Papa: të varfërit, jo pamje për t’u mallëngjyer, por njerëz që kërkojnë dinjitet
R.SH. – Vatikan
Vështrimi i të varfrit ua ndryshon jetën atyre, që ndeshen me të, por duhet të kemi guximin t’i shohim në sy dhe më pas, t’i ndihmojmë, jo sipas nevojave apo dëshirës sonë për t'u çliruar nga gjërat e tepërta, që ua falim të tjerëve, por sipas nevojave të tjetrit. Ky është koncepti, në qendër të Mesazhit të Papës për Ditën e shtatë Botërore të të Varfërve, e cila do të kremtohet më 19 nëntor.
Në Mesazhin me temë: "Mos i hiqni sytë nga të varfërit", marrë nga Libri i Tobisë, Papa reflekton mbi ndryshimet, që ndodhin tek secili prej nesh kur shohim tek tjetri “fytyrën e Krishtit”, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, e statusit shoqëror dhe e origjinës. Kur shohim në të vëllain për t'u takuar, "duke lënë mënjanë indiferencën dhe rutinën me të cilën mbrojmë mirëqenien tonë iluzore".
Të varfërit, pamje, që mund të mallëngjejnë
Realiteti në të cilin jetojmë, nënvizon Papa, karakterizohet nga volumi tepër i lartë i thirrjes për mirëqenie e, si rrjedhim, heshtohet zëri i të varfërve. “Priremi ta anashkalojmë çdo gjë, që nuk përkon me modelet e jetës të destinuara sidomos për brezat e rinj, të cilët janë më të brishtët përballë ndryshimit kulturor aktual”. Lihet mënjanë gjithçka shkakton vuajtje, ekzaltohet vetëm trupi i përsosur dhe realiteti virtual ngatërrohet me jetën e vërtetë. “Të varfërit – shkruan ipeshkvi i Romës – bëhen pamje, që na mallëngjejnë për pak çaste, por kur i takojmë personalisht në rrugë, ndiejmë bezdi”. Megjithatë, shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë, nënvizon Françesku, na sfidon dhe na nxit të bëjmë më shumë. Kjo është thirrja e çdo të krishteri.
Të reagojmë para politikës jo të frytshme
Duke kujtuar paragrafin 6 të enciklikës “Pacem in Terris” të Papës shenjt Gjoni XXIII, shkruar 60 vjet më parë, Françesku nënvizon se duhet punuar shumë për t’u siguruar njerëzve një jetë dinjitoze, që ato fjalë të Papës Roncalli të bëhen realitet, "edhe përmes impenjimit serioz dhe të frytshëm politik e legjislativ”. Papa shpreson në solidaritetin e atyre, që besojnë në vlerën e përkushtimit vullnetar në favor të të varfërve, për të arritur të plotësojnë atë, që politika duket se nuk është në gjendje ta bëjë, duke i shërbyer kështu së mirës së përbashkët. Mos prisni t’u bien gjërat nga lart, kërkon Ati i Shenjtë, “edhe ata që jetojnë në kushte varfërie – shkruan ai – duhet të përfshihen dhe të shoqërohen në një proces ndryshimi dhe përgjegjësimi”.
Varfëritë e reja
Në Mesazhin e Françeskut, flitet edhe për të varfërit e rinj. Kujtohen fëmijët që jetojnë një të tashme të vështirë dhe e shohin të ardhmen të komprometuar nga lufta. “Askush – thekson Papa – nuk mund të mësohet kurrë me këtë gjendje; ta mbajmë gjallë çdo përpjekje që paqja të afirmohet si dhuratë e Zotit të Ringjallur dhe si fryt i angazhimit për drejtësi e dialog”. Në zemrën e Atit të Shenjtë, edhe ata që përballen me “rritjen dramatike të kostos së jetesës” dhe detyrohen të zgjedhin ndërmjet ushqimit a ilaçeve, prandaj, fton të bëhet ç’është e mundur për t’i garantuar të dyja këto të drejta, “në emër të dinjitetit të njeriut”.
Punë çnjerëzore dhe të rinj të “dështuar”
Më pas, Papa vë në dukje gjendjen e fëmijëve, të familjeve dhe të punëtorëve me pagë të pamjaftueshme, të pasigurt për punën e tyre, “viktima të aksidenteve, shpesh, për shkak të mendësisë së fitimit, në dëm të sigurisë”. Françesku shpreh shqetësimin e tij për të rinjtë, duke vënë në dukje se nganjëherë, ata kanë një jetë plot probleme, aq sa kalojnë deri në vetëvrasje, “të mashtruar nga një kulturë, që i bën të ndihen 'pa perspektivë' dhe 'të dështuar'". "T'i ndihmojmë të reagojnë – fton Papa - në mënyrë që të gjithë të gjejnë rrugën për të pasur një identitet të fortë dhe për të qenë bujarë".
"Fqinjët"
Fytyra, histori, zemra dhe shpirtra: këta janë të varfërit e Papës Françesku, i cili na këshillon ta ndajmë tryezën me ta në shenjë vëllazërimi, duke u sjellë si fqinjë të mirë, njerëz të aftë për të dëgjuar e për të dialoguar. “Kur nuk ua ndan sytë të varfërve, përfiton mëshirë, bamirësi, gjë që i jep kuptim gjithë jetës së të krishterit”. Në përfundim të Mesazhit, duke cituar Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, në 150-vjetorin e lindjes, Françesku kujton se "çdo njeri ka të drejtë të shndritet nga bamirësia" dhe kërkon ta mbajmë vështrimin të ngulur mbi fytyrën njerëzore dhe hyjnore të Jezu Krishtit.