijtë gjeografikë dhe ekzistencialë”. Kjo, ftesa e Papës Françesku për Motrat Rregulltare Misionare Klaretiane të Zojës së Papërlyer, të cilat i priti sot, 24 korrik, në Sallën e Palit VI, me rastin e kapitullit të tyre të 18-të. Nga Papa, inkurajimi për të thelluar karizmën e themeluesit, Antonio Maria Claret, përqendruar tek pasioni për ungjillëzim dhe guxim misionar.
Takimi, pjesëmarrja, dialogu, bashkimi dhe misioni
Papa e nisi bisedën me motrat Klaretiane duke e krahasuar punën përgatitore për kapitullin e zakonshëm të përgjithshëm të kësaj Kongregate, një punë e bërë së bashku, me ata që ndajnë frymën e jetës dhe misionin e Familjes Claretiane - me atë që shkruhet në Shkrimet bibliket për dishepujt e Emaus-it, të cilët, me ndarjen e përbashkët, shprehën ato elemente që karakterizojnë shtegtimin aktual sinodal që po zhvillohet në Kishë:
“Në atë tregim ungjillor shohim dy dishepuj duke ecur së bashku të cilët, në një çast të caktuar takojnë një të huaj, bisedojnë me të dhe e ftojnë për darkë. Pasi zbulojnë se shtegtari ishte Jezusi i ngjallur – gjë që e kuptojnë kur ndiejnë se zemrat e tyre digjen në praninë e tij, kur janë dëshmitarë të fjalëve dhe veprave të tij, kur ndajnë bukën dhe verën dhe hyjnë në bashkim me të - atëherë mund të dalin për ta kumtuar, e dalin, vrapojnë plot gëzim. Mund të vërejmë në rrëfimin e Emaus elementet kryesore të procesit sinodal, që po përjetojmë në Kishë: takim, pjesëmarrjen, dialogun, bashkimin, misionin”.
Misionare, që ia besojnë veten Marisë
Duke nënvizuar karakterin e mrekullueshëm marian të Kongregatës rregulltare të Motrave Klaretiane, Papa i nxiti misionaret që të ecin me hapin e Kishës universale, duke pasur gjithmonë parasysh se veçoria e shpirtit të Marisë ishte gjithmonë të tregojë Jezusin:
“Ju falënderoj për këtë gatishmëri, këtë dëshirë të zjarrtë për të ndërtuar së bashku hapësira dëgjimi dhe për të shpallur Ungjillin, në çdo vend të botës ku jeni të pranishme”.
Kisha ka nevojë për guximin e njerëzve të kushtuar
Papa nënvizoi, duke folur lirisht, se mund ta përjetojë personalisht karizmën klaretiane, këtë "misticizëm" që shndërrohet në guxim misionar:
“Mos kini frikë t’i përshkoni kufijtë gjeografikë, përfshirë edhe ata ekzistencialë, siç bëri Atë Claret, në mënyrë që të gjithë ta njohin dashurinë vërshuese të Zemrës së Zotit. Kisha dhe bota e sotme kanë nevojë urgjente për dëshminë besnike dhe të guximshme të jetëve tuaja të kushtuara”.