Papa: 40 ditë para DBR-së. Ndokush mendon se s’mund të nisem, por unë do të jem me ju
R.SH. – Vatikan
“Disa mendojnë se, për shkak të sëmundjes, nuk mund të shkoj, por doktori më tha se mundem, kështu që do të jem me ju. Përpara rini!”. Në ditën kur, gjatë audiencës me Roaco-n, foli për vështirësitë në frymëmarrje, që rrjedhin nga operacioni i fundit, Papa u dërgon një videomesazh djemve dhe vajzave nga çdo kontinent, që do të mblidhen nga 1 deri më 6 gusht në Lisbonë, për Ditën Botërore të Rinisë, duke i siguruar për praninë e tij. Françesku tregon çantën e shpinës gri me gjërat, që do t’u shpërndahen shtegtarëve e vë në dukje:
“Kanë mbetur edhe 40 ditë para takimit në Lisbonë, si Krezhmët. Jam gati! Tashmë kam gjithçka, mezi pres të shkoj!”.
Lutuni për ata, që e reduktojnë jetën në ide
Papa u flet të rinjve - si atyre të zënë me përgatitjen për udhëtimin ashtu edhe atyre, që do ta ndjekin takimin botëror në distancë - në videomesazhin e regjistruar sot, 22 qershor, nga ipeshkvi-ndihmës i Lisbonës, imzot Américo Manuel Alves Aguiar, president i Fondacionit DBR. Nga organizatorët e Ditës Botërore janë publikuar dy video: njëri u drejtohet pjesëmarrësve, tjetri atyre që prej muajsh po merren me organizimin, pritjen dhe strehimin e shtegtarëve.
“Përpara rini!”, inkurajon Papa në videon e parë, duke shtuar: “Mos i dëgjoni ata, që e reduktojnë jetën në ide. Të mjerët! E kanë humbur gëzimin e jetës dhe gëzimin e takimit. Lutuni për ta”.
Tri gjuhët
Françesku u kërkon të rinjve, siç bën shpesh, të përdorin në jetë të “tria gjuhët”: “atë të kokës, atë të zemrës dhe gjuhën e duarve”.
“Gjuhën e kokës, për të menduar qartë çka ndiejmë dhe çka bëjmë. Gjuhën e zemrës, për ta ndierë mirë e thellë çka mendojmë e çka bëjmë. Gjuhën e duarve për të realizuar çka ndiejmë dhe çka mendojmë”.
"Përpara me guxim. Shihemi në Lisbonë!": kjo, përshëndetja e fundit e Papës në videon e parë.
Falënderimi për “punëtorët"
Duke folur, në një tjetër videomesazh për "trabalhadores", "punëtorët" e DBR-së, Ati i Shenjtë shpreh mirënjohjen e tij: “Faleminderit. E di që po kaloni orë e orë pune për ta mundësuar gjithçka... E, më e vështira do të vijë më vonë, kur gjatë Ditës Botërore do t'ju duhet të mirëmbani strukturat e rendit, shëndetit, ushqimit, pastërtisë, kaq shumë gjëra të nevojshme. Ju nuk dukeni si protagonistë të DBR-së, por e bëni atë të mundur”. “Faleminderit – përsërit Papa – edhe që nuk josheni nga ‘këngët e sirenave’. E vetmja gjë, që dinë të bëjnë, është të kritikojnë të tjerët, por nuk janë në gjendje të paraqesin një projekt të vlefshëm”.
Papa Françesku, siç ka konfirmuar tashmë Salla e Shtypit e Vatikanit, do të jetë në Lisbonë nga data 2 deri më 6 gusht. Në datën 5, do të shkojë në shenjtëroren e Fatimës, ku ka qenë edhe në vitin 2017. Pikërisht sot, Ati i Shenjtë njohu virtytet heroike të motër Lucia dos Santos, rojtare e "Sekretit të Tretë" të Fatimës, që vdiq në vitin 2005.