Françesku: Shpirti është protagonist i vërtetë i misionit, ne shtegtojmë në rrugët e tij
R. SH. - Vatikan
Shpirti Shenjt është "kujtesa dhe prijësi, që hap udhë të reja dhe të papritura, pikërisht atje ku mendohej se rrugët ishin të bllokuara a të mbyllura". Këtë theksoi Papa Françesku, duke pritur sot në mëngjes në audiencë anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar për Dialogun ndërmjet Kishës Katolike dhe Dishepujve të Krishtit, kishë protestante me zanafillë në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Ishte një dialog i nisur që nga viti 1977, ndërsa në fazën e gjashtë të punës - që vazhdon deri në vitin 2027 – ka si temë “Misioni i Shpirtit”:
“Në këto kohë aspak të lehta për fenë, na bashkon i njëjti besim, që donte të përhapte Shën Pjetri Apostull: ai i lëshimit të shpresës sonë në dorë të Zotit të ngushëllimit”.
Mbajeni gjithnjë të re bashkësinë e krishterë
“Kur gjunjëzohemi me zemër të hapur para Shkrimeve të frymëzuara nga Shpirti Shenjt, e lëmë atë të na flasë, e edhe të veprojë në ne” - nënvizoi Papa - Na kujton kështu, çfarë ka më shumë rëndësi në jetë e na fton, sidomos, të mos harrojmë se "për Zotin nuk ka asgjë të pamundur". Shpirti Shenjt është edhe "prijës"- na kujton Koncili II i Vatikanit. Është Ai që "e mban gjithnjë të re bashkësinë e krishterë". Në të "kemi gëzimin për ta shpallur Jezusin Zot dhe Shpëtimtar dhe të gjejmë forcën për të ecur përpara në lavdërimin e emrit të tij, duke e lumnuar e duke e madhëruar Zotin tonë", ndërsa ai "na e ruan shpirtin nga tundimet", si trishtimi, vetvlerësimi dhe prirja për të jetuar si dëshiron bota, e jo Zoti!”.
Harmonia shkon përtej “bisedimeve për bashkim”
Shpirti Shenjt "është protagonisti i vërtetë i misionit" e, parë me sytë e fesë - tha përsëri Françesku - puna e Tij mund të shihet, "madje edhe përtej kufijve të bashkësive tona". "Nëse i bindemi, ai do të na harmonizojë, edhe kur ne na duket e vështirë të pajtohemi:
“Shpirti është harmoni: këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Ai i lejon edhe ‘ndarjet’: të mendojmë për agun e Rrëshajëve, kur kishte ‘ndarje’ të madhe karizmash të ndryshme... Por më pas Ai krijoi harmoninë, që nuk do të thotë t’i peshosh ndarjet në kandar, jo: harmonia shkon më tej. Dhe kjo është rruga e Shpirtit”.
Të ecim dhe të lutemi së bashku
“Nuk duhet të kemi frikë, prandaj, për të ecur në shtigjet e harmonisë, që na i tregon Shpirti” - përfundoi Françesku - duke kujtuar takimin historik të Palit VI me Patrikun e Konstandinopojës, Athenagora, në Jeruzalem, në vitin 1964:
“Në rrugën e bashkimit kishtar, por edhe në dialog me kishat dhe bashkësitë e tjera të krishtera, ka një gjë që më ka shtyrë gjithmonë të mendoj: është ajo që i tha Patriku Athenagora, disi me shaka, Palit VI: t'i dërgojmë të gjithë teologët në një ishull, e ne të ecim së bashku! Uniteti i krishterë arrihet duke ecur së bashku. Teologët janë sigurisht të nevojshëm: që të studiojnë, të flasin, të diskutojnë; por, ndërkohë, ne të ecim, duke u lutur së bashku dhe me vepra bamirësie. Për mua kjo është rruga që nuk zhgënjen”.