Thirrja e Papës: në Ukrainën e dashur të rikthehet së shpejti paqja
R. SH. - Vatikan
Të jeni dëshmitarë konkretë të Ungjillit, për ata që vuajnë nga varfëria dhe lufta në Ukrainë! Këtë kërkoi Papa në përshëndetjet pas audiencës, duke u folur besimtarëve të gjuhës polake dhe italiane e duke kujtuar se nesër, më 29 qershor, do të kremtohet solemniteti i shenjtorëve Pjetër dhe Pal. Françesku ia besoi "popullsinë e dashur ukrainase ndërmjetësimit të dy Apostujve, që së shpejti të mund të gjejë përsëri paqen e humbur".
“Ka shumë vuajtje në Ukrainë, të mos e harrojmë këtë!”.
Nevoja për një "pakt edukativ"
Pas katekizmit Françesku u ndalua te figura e rregulltares australiane, shenjtores Mary MacKillop, themeluese e Motrave të Shën Jozefit të Zemrës së Krishtit. Rikujtoi zellin e saj apostolik dhe rëndësinë e veprave bamirëse "si themelimi i shkollave dhe shtëpive për shtresat më nevojtare, sidomos në zonat fshatare”.
Në një çast kur nevoja për "një pakt edukativ që bashkon familjet, shkollat dhe gjithë shoqërinë" është e ndjeshme - shpjegoi Françesku - apostullimi i MacKillop "mbetet ende shumë aktual". Prandaj Papa kërkoi të mbështesë punën e prindërve, të mësuesve dhe të gjithë atyre që i kushtohen arsimit dhe "të mirës së rinisë në shërbim të një ardhmërie me paqe e vëllazërim", si dhe t’i nxisë të punojnë, si Shenjtorja, “për zhvillimin njerëzor të të gjithëve, veçanërisht më të pambrojturve, e për të ndërtuar, kështu, një shoqëri më të drejtë e më vëllazërore!