Kush është artist, sipas Papës…
R. SH. - Vatikan
Po, artisti është fëmijë – e kjo nuk duhet të tingëllojë si fyerje! Kjo do të thotë se lëviz pa pushim në të gjithë hapësirën e shpikjes, të risisë, të krijimit. E krijon në botë e për botën diçka të re, që nuk është parë kurrë ashtu si e pa ai. Duke vepruar kështu, e hedh poshtë idenë se njeriu lindi vetëm për të vdekur!
Njeriu duhet t’i bëjë mirë llogaritë me vdekjen. Kjo është e vërtetë! Po ndërkaq nuk është aspak e vërtetë se vjen në botë vetëm për të vdekur! Historia e njerëzimit e vërteton se vjen edhe për të jetuar në amshim, duke sjellë një mori risish, që e vulosin emrin e tij në rruzullim! Për këtë vjen në botë: të sjellë të renë!
Edhe në fekonditetin natyror çdo bir a bijë janë risi! I hapin portat së resë.
Kështu ia tregojnë Artistët botës origjinalitetin. Mbeten të gjallë në veprat e tyre, të papërsëritshëm, duke nxitur njerëzimin ta vijojë krijimin. Të shtojë gjithnjë vepra të reja. Të bëjë një hap para në rrugën e njerëzmit!
Papa i fton pikërisht për këtë, për të krijuar gjithnjë më shumë, për të nxjerrë në dritë të paparën e të padëgjuarën. Për ta stolisur botën me realitete të reja, të panjohura. Mjafton të mendojmë për fjalët që i lexojmë në Librin e Izaisë profet, kur Zoti thotë:
Ja, po bëj një gjë të re:
tani po lind! A s’po e shihni?
Ja, po hap udhën në shkretëtirë,
e shtigje në vend të shkretë,
egërsirat do të më japin lavdi
çakajt edhe strucat,
se u dhurova ujë në shkretëtirë,
lumenj në vend të shkretë,
që t’i jap ujë popullit, të zgjedhurit tim,
popullit që e trajtova për vete
e që mua do të më japë lavdi.
E në Librin e Zbulesës (21,5), pohohet: “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet!” (21,5).
E njeriut i duket se artisti krijon me atë pasion, që krijoi vetë Zoti!
Artistët janë aleatë të ëndrrës së Zotit. Sy, që shikojnë e ëndërrojnë! Thoshte një shkrimtar latinoamerikan se ne, njerëzit, kemi dy sy: një për të parë çka jetojmë, e një tjetër për të parë çka ëndërrojmë. E kur njeriu nuk i ka të dy sytë, ai shikon herë me njerin e herë me tjetrin, i mungon diçka tejet e rëndësishme. Duam të shohim, atë që ëndërrojmë, …
Për të krijuar artistit nuk i mjafton vetëm të shikojë, duhet edhe të ëndërrojë,
Ne qeniet njerëzore dëshirojmë me gjithë shpirt një botë, që nuk e shohim plotësisht me sytë tanë, ndonëse e dëshirojmë, e kërkojmë, e ëndërrojmë. Të gjithë. E sidomos, artistët…