Papa: Kisha ka nevojë ta shpallë Krishtin, ashtu siç ka nevojë për oksigjenin që të marrë frymë
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku bekoi paliot për kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë, në meshën e kryesuar prej tij në Bazilikën e Shën Pjetrit, në solemnitetin e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, apostuj.
Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë u përqendrua në mësimet e dy apostujve, të cilët iu përgjigjën pyetjes thelbësore në jetë - "Kush është Jezusi për mua?" – duke e ndjekur atë si dishepuj dhe duke kumtuar Ungjillin. Kisha, vuri në dukje ai, është e thirrur njëlloj si apostujt t’i përgjigjet asaj pyetjeje, “duke ndjekur Zotin, duke e kërkuar vazhdimisht dhe me përvujtëri” e duke “predikuar Ungjillin”. Papa i ftoi besimtarët ta çojnë Jezusin kudo, "veçanërisht në ato vende ku varfëria, prapambetja dhe mënjanimi janë të rrënjosura thellë". Vendimet e Shën Pjetrit e të Shën Palit, nënvizoi Françesku, i bënë ata “dy apostuj të dashuruar me Zotin, dy shtylla të besimit të Kishës”. Të dy iu përgjigjen pyetjes “Kush është Jezusi në jetën time?” me dëshminë e tyre e me impenjimin për përhapjen e Lajmit të Mirë të Krishtit, duke bërë të rritej e të zhvillohej Kisha e Tij.
Pjetri eci në gjurmët e Jezusit
Pjetri, shpjegoi Papa, iu përgjigj pyetjes së Jezusit "Kush thoni se jam unë?" (Mt 16,16) me fjalët "Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë". Ajo përgjigje, theksoi Ati i Shenjtë, ishte "fryt i rrugëtimit", që ai përjetoi duke ndjekur Zotin, duke ecur me të dhe pas tij. Vetëm atëherë, "Pjetri arriti atë pjekuri shpirtërore, që e çoi, për hir hyjnor, të dëshmojë qartësisht fenë e vet”. Pjetri, nënvizoi Papa, "mësonte çdo gjë ditë pas dite, si dishepull, si ndjekës i Jezusit, duke ecur në gjurmët e Tij".
"Pjetri na thotë se nuk mjafton t'i përgjigjemi pyetjes - "Kush është Jezusi për mua" - me një formulë doktrinore pa të meta, ose me ndonjë grup nocionesh të paramenduara. Jo! Vetëm duke ndjekur Zotin, ne arrijmë ta njohim atë çdo ditë, vetëm duke u bërë dishepujt e tij dhe duke dëgjuar fjalët e tij, bëhemi miq me të dhe përjetojmë dashurinë e tij shndërruese,” shtoi Papa.
Françesku u bëri thirrje besimtarëve të mos hezitojnë dhe të mos justifikohen.
“Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse disa justifikime maskohen si shpirtërore, si për shembull kur themi: ‘Nuk jam i denjë’, ‘Nuk e kam brenda vetes’, ‘Çfarë mund të bëj?’”.
Kjo, tha Ati i Shenjtë, i cili herë pas here, doli nga teksti zyrtar për të folur pa letër, "është një nga dredhitë e djallit: na e cënon besimin në hirin e Zotit, duke na bërë të mendojmë se gjithçka varet nga aftësitë tona”.
Kishë që ndjek Krishtin
Shën Pjetri, vërejti Papa, na lë si detyrë "të shkëputemi nga të gjitha format tokësore të sigurisë, ‘menjëherë’, dhe të ndjekim Jezusin sërish e çdo ditë".
“Ai na fton të jemi një ‘Kishë që e ndjek atë’”.
Vetëm duke bërë të gjitha përpjekjet për të qenë "dishepulle e Zotit, shërbëtore e përvuajtur e Ungjillit", Kisha "do të jetë në gjendje të dialogojë me të gjithë dhe të bëhet një vend shoqërimi, afërsie dhe shprese për burrat dhe gratë e kohës sonë", pohoi Papa.
Pali ndau me të tjerët përqafimin e dashurisë së Zotit
Duke folur më pas për Apostullin e Popujve, shën Palin, Papa kujtoi se, ndërsa për shën Pjetrin përgjigja ndaj pyetjes së Jezusit ishte ndjekja e gjurmëve të Tij, për Palin ajo ishte shpallja dhe predikimi i Ungjillit të Krishtit. Pali, pasi takoi Jezusin e ringjallur dhe zbuloi përmbushjen e misterit të shpëtimit, “ia kushtoi Atij jetën, duke i rënë kryq e tërthor tokës dhe detit, qyteteve dhe fshatrave, pa pyetur për vuajtjet dhe përndjekjet, duke predikuar Jezu Krishtin”.
“Nëse shikojmë jetën e Shën Palit, duket se sa më shumë predikonte Ungjillin, aq më shumë e njihte Jezusin. Duke u predikuar Fjalën e Tij të tjerëve, mund të shikonte më thellë në misterin e Zotit”, theksoi Papa.
Apostulli na mëson, shtoi Françesku, se "kur ungjillëzojmë, edhe ne vetë ungjillëzohemi".
Kishë në dalje
Duke u kujtuar besimtarëve se në këtë solemnitet, kremtojnë Shën Pjetrin dhe Shën Palin, të cilët na ftojnë të ndjekim Jezusin dhe të shpallim Ungjillin, Ati i Shenjtë nënvizoi se kjo është udha e përvijuar për Kishën.
“Është mirë për ne të bëhemi një Kishë në dalje, që i shoqëron njerëzit, duke gjetur gëzim jo në gjërat e botës, por në predikimin e Ungjillit dhe duke ua hapur zemrat njerëzve për praninë e Hyjit”.
Duhet ta çojmë Jezu Krishtin kudo, me përvuajtëri e gëzim kërkoi Papa: “në qytetin tonë të Romës, në familje, në marrëdhëniet dhe në lagjet tona, në shoqërinë civile, në Kishë dhe në jetën politike, në mbarë botën, veçanërisht në ato vende ku varfëria, prapambetja dhe mënjanimi janë të rrënjosura thellë”.
Paliot
Së fundi, Ati i Shenjtë u dha paliot kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, të cilëve u tha se ai është “shenjë bashkimi me Kishën e Romës”. Pastaj, i këshilloi:
“Bëhuni apostuj si Pjetri dhe Pali. Bëhuni dishepuj, që ndjekin Krishtin dhe apostuj në predikim. Çojeni bukurinë e Ungjillit kudo, së bashku me gjithë Popullin e Zotit”.
Përshëndetje Delegacionit të Patrikanës Ekumenike
Para përfundimit të meshës, Papa përshëndeti Delegacionin e Patrikanës Ekumenike, dërguar nga Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, siç është tashmë traditë prej kohësh. Vërtet, një delegacion i Selisë së Shenjtë merr pjesë gjithnjë në kremtimin e festës së Shën Andreut, festuar nga ortodoksët bashkë me katolikët.
“Faleminderit për praninë tuaj! Të ecim së bashku, në ndjekjen e Krishtit dhe në predikimin e Fjalës, ndërsa vëllazërohemi më shumë. Pjetri dhe Pali na shoqërofshin dhe ndërmjetësofshin për ne”.