Papa, Takimit të Teramos: dija të përhapet pa u lodhur kudo
R. SH. - Vatikan
"Të jesh grua a burrë i shkencës është thirrje por, njëkohësisht, edhe mision, formë e veçantë bamirësie intelektuale". Këtë kujton Papa në një mesazh drejtuar ipeshkvit të Teramo-Atri-t, Imzot Lorenzo Leuzzi-t, me rastin e Takimit të dytë Ndërkombëtar “Shkenca për Paqen”, titulluar: "Dishepujt e rinj të dijes: metoda shkencore në ndryshimin e epokës", që vijon edhe nesër në Teramo dhe në komunën e afërt të Isola del Gran Sasso. “Për takimin tuaj - shkruan Françesku - zgjodhët këtë temë interesante, që ofron një perspektivë plot shpresë për të ardhmen e njerëzimit”.
Më pas, Papa nënvizon se, siç pohoi i Lumi Antonio Rosmini, ekziston një lidhje themelore ndërmjet së vërtetës dhe bamirësisë. Hulumtimi dhe studimi i së vërtetës “janë pjesë themelore e bamirësisë”, sepse “ato e çojnë njeriun drejt njohjes gjithnjë e më të plotë të së vërtetës, deri në hapjen e zemrës për pranimin e dhuratës së Zotit”. Për këtë arsye, duke rikujtuar mësimet e Rosminit, Papa vëren se dija duhet të përhapet pa u lodhur ndërmjet njerëzve!
Bamirësi intelektuale, për ardhmërinë
Bamirësia intelektuale - vazhdon Françesku - sot nuk mund të ruhet vetëm për ata që punojnë në këtë sferë. Ajo duhet "të mbështesë krijimin e një afërsie të përtërirë për të gjithë”. E këtë "përgjegjësi historike" kërkon Papa nga ata, që merren me kërkimin shkencor. Duke kujtuar më pas, çka pati këshilluar Shën Pali VI në vitin 1954: "Sot dashuria intelektuale duhet të zgjojë tek njeriu dëshirën për të menduar gjëra të mëdha”, për të nënvizuar, në vijim, se “vetëm harmonia ndërmjet dijes dhe dashurisë dhe ndërmjet fesë dhe arsyes, mund t'u përgjigjet nevojave të njeriut”.
E Papa Françesku mendon për brezat e rinj që presin të takojnë "dishepuj të dijes të kësaj lartësie". Prandaj, i bën edhe një herë të tijat fjalët e Shën Palit VI drejtuar njerëzve të mendimit, në përfundim të Koncilit II të Vatikanit:
"Vazhdoni të kërkoni, pa u lodhur, pa u dëshpëruar kurrë nga e vërteta".
Sepse, përfundon Françesku, “në të vërtetën dhe bamirësinë është rruga e paqes".