Kërko

Silvio Berlusconi  (AFP or licensors) Silvio Berlusconi (AFP or licensors)

Papa për Berlusconi-n: temperament energjik në mbulimin e përgjegjësive publike

Telegram i Françeskut, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, për vdekjen e ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi sot, 12 qershor, në moshën 86-vjeçare

R.SH. / Vatikan

“Protagonist i jetës politike italiane, që i kryente detyrat publike me temperament energjik”. Me këto fjalë Papa Françesku kujton Silvio Berlusconin, ish-kryeministrin italian, lider i Forza Italia, i cili ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare sot në mëngjes, 12 qershor, në Spitalin San Raffaele të Milanos, ku ishte shtruar prej disa ditësh. Gjendja e tij shëndetësore u keqësua shumë orët e fundit.

Në një telegram nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, drejtuar vajzës së tij, Maria Elvira Berlusconi (e njohur më mirë si Marina), Papa Françesku, "i informuar për vdekjen e babait të saj të dashur", e siguron se është pranë familjes dhe se "merr pjesë në mort”.

Ati i Shenjtë i lutet Zotit "t’i japë paqen e amshuar të Ndjerit dhe t’i ngushëllojë zemrat e atyre, që vajtojnë për humbjen e tij". “Marr pjesë në zinë e familjes - shkruhet në rreshtat e fundit të telegramit – duke e kujtuar në lutje”.

Funerali do të kremtohet të mërkurën, 14 qershor, në orën 15.00, në Katedralen e Milanos, kryesuar nga kryeipeshkvi imzot Mario Delpini.

12 qershor 2023, 15:25