Operacioni i pësuar nga Papa në vitin 1980, në origjinën e ndërhyrjes së fundit
R. SH. - Vatikan
Në informacionin e hollësishëm dhënë gazetarëve të mërkurën, më 7 qershor, në përfundim të operacionit, profesor Sergio Alfieri, kirurgu që operoi Papën për herë të dytë në Poliklinikën Gemelli, shpjegoi origjinën e "hernies dhe ngjitjeve, që shkaktuan dhimbjen dhe bezdinë e Franceskut. Alfieri shpjegon se është formuar "në lidhje me plagët e operacioneve të mëparshme kirurgjikale të viteve të kaluara". Për të shtuar, më pas, se “Ati i Shenjtë qe operuar në Argjentinë për peritonit, një lloj kolecistiti gangrenoz” mbi të cilin ishte një hernie incizionale”. Mjeku përmendi edhe një operacion më të vjetër, “një çist ekinokoku”, domethënë një operacion në mushkëri, blana e kraharorit e të cilit nuk lidhet drejtpërdrejt me problemet e fundit, por megjithatë ka ndikuar në ndryshimin e dinamikës funksionale të murit të barkut.
Jorge Mario Bergoglio deri më sot i është nënshtruar katër operacioneve: dy kur ishte meshtar në Argjentinë (1957 dhe 1980) dhe dy tashti që është Papë. Të fundmit, në Gemelli: një për heqjen e një pjese të zorrëve me divertikulë në korrik 2021 dhe një, të mërkurën e kaluar. Nga fjalët e kirurgut është e qartë se hernia incizionale (që krijohet nga një operacion i mëparshëm) nuk lidhej fare me operacionin e bërë para dy vjetëve në një zonë tjetër të zorrëve, por me operacionet e mëparshme.
Pas këtij shpjegimi, mjeku që operoi Papën, pohon: "Tani është mirë e plot gjallëri. Aq sa bëri edhe shakanë e parë".
Me sëmundjet e kaluara nga Françesku, na njeh mjeku dhe gazetari Nelson Castro në librin e fundit, titulluar "Shëndeti i Papëve" (botimet Piemme), intervistë me Françeskun për historinë e tij klinike.
Bisedë me Papën, për shëndetin
Në intervistën dhënë në vitin 2019 për një shkrim të Nelson Castro-s, botuar në La Nación, Papa përshkruan operacionin në mushkëri, ankthin në periudhën e diktaturës, kur fshihte të persekutuarit, treguar psikiatres që e ndihmonte me testet për novicët.
Françesku pohon se ndjehet fare mirë e plot energji, ndaj e falënderon me gjithë zemër Zotin. Kujton “çastin e vështirë” kur iu desh të hiqte lobin e sipërm të mushkërisë së djathtë, për shkak të tre çisteve. “Kur u zgjova, pas anestezisë, pata ndjerë një dhembje gati të padurueshme. Po nuk u shqetësova. Kisha gjithnjë bindjen se do të shërohesha”.
Në vijim Papa kujton se shërimi qe i plotë: “Nuk e ndejva kurrë nevojën për ndonjë kufizim në veprimtaritë e mia”. Edhe gjatë shtegtimeve të ndryshme ndërkombëtare - shpjegon - nuk pata kurrë nevojë të kufizoj a të shlyej ndonjë nga veprimtaritë e programuara. Nuk kam ndjerë kurrë lodhje a vështirësi në frymëmarje (dispnea). Siç më kanë shpjeguar mjekët, mushkëria e djathtë është zgjeruar dhe e ka mbushur gjithë vendin e mbetur bosh.
Gazetari e pyet Papën nëse ka qenë psikanalizuar ndonjë herë. Kur isha provincial i Jezuitëve - gjegjet Papa - gjatë ditëve të tmerrshme të diktaturës, m’u desh të mbart klandestinë, që duhet të iknin nga vendi për të shpëtuar jetën. Jetova situata, që nuk e dija si do të përfundonin. Atëhere shkova tek një zonjë - një grua e madhe - e cila më ndihmoi të lexoja ca teste psikologjike për novicët. Kështu, për gjashtë muaj, u këshillova me të një herë në javë. Ishte psikiatre: “Gjatë atyre gjashtë muajve, më ndihmoi të orientohem për t’i bërë ballë frikës së atyre kohëve. Përfytyrojeni ç’do të thotë të transportosh një njeri të fshehur në auto - të mbuluar vetëm me një mbulesë - e të kalosh me të tre post-blloqe ushtarakësh në zonën e Campo de Mayo. Në ato çaste tensioni im arrinte kulmin.
Në vijim Papa shton se biseda me psikiatren e ndihmoi edhe për të mposhtur ankthin, kur i duhej të merrte vendime të ngutshme. Flet për rëndësinë që ka për priftin studimi i psikologjisë: “Jam i bindur se çdo prift duhet ta njohë psikologjinë njerëzore”.
Kujton, më pas, neurozat: “Për neurozat duhet përgatitur mate. E jo vetëm kaq, duhet t’i ledhatosh. Janë shoqe udhe për njeriun, gjatë gjithë jetës. Françesku, siç e pati përmendur edhe një herë tjetër, kujton se pati lexuar një libër, tekst interesant, që e pati bërë të qeshë me gjithë shpirt. Titullohej “Rejoice in Being Neurotic”(Gëzohuni që jeni neurotik) shkruar nga psikiatri amerikan Louis E. Bisch: “Ka shumë rëndësi ta dish ku kërcëllojnë kockat. Ku e si janë sëmundjet tona shpirtërore. Me kohë mësohesh t’i pranosh neurozat tuaja”.
Françesku kujton edhe ankthin, që lind nga dëshira për të bërë gjithçka e menjëherë. Citon fjalën e urtë, të cilën mendohet ta ketë thënë Napoleon Bonaparti: “Më vishni ngadalë, se kam shumë ngut”. Shprehja të kujton nevojën për ta ngadalësuar ritmin. Një nga metodat, për Papën, është të dëgjojë muzikën e Bach: “Më qetëson e më ndihmon t’i analizoj më mirë problemet”- kujton. Në përfundim të intervistës, gazetari i drejton një pyetje të vështirë: “Çka mendon për vdekjen dhe a ka frikë prej saj?”. “Jo, aspak!”. E si e përfytyroni vdekjen tuaj? “Si Papë, në detyrë ose nderi! E në Romë. Nuk do të kthehem në Argjentinë!”.