Në Gemelli, Papa Françesku e kremtoi privatisht Lutjen e Engjëllit
R. SH. - Vatikan
“Gjendja pasoperative e Papës Françesku është e rregullt” - kështu u shpreh drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. Mjekët njoftojnë se “Ati i Shenjtë vazhdon të jetë pa ethe dhe hemodinamikisht normal; i nënshtrohet fizioterapisë respiratore dhe vijon të mobilizohet”.
Gjatë paradites, Papa Françesku ndoqi drejtpërdrejt në televizion Meshën Shenjte dhe mori Kungimin. Më pas shkoi në kapelën e vogël të banesës private, ku u gjunjëzua në lutje. Ishte Lutja e Engjëllit, që sot po e kremtonte në këtë mënyrë kaq të jashtëzakonshme! Më pas drekoi bashkë me ata që e ka pranë në këto ditë shtrimi në spital (mjekë, ndihmës shëndetësorë, infermierë, personel i Korpusit të Xhandarmërisë).
Dje, ftesa për t'u takuar shpirtërisht në lutjen e Engjëllit me dashuri dhe mirënjohje. Profesor Sergio Alfieri, drejtor i Departamentit të Shkencave Mjekësore dhe Kirurgjike Metabolike Abdominale dhe Endokrine, në raportin e djeshëm për gjendjen e Papës, ripërsëriti rëndësinë e rekuperimit të kujdesshëm, që synon reduktimin e përpjekjes së murit të barkut.
Më 4 korrik 2021, 7 ditë pas operacionit për heqjen e një pjese të zorrëve me divertikula, Françesku pati dalë në dritaren e spitalit për ta kremtuar lutjen e Engjëllit, por asokohe kishte kaluar një javë. "Në këtë rast – pohoi Prof. Alfieri – Papa e pranoi këshillën e mjekëve për të pushuar dhe për të mos iu nënshtruar përpjekjeve të mëtejshme, që mund t’i rrezikojnë rrjetën protetike dhe riparimin e fashës muskulare, që duhet shëruar plotësisht”.