Françesku është mirë, nesër do ta kremtojë Engjëllin privatisht
R. SH. - Vatikan
Gjendja postoperative e Françeskut vazhdon të jetë i rregullt. Papa është mirë, e gjithçka po shkon shumë mirë. Pohimi vjen drejtpërdrejt nga profesori Sergio Alfieri, kirurgu që operoi Papën të mërkurën, 7 qershor, ashtu edhe në verën e vitit 2021.
Nesër, Lutja e Engjëllit, privatisht
Drejtori i Departamentit të Shkencave Mjekësore dhe Kirurgjike Metabolike Abdominale dhe Endokrine, shpjegoi se Ati i Shenjtë e pranoi këshillën mjekësore dhe nesër do ta thotë lutjen e Engjëllit në mënyrë private, duke u bashkuar shpirtërisht, me dashuri dhe mirënjohje, me besimtarët që duan ta shoqërojnë kudo që janë. “Ne dhamë një sugjerim mjekësor, e ai vendosi”.
“Të ngrihesh nga shtrati dhe të ulesh çdo herë në një kolltuk” - shpjegoi Alfieri, “është lëvizje që krijon tension në murin e barkut”. Pas operacionit të mëparshëm, kryer të dielën më 4 korrik 2021, një javë më vonë, më 11 korrik 2021 Françesku pati kremtuar Lutjen e Engjëllit. “Kishin kaluar 7 ditë” - sqaroi profesori - “tani nuk kanë kaluar as 3 ditë. Prandaj ia kërkuam Atit të Shenjtë këtë maturi, për të shmangur sforcimin. E Papa pranoi":
"Nëse në ditët në vijim nuk i kushton vëmendje çikatriçes dhe rrjeta griset, pacienti duhet të kthehet në sallën e operacionit. As atij dhe as mua nuk na pëlqen kjo. Ndërsa po të vijojë një rikuperim të kujdesshëm, do të jetë në gjendje t’i rifillojë jo vetëm aktivitetet, por t’i bëjë edhe më mirë. Prandaj ne ia kërkuam këtë flijim... Herën e fundit kishin kaluar 7 ditë dhe ai nuk kishte pse ta pushonte murin e barkut, sepse nuk kishte bërë këtë tip operacioni. Ne i kërkuam të tregohej i matur dhe me urtësinë e Tij e pranoi sugjerimin e të gjithëve. Është kënaqësi të jesh me të, privilegj”.
Asnjë problem me zemrën
Të gjitha flebot janë pezulluar ditët e fundit: “Ati i Shenjtë ushqehet me dietë gjysmë të lëngshme”, pohoi Alfieri, duke përjashtuar kategorikisht praninë e problemeve me zemrën: “Ai nuk ka pasur asnjëherë sëmundje ishemike të zemrës, e as infarkt”. “Françesku nuk ka shumë dhimbje, ndaj ndjek një terapi normale për lehtësimin e dhimbjeve, bazuar në Tachipirinë”
Humori, në formë
Nuk ka ende datë të caktuar për daljen nga spitali, ndonëse “shumë nga kontrollet mund t’i bëjë në Vatikan. Nëse nevojiten kontrolle të mëtejshme, të cilat aktualisht nuk janë parashikuar” - pohoi doktori, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, “do të rikthehet këtu”. Humori i Papës është i shkëlqyeshëm - vijoi Alfieri: "Është kënaqësi të jem me të! Ai ka kokën e një gjashtëdhjetë vjeçari: vendosi të operohet në këtë çast, duke pasur parasysh të gjitha angazhimet e tij në të ardhmen".
Tani për tani, siç saktësoi drejtori i Sallës së Shtypit, Matteo Bruni, konfirmohet pezullimi i audiencave deri më 18 qershor. “Nëse rikuperimi do të jetë i plotë”, sqaroi nga ana tjetër Alfieri, “mund t’i rifillojë”.
Mesazhi i Papës këtë pasdite lexohet nga Gambetti
Dëshira e mjekëve është që qëndrimi në spital të zgjasë të paktën një javë, por do të jetë vetë Papa, që do të vendosë, i vetëdijshëm se “proceset e shërimit përfundojnë pas tre muajsh”. I nxitur nga shtypi Matteo Bruni sqaroi se deri tani Papa ka pranuar vetëm njerëz që bashkëpunojnë zakonisht me të dhe se mesazhi i tij për Mitingun Botëror mbi Vëllazërinë Njerëzore këtë pasdite do të lexohet nga Kardinali Gambetti.