Në korrik ndërpriten të gjitha audiencat e Papës për pushimet verore
R.SH. – Vatikan
Siç është zakon gjatë verës, nga 1 korriku e deri në fund të muajit do të pezullohen të gjitha audiencat e Papës Françesku: ato të përgjithshme, të mërkurave, si edhe ato të veçanta. Njoftimin e jep Prefektura e Shtëpisë Papnore, duke bërë të ditur se të gjitha audiencat do të rifillojnë në muajin gusht, me audiencën e parë të përgjithshme ditën e mërkurë, 9 gusht. Vërtet, javën e parë të muajit të fundit të verës, Ati i Shenjtë do të shkojë në Lisbonë për të kremtuar Ditën Botërore të Rinisë me të rinjtë, që do të mblidhen në kryeqytetin e Portugalisë nga të gjitha kontinentet.
Ndërkaq, audienca e përgjithshme që do të mbahet nesër, e mërkurë, 28 qershor, në Sheshin e Shën Pjetrit, do të jetë e fundit para pushimeve verore. Por, do të jetë edhe e para pas shtrimit të Papës në Poliklinikën Gemelli për një operacion në bark. Kujtojmë se takimi me besimtarët, të mërkurën e kaluar, më 21 qershor, nuk u bë për t’i lejuar Françeskut ta merrte veten pas operacionit, siç nënvizoi zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.