Kërko

#NotAlone, në Shën Pjetër, dëshmia e një bote që beson në vëllazërinë

Nesër, nga ora 16:00, një lidhje e gjatë televizive me të ftuar, muzikë dhe dëshmi si dhe prania e 30 fituesve të çmimit Nobel do të hapë Takimin e parë Botëror "KurrëVetëm" për ta bërë të dukshme dhe frymëzuese ëndrrën e Papës Françesku: atë të një familjeje njerëzore globale, të lidhur nga marrëdhëniet e dialogut, solidaritetit dhe të drejtësisë.

R. SH. - Vatikan

Ngjarje e dëshiruar dhe e shumëpritur nga Françesku, ajo që do të jetohet  nesër në Sheshin e Shën Pjetrit, duke nisur nga ora 16:00, me hyrje të lirë të të gjithë atyre, që dëshirojnë të marrin pjesë. Do të nisë që në mëngjes me takime, në praninë e rreth 30 Çmimeve Nobel për Paqen së bashku me botën e të rinjve, shoqatat dhe sektorin e vullnetariatit, për të kuptuar se çfarë lloj bote mund të ndërtohet kur njeriu frymëzohet nga ideja e vëllazërisë, e shprehur në Enciklikën Fratelli tutti. Shtatëdhjetë e gjashtë sigla të pranishme: nga Lëvizja e Punëtorëve të Krishterë, te Urdhri Laik Françeskan; nga Coldiretti, te Kooperativa Auxilium… Takimi Botëror për Vëllazërinë Njerëzore "Not Alone" dëshiron të jetohet ëndrra e Françeskut për vëllazërim. Por ndërkaq do të jetë dhe një mënyrë për të qenë pranë e për t'u lutur për Atin e Shenjtë, që pritej të ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

Puna në vijim, në Via della Conciliazione për ngritjen e stendave të Coldiretti-t
Puna në vijim, në Via della Conciliazione për ngritjen e stendave të Coldiretti-t

Lidhja e tetë shesheve të botës

Sheshi i Shën Pjetrit "një vend që do të hapet gjithnjë e më shumë për botën, që ta shndërrojë", sipas Atë Francesco Occhetta-s, sekretar i përgjithshëm i Fondacionit Fratelli tutti, organizator i Takimit - në bashkëpunim me Bazilikën e Shën Pjetrit, Dikasterin e shërbimit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe Dikasterin për komunikim - do të jetë qendra e ngjarjes e cila, gjithsesi, do të ketë përmasë globale: tetë sheshe do të lidhen drejtpërdrejt në televizion, në mënyrë që vendet e ndryshme të planetit të mund ta jetojnë së bashku përvojën e vëllazërisë: nga Trapani, për Italinë, në Kongo (Brazzaville), në Republikën e Afrikës Qendrore (Bangui), Etiopi, Argjentinë (Buenos Aires), Izrael (Jerusalem), Japoni (Nagasaki), deri në Peru (Lima). Krahas dëshmitarëve të vëllazërisë dhe artistëve si Andrea Bocelli, Al Bano, Amara, Roberto Bolle, Giovanni Caccamo, Cristicchi, Hauser, Carly Paoli, Kori i Vogël i Antonianos, Mr. Rain, Amii Stewart dhe Paolo Vallesi, të paraqitur nga Carlo Conti, do të jenë të pranishme edhe familjet dhe shoqatat, së bashku me ata që jetojnë në skajet e skutat e shoqërisë, të varfërit dhe të pastrehët e deri te migrantët dhe viktimat e dhunës dhe trafikimit të njerëzve.

Puna në vijim, në Via della Conciliazione për ngritjen e stendave të Coldiretti-t
Puna në vijim, në Via della Conciliazione për ngritjen e stendave të Coldiretti-t

Shtrëngim duarsh: një djalë rus me një ukrainas

Djem dhe vajza nga e gjithë bota do të lidhin duart për ta shndërruar përqafimin e kolonatit të Berninit në simbol konkret të vëllazërisë. Një gjest, bëjnë të ditur organizatorët, i propozuar nga filantropisti argjentinas Alejandro Roemmers. E, në një kohë kur po përjetojmë dramën e luftës së re në Evropë, "dy të rinj - një ukrainas dhe një rus - sipas asaj që deklaroi kardinali Mauro Gambetti, vikar i Papës për Qytetin e Vatikanit dhe president i Fratelli tutti - do të shtrëngojnë duart që të shprehin dëshirën e gjithë njerëzimit për paqe”. Në fund të takimit do të nënshkruhet "Deklarata e vëllazërisë" për t'i përsëritur botës  britmën "jo luftës" të Kishës, që predikon dialogun e paqen.

Punimet në vazhdim për ngjarjen "Kurrë vetëm”
Punimet në vazhdim për ngjarjen "Kurrë vetëm”

Program artistik deri në orën 22.00

Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt në televizion në Vatican Media e, në të gjithë botën, në Rai 1 nga ora 17 deri në 18:45. Por edhe në streaming të Fondacionit dhe në kanalet Facebook dhe YouTube. E, për ata që do të jenë në Sheshin e Shën Pjetrit, planifikohet hyrja nga ora 14.00, ndërsa në rrethinat festa do të zgjasë deri në mbrëmje. Nga ora 20.45 deri në orën 22.00, cirku dhe artistët e rrugës do të japin shfaqje në shesh, mes njerëzve. Në tezgat e shumta që po ngrihen përgjatë Rrugës së Pajtimit - mes kureshtjes së turistëve të shumtë që shikojnë, e dikush pyet "por kur do të hapet"? - Coldiretti do të ofrojë ushqim nga fshati italian në shenjë ndarjeje dhe vëllazërimi. Fondacioni Campagna Amica, i përfshirë në festë, e përmbledh angazhimin në parullën: "Bujqësia është përfshirje, solidaritet, vëllazëri". Të gjithë pjesëmarrësve në ngjarje do t'u jepet një grusht me dhe dhe një farë për të mbjellur e për të rritur bimën e vëllazërimit me angazhimin për ta sjellë lulen që do të çelë në takimin e vitit të ardhshëm. Në fakt, ndërmjet figurave, që formojnë sfondin e së shtunës është edhe kopshti, simbol i Tokës që gratë dhe burrat janë thirrur ta popullojnë, ta ujitin, ta banojnë dhe ta mbrojnë.

09 qershor 2023, 16:05