Papa artistëve: harmonia banoftë më shumë në botën tonë, jeni aleatët e mi
R.SH. - Vatikan
“Kemi nevojë për parimin e harmonisë, që të mund të banojë më shumë në botën tonë. Ju, artistët, mund të na ndihmoni t'i lëmë vend Shpirtit të Zotit", "harmonizuesit të madh". Ju ndjej aleatë “për gjithçka e kam për zemër, si mbrojtja e jetës njerëzore, drejtësia shoqërore, të fundmit, kujdesi për shtëpinë e përbashkët, vëllazërimi ynë. Më intereson humanizimi i humanizmit”. Me këto fjalë i nxiti Papa Françesku artistët, pjesëmarrës në takimin e organizuar me rastin e 50-vjetorit të përurimit të Koleksionit të Artit Modern në Muzetë e Vatikanit, me të cilët bisedoi gjatë në Kapelën Sikstine.
Arti juaj, vel që mbushet me Shpirt
Në fjalimin e duartrokitur gjatë në përfundim, Papa kujtoi fillimisht se Kisha ka pasur gjithmonë me artistët marrëdhënie "natyrale e, njëkohësisht edhe speciale. E natyrshme, sepse artisti “e merr seriozisht thellësinë e pashterrshme të ekzistencës, të jetës dhe të botës, edhe në kontradiktat e anët më tragjike të saj”:
“Artisti u kujton të gjithëve se përmasa në të cilën lëvizim, edhe kur nuk jemi të vetëdijshëm, është përmasë e Shpirtit. Arti juaj është si velat që mbushen me Shpirtin e që na shtyn përpara”.
Pasurojeni botën me një realitet të ri
Miqësia ndërmjet Kishës dhe artistëve është e veçantë, "mbi të gjitha - kujton Françesku - nëse mendojmë për shumë pjesë të historisë të përshkuara së bashku", e "presim fryte të reja edhe në kohën tonë, në një atmosferë dëgjimi, lirie dhe respekti. Njerëzit kanë nevojë për këto fruta, fruta të veçanta”- theksoi Papa – për të nënvizuar më pas teologun Romano Guardini. Artisti - shkroi ai - ndërsa krijon, është si fëmijë e si vegimtar, me “spontanitetin” e të parit, që imagjinon, e me “mprehtësinë” e të dytit, që e kap realitetin. Ashtu si fëmija, ai lëviz “në hapësirën e shpikjes”, të krijimit, “sjelljes në botë të diçkaje të re, që nuk është parë kurrë në këtë mënyrë”:
“Ju artistët e arrini këtë duke vënë në pah origjinalitetin tuaj. Ndër veprat jeni gjithnjë ju vetë, si qenie të papërsëritshme, siç jemi të gjithë ne, por me synimin për të krijuar edhe më shumë. Kur talenti ju ndihmon, nxirreni në dritë të panjohurën, pasurojeni botën me një realitet të ri!”.
Larg pushtetit të bukurisë artificiale!
Duke cituar Librin e Izaisë Profet dhe Apokalipsin - a Zbulesën - ku Zoti thotë "Ja, unë po bëj një gjë të re" dhe më pas "Unë po i bëj të gjitha gjërat të reja", Papa kujtoi se "krijimtaria e artistit duket se merr pjesë në pasionin krijues të Zotit. Ju jeni aleatë të ëndrrës së Zotit! Jeni sy që shikon dhe ëndërron”. E, duke pasur aftësinë "për të ëndërruar variante të reja të botës, për të përfshirë gjëra të reja në histori" - vazhdoi Papa Françesku - u ngjani vegimtarëve e profetëve. Sepse "dini t’i shikoni gjërat në thellësi dhe në distancë", për të shqyrtuar horizontin dhe për ta kuptuar realitetin përtej dukjes. Kështu "jeni të thirrur të rrini larg fuqisë sugjestive të bukurisë artificiale dhe sipërfaqësore", sot e përhapur dhe shpesh bashkëpunëtore "e mekanizmave ekonomike, që krijojnë pabarazi".
Ashtu si profetët, kritikoni dredhitë e pushtetit
Larg bukurisë - bëri thirrje Papa - "që lind e vdekur, e rreme, e përlyer "grim që fshihet, në vend që të zbulohet". Ju - u shpjegoi artistëve “rrini larg kësaj bukurie! Arti juaj duhet të veprojë si ndërgjegje kritike e shoqërisë, duke hequr vellon pas së cilës fshihet e vërteta. Ju dëshironi të tregoni atë që të bën të mendosh, të bën vigjilent, të zbulon realitetin dhe në kontradiktat e tij, në aspektet më të përshtatshme për t'u mbajtur të fshehura”.
“Ashtu si profetët biblikë, ju na vini ballëpërballë me gjëra që ndonjëherë na mërzitin, duke kritikuar mitet e rreme të sotme, idhujt e rinj, fjalimet banale, kurthet e konsumit, hiletë e pushtetit”.
"Ndjej se jeni aleatë për kaq shumë gjëra që i kam për zemër"
Françesku nënvizoi edhe se artistët shpesh e bëjnë këtë "me ironi, virtyt i mrekullueshëm", "që ne nuk e kultivojmë aq shumë", si ndodh në Bibël, në çastet kur "tallen vetëdashja, paragjykimet, padrejtësitë, çnjerëzimi, kur vishen me pushtet e nganjëherë deri me shenjtëri”:
“Duke qenë, kështu, vegimtarë, roje agimi, ndërgjegje kritike, ndjej edhe se jeni aleatë për shumë gjëra që i kam për zemër, si mbrojtja e jetës njerëzore, drejtësia shoqërore, të fundmit, kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët, ndjenja se jemi të gjithë vëllezër. Më intereson humanizimi i humanizmit, përmasa njerëzore e njerëzimit. Sepse është edhe pasioni i madh i Zotit”.
Arti nuk i vë në gjumë ndërgjegjet, por i mban zgjuar
Ashtu si feja - kujtoi Papa Françesku - edhe arti është pakëz shqetësues. Arti dhe feja nuk mund t'i lënë gjërat ashtu siç janë: i ndryshojnë, i transformojnë, i konvertojnë, i lëvizin:
“Arti nuk mund të jetë kurrë anestezi; të jep qetësi, por nuk i vë në gjumë ndërgjegjet, i mban zgjuar. Ju artistët shpesh përpiqeni të hetoni edhe nëntokën e gjendjes njerëzore, humnerat, pjesët e errëta”.
Sepse “është e nevojshme të hidhet drita e shpresës në terrinat e njerëzimit, në individualizmin dhe indiferencën. Na ndihmoni ta shohim dritën, bukurinë që shpëton”. Arti “prek shqisat, për të gjallëruar shpirtin! E këtë e bën përmes bukurisë”, vijoi Papa:
“Në takimin me bukurinë e vërtetë, ne fillojmë të ndjejmë mallin për Zotin. Shumëkush shpreson që arti të takohet më shpesh me bukurinë. Natyrisht, siç po thosha, ka edhe bukuri të kotë, bukuri artificiale, të cekët, madje edhe mashtruese, bukuri truku”.
Kriteri për të zbuluar bukurinë e vërtetë është harmonia
Por kriteri i rëndësishëm për të dalluar bukurinë e vërtetë - nënvizoi Françesku - është “ai i harmonisë”:
“Është Shpirti, ai që krijon harmoninë. E artisti e ka diçka nga ky Shpirt, për të krijuar harmoni. Është përmasë njerëzore e shpirtërores. E bukuria e vërtetë është pasqyrim i harmonisë”.
Gjë e vështirë, të cilën vetëm Shpirti mund ta bëjë të mundur: që dallimet të mos bëhen konflikte, por larmi, të cilat integrohen; e në të njëjtën kohë, që uniteti të mos jetë uniformitet. Harmonia i bën këto mrekulli, si ndër Rrëshajë.
Kemi nevojë që harmonia ta banojë më shumë botën
“Harmonia është diçka tjetër, në krahasim me ekuilibrin”- nënvizoi Papa - E ky është mesazh shumë aktual, “në një kohë kolonizimi ideologjik mediatik, përplot me konflikte të rënda; globalizimi homogjenizues bashkëjeton me shumë lokalizma të mbyllura”. Është rreziku i kohës sonë, nga i cili “mund të preket edhe Kisha”. Sepse “konflikti mund të veprojë me pamjen e shtirë të unitetit; pra me ndarjet, fraksionet, narcizmat”:
“Ne kemi nevojë që parimi i harmonisë të banojë më shumë në botën tonë e ta dëbojë uniformitetin. Ju artistë mund të na ndihmoni për t'i lënë vend Shpirtit”.
Mos i harroni të varfërit, jepini zë thirrjes së tyre të heshtur
Vepra e Shpirtit - kujtoi Papa Françesku - "është të krijojë harmoninë e larmive, jo t'i shkatërrojë, jo t'i standardizojë, por t'i harmonizojë". Ndërsa “bukuria është ajo vepër e Shpirtit, që krijon harmoni. Vëllezër dhe motra, uroj që gjenia juaj të ecë në këtë rrugë!”.
E para se t’i përshëndeste një nga një artistët e pranishëm, Papa u kërkoi “të mos i harrojnë të varfërit, të preferuarit e Krishtit”, sepse “edhe ata kanë nevojë për art e për bukuri”. Disa provojnë forma shumë të ashpra të përjashtimit nga jeta; ndaj kanë më shumë nevojë”. E ju, artistët, “mund të bëheni interpretë të klithmës së tyre të heshtur”.