Papa Françesku në Gemelli e kaloi mirë edhe natën e tretë
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku e kaloi mirë edhe natën e tretën në Poliklinikën Gemelli, pas operacionit të 7 qershorit të laparotomisë dhe kirurgjisë plastike të murit të barkut me proteza. Lajmin e zakonshëm të mëngjesit e jep Salla e Shtypit e Vatikanit, duke shpjeguar se gjatë ditës do të ketë informacione të mëtejshme.
Edhe mbrëmë Salla e Shtypit bëri të njohur një notë të stafit mjekësor pas përmirësimit të Papës, ku theksohej se kursi postoperativ i Françeskut vazhdon të jetë i rregullt dhe brenda normës. “Parametrat hemodinamikë janë normalë”, shpjegojnë mjekët - Papa “ka pezulluar flebot dhe ka vazhduar të ushqehet me një dietë të lëngshme”.
Pasditen Ati i Shenjtë " ia kushtoi lutjes" e më pas "edhe punës", ndërsa në mbrëmje mori Kungimin. Në deklaratën e lëshuar dje, informohej edhe se Françesku “është prekur thellë nga mesazhet e shumta, që vazhdon të marrë në këto orë; në veçanti, synon t'i falënderojë fëmijët e shtruar, si ai, në spital, për dashurinë e shprehur përmes vizatimeve dhe mesazheve të tyre. Pa harruar as personelin mjekësor, infermierët, punonjësit socialë e shëndetësorë dhe ndihmësit shpirtërorë, që e prekin çdo ditë dhimbjen me dorë, duke e lehtësuar barrën e saj shpesh të padurueshme”. Françesku u shprehu “mirënjohjen për afërsinë dhe lutjen e tyre”.