Papa: në shërbim të Krishtit në meshtarët e tij. Shikoni secilin me sytë e Jezusit
R. SH. - Vatikan
“Jeta shpirtërore e priftit jetohet jo kur shpëtohet forma, duke qepur një arnë “aty ku u gris”, por kur nisma i lihet Shpirtit Shenjt. Lërjani nismën Shpirtit: është Ai që çon përpara kthesën dhe harmoninë në jetën e priftit. Dyfytyrësia nuk duhet të tolerohet, por të nxirret në dritë, në dritën e Shpirtit. Vetëm Ai na shëron nga pabesitë, nga sjellja si mësallë me dy faqe. Këtë nënvizoi Papa Françesku duke u takuar sot, më 24 qershor, në Vatikan, me anëtarët e Kapitullit të Përgjithshëm të Shërbëtorëve të Shpirtit Shenjt, kongregatë, karizma e së cilës kërkon të jesh "pranë priftërinjve në vështirësi, për t’u dhënë çdo ndihmë të mundshme atyre që morën sakramentin e Urdhërit.
Së bashku, në rrugën e pastrimit të Kishës
Thirrja e Shërbëtorëve të Paraklitit është të vihen "në shërbim të Krishtit, në priftërinjtë e tij". "Në kohën e tanishme - kujtoi Papa - kjo do të thotë edhe pjesëmarrje në rrugën e veçantë të pastrimit, që po jeton Kisha, për shkak të tragjedive të abuzimit". Duke cituar një fragment nga fjalimi i mbajtur më 7 mars 2019, gjatë takimit me klerin e Romës, Papa nënvizoi se…
"…mëkati na shpërfytyron dhe ne e përjetojmë me dhimbje përvojën poshtëruese të tij kur ne vetë, një nga vëllezërit tanë priftërinj ose ipeshkvij bien në humnerën e pafund të vesit, të korrupsionit apo, akoma më keq, të krimit që shkatërron jetën e të tjerëve”.
E në vijim, theksoi:
“Në një situatë të tillë, "misioni i shërbëtorit të Paraklitit ju kërkon t'i kushtoni jetën tuaj shoqërimit të disa priftërinjve dhe vëllezërve të shuguruar, duke i ofruar secilit rrugën e asketizimi, të kthesës dhe të përtëritjes shpirtërore e profesionale. Me frymën dhe stilin e Samaritanit të Mirë, rrini pranë këtyre bashkëvëllezërve, duke ndarë me ta jetën dhe lutjen e përditshme”.
Përshpirtëria e shpërblimit
Papa shpjegoi se të jesh pranë bashkëmoshatarëve në vështirësi do të thotë edhe të ndihmosh për të rivendosur harmoninë:
“Mbi të gjitha, ftojini ata të hyjnë në një bashkësi, bashkësi lutjesh, e cila ndihmon për të rigjetur harmoninë e jetës, që e përlyen krizën e thirrjes. Ndërsa ndesheni me aspektet e shumta të këtij problemi, ju ftoj të thelloni përshpirtërinë e shpërblimit, duke u nisur nga nevoja për pastrim, në shërbim të shenjtërisë së Barinjve të Popullit të Zotit”.
"Shpirti Shenjt - përfundoi Françesku - ju ndihmoftë ta shikoni secilin me sytë e Jezusit, me dashurinë e tij, me butësinë e tij".