Korpi i Krishtit: Eukaristia, thirrje për epërsinë e Zotit dhe dashurinë e vëllezërve
R. SH. - Vatikan
"Eukaristia na kujton epërsinë e Zotit dhe dashurinë e vëllezërve. Kjo Bukë është personifikim i Sakramentit të dashurisë. Është Krishti, ai që dhurohet dhe thyhet për ne e na kërkon të bëjmë të njëjtën gjë: ta shndërrojmë jetën tonë në bukë, që u shuan urinë vëllezërve”. Papa Françesku, i shtruar në Poliklinikën Gemelli, ku po shërohet pas operacionit të së mërkurës, e publikoi këtë tweet në faqen e tij të internetit @Pontifex, në solemnitetin e Korpit e Gjakut të Shenjtnueshëm të Jezu Krishtit. Në këtë ditë kumbojnë fuqimisht fjalët e thëna nga Papa gjatë papnisë së tij, me rastin e festës së Corpus Domini.
Të thirrur për të dalë!
Në Meshën Shenjte të 6 qershorit 2021, Papa Françesku pati theksuar edhe një karakteristikë tjetër të kësaj feste:
"Procesioni me të Shenjtnueshmin Sakrament na kujton se jemi thirrur të dalim me Jezusin. Të dalim me entuziazëm, duke e çuar Krishtin tek ata që takojmë në jetën e perditshme. E të bëhemi, kështu, kishë me një broke në dorë, enë që të zgjon etjen dhe të sjell ujin. T’i hapim zemrat tona për dashurinë, për të qenë salla e gjerë dhe mikpritëse, ku mund të hyjnë të gjithë për të takuar Zotin”.
Mos harroni!
Në kremtimin e solemnitetit të Korpit dhe të Gjakut të Krishtit më 14 qershor 2020, Françesku pati theksuar se është themelore “t’i kujtojmë të mirat që morëm". "Me Eukaristinë Zoti shëron edhe kujtesën tonë plot ligësi, atë ligësi që na hyn aq shpesh në zemra". “Zoti - shton Papa - e di se e keqja dhe mëkatet nuk janë identiteti ynë; janë sëmundje, infektime. E mund të mjekohen me Eukaristinë, që përmban antikorpet për kujtesën tonë të sëmurë nga e keqja”.
Pranoje Bukën e Jezusit
Fjala e Zotit ndihmon për të rizbuluar dy folje themelore për jetën e përditshme: të thuash dhe të japësh. Papa e pati nënvizuar këtë në Meshën e 23 qershorit 2019, duke kujtuar se Eukaristia është “Buka e udhës”, “Buka e Jezusit”. “Nëse e mirëpresim me zemër, kjo bukë do të çlirojë fuqinë e dashurisë brenda nesh: do të ndihemi të bekuar e të dashur dhe do të dëshirojmë të bekojmë dhe të duam, duke filluar që këtu, që nga qyteti ynë, nga rrugët ku do të shkelim sonte. Zoti vjen në rrugët tona për të thënë fjalë të mira për ne, për të na dhënë guxim”.