Papa pret Presidentin e Brazilit, Lula da Silva
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku priti, sot pasdite në audiencë, në studion pranë sallës Pali VI, në Vatikan Presidentin e Brazilit, Lula da Silva. Audienca u zhvillua në një atmosferë simpatie e miqësie të madhe pasi Papa e Lula njihen prej shumë vitesh. Pas takimin me Atin e Shenjtë Bergoglio, Lula u takua me Kryeipeshkvin Imzot Edgar Peña Parra, Zëvendës për Çështjet e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë.
Sipas zyrës së shtypit të Vatikanit, gjatë bisedimeve "u vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Brazilit dhe Selisë së Shenjtë, u nënvizua bashkëpunimi i mirë midis Kishës e Shtetit në funksion të promovimit të vlerave morale e shoqërore që synojnë të mirën e përbashkët".
“Ka pasur – nënvizon zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë – një shkëmbim pozitiv të pikëpamjeve mbi situatën shoqëroro-politike të rajonit dhe një shqyrtim rreth disa temave me interes të përbashkët, si promovimi i paqes dhe pajtimit, lufta kundër varfërisë dhe pabarazive, respekti për popujt indigjenë, si dhe mbrojtjen e mjedisit”.
Takimi mes Papës dhe Lulës u zhvillua në studion pranë sallës Pali VI në Vatikan dhe zgjati rreth 45 minuta.