Përqafimi i besimtarëve dhe i infermierëve për Papën
R.SH. / Vatikan
Një lutje e Engjëllit të Tënzot të kësaj së diele, e thënë me gjithë shpirt, së bashku me Papën Françesku, shtruar që nga e mërkura, 7 qershor, në Poliklinikën Gemelli , në Romë, pas operacionit të laparotomisë dhe kirurgjisë plastike të murit të barkut me proteza. E kremtuan disa besimtarë, të fotografuar nga një mori fotografësh dhe të ndjekur nga kamerat televizive, në sheshin përballë spitalit, ngjitur me shtatoren e Gjon Palit II, nën dritaret e katit të dhjetë, ku Papa vazhdon rregullisht mjekimet pas operacionit.
Lutje së cilës i priu don Michele së bashku me një grup të rinjsh dhe grash të bashkësisë "Shtëpia e Marisë ". Me ta ishin edhe shumë njerëz, që vizitonin të shtruarit, por edhe pacientë, të cilët shikonin nga dritaret e kateve poshtë, ato të katit të dhjetë. “Ne jemi ata që, çdo të dielë, në Sheshin e Shën Pjetrit, mbajmë parrullën ‘E Papërlyera do të fitojë!’ - shpjegon Don Mikeli – e edhe këtë të dielë kemi vendosur të jemi pranë Papës Françesku”. “Është shenjë besnikërie dhe mirënjohjeje si dhe përgjigje ndaj kërkesës që të lutemi për të. Përgjigje - vijon - për thirrjen e tij që tani, në këtë situatë, sidoqë e ndërlikuar nga pikëpamja mjekësore, është gjest dashurie të vërtetë bijnore”.
Papa u përgjigjet infermierëve, "shenjtorë të portës përbri"
Është një ftesë “për të kultivuar kulturën e afërsisë dhe të butësisë”, ajo që Papa Françesku i drejton, në një letër përgjigje, grupit të infermierëve O.S.S., ndihmës, të Repartit të Neuropsikiatrisë së Fëmijëve dhe Neuropediatrisë së Poliklinikës “Agostino Gemelli”. Papa i quan "shenjtorë të portës fqinje", por edhe "figurë e Kishës si spital fushor", sepse janë pranë atyre që vuajnë dhe atyre që "ndodh t'i shohin duke fluturuar lart". I nxit "të jenë gjithmonë samaritanë të mirë, që marrin mbi vete jetën dhe dhimbjen e fqinjit".
Infermierët i kishin dorëzuar më parë një letër, në të cilën tregonin se ishin "familje", një me vuajtjet e baballarëve, nënave dhe fëmijëve të tyre. Prindër - shkruajnë - të thirrur për të mbajtur kryqin jo vetëm për fenë, por edhe për respektin ndaj vetë jetës. Më në fund, personeli i spitalit i kujton Papës "vragët e pashlyeshme" në zemrat e tyre nga dhimbja për dhimbjen dhe vdekjen e të vegjëlve; plagë që të bëjnë të reflektosh shumë. Si përfundim i drejtojnë përsëri Françeskut urimin për "shërim të shpejtë".
Anxhela, duke shikuar Papën dhe më të brishtët
Në këtë të dielë shumë të nxehtë, Anxhela kërkon freskim nën hijen e sheshit. Tregon se është tejet e brishtë dhe se është shtruar në spital për disa kontrolle, pasi kaloi Covidin. “Papa Françesku më shoqëroi në spital” - pohon ajo me buzëqeshje, duke kujtuar se hyri në Poliklinikë të mërkurën e kaluar, në të njëjtën ditë kur erdhi edhe Papa. Është asistente sociale, bashkëpunon me jezuitët, dëshiron t’i drejtojë një fjalë Atit të Shenjtë: “Padenjësisht i them se duhet të luftojmë, duhet të lutemi, të jemi gjithnjë pranë të fundmëve, më të brishtëve, duke i shoqëruar, duke i ndihmuar, duke qenë pranë tyre!”
Isabella, infermiere dhe paciente
Isabella është ulur në një stol. Në dorë ka një zëmbak të bardhë me një fiongo rozë, dhuratë nga i dashuri, që ka ardhur ta marrë, sepse do të dalë nga spitali. E edhe një fasho të dukshme në gjoks, rezultat i operacionit për heqjen e tumorit të gjirit. “Jam infermiere këtu te Gemelli”: shpjegon, duke shtuar se ditët e fundit nuk ka qenë vetëm e shtruar, por edhe i ka dhënë zemër fqinjëve që kishte pranë shtratit e i ka mbështetur psikologjikisht ata që kishin vështirësi. Në fund të fundit, mjekimi, kujton, është ai, që edhe Papa Françesku e rekomandon çdo herë. “Të jesh këtu i shtruar në spital së bashku me Papën është rastësi e bukur, e vlerësoj vëmendjen e tij ndaj të sëmurëve. Mjekimi përbëhet edhe nga gjestet, jo vetëm nga fjalët, por mbi të gjitha, nga gjërat e vogla”. Është një humanizëm i madh kjo që bën Poliklinika Gemelli, shtëpi e dhimbjes, por edhe shtëpi e afërsisë, e dashurisë, dhurata që shumëkush ia bën Françeskut, përmes një mendimi, një fjale, një lutjeje!