Kërko

Papa: "Edna, do të të shoqëroj në udhëtimin, që po bën!"

Papa Françesku i dërgon një video-mesazh prekës Ednës, 17-vjeçares portugeze, që vuan nga një sëmundje e rëndë. Vajza i shkruante një letër, ku i shprehte dashurinë, por edhe pikëllimin, pse nuk do të mund të merrte pjesë në Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë në Lisbonë.

R. SH. - Vatikan

Edna, 17 vjeçe, është e vetëdijshme se së shpejti do të takohet me Zotin. Kështu ia ka shpjeguar mjeku, i cili e ndihmon prej tetë vitesh në sëmundjen e rëndë. E kështu i shkruan edhe Papës Françesku në një letër, që ia dërgoi dje, të enjten, 22 qershor. “Doktori më tha se nuk e di kur do ta takoj Jezusin, por do të ndodhë së shpejti”, shkruante me një qetësi, që e preku Atin e Shenjtë.

Ndonëse është regjistruar për të marrë pjesë në Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë, e cila do të mbahet në Lisbonë ndërmjet 1 dhe 6 gushtit, ajo i shkruante Papës se nuk do të mund ta shoqëronte fizikisht. Edna, që dëshiron me gjithë zemër të takojë Atin e Shenjtë, e jeton këtë situatë me dhimbje, por edhe me besim të vërtetë e të sinqertë dhe me një buzëqeshje dashamirëse, siç e dëshmojnë ata që e vizitojnë prej më shumë se një dekade në famullinë e San Massimiliano Kolbe-s, në rrethinat e kryeqytetit Luzitanian.

“Kur mësova se Dita do të mbahej në Portugali, u gëzova shumë, sepse sa herë e shoh Papën duke folur në televizion, ndihem më mirë, sikur të mos kisha asnjë sëmundje, që do të mund të më pengonte për të marrë pjesë në DBR - tregon Edna në letër. Më pas shton se donte t'i shkruante Françeskut, për t'i bërë të ditur "sa i rëndësishëm është për të dhe për familjen e saj”.

Edna, autore e letrës
Edna, autore e letrës

Gjashtë herë faleminderit

Sapo lexoi rreshtat e shkruar nga Edna, kur ishte ende në spital, Papa vendosi t’i përgjigjej me një video-mesazh, që zgjati pak më shumë se një minut. Në të  përsërit gjashtë herë fjalën "faleminderit":

“Edna, e mora letrën tuaj, faleminderit! Faleminderit për butësinë tuaj e faleminderit për paqen që keni në zemër. Kjo paqe është si një farë e mbjellë në zemrat e ne të gjithëve, që ju shohim, e edhe të gjithë atyre, që ju flasin. Faleminderit! Ju shoqëroj në udhëtimin tuaj. Ju shoqëroj dhe e di se do të priteni mirë. Të shoqëroj, duke u lutur për ty, duke u lutur me ty dhe duke parë Jezusin, i cili na pret gjithmonë. Faleminderit!”-  i përgjigjet Ati i Shenjtë.

Edna i kërkon Papës të lutet për të, ndërsa Françesku, në video-mesazh, i kërkon asaj të bëjë të njëjtën gjë, për të. Një “bashkëfajësi në lutje” e vulosur nga bekimi i fundit: "Dhe tani unë ju jap bekimin tim, për t’ju dhënë forcë edhe në këtë shtegtim".

Letra e shkruar nga Edna drejtuar Papës
Letra e shkruar nga Edna drejtuar Papës
23 qershor 2023, 16:14