Kërko

Delegacioni i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës Delegacioni i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës 

Françesku: të krishterët, së bashku për një paqe të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë

Delegacionit të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, të pritur në audiencë, Papa i dorëzoi fjalimin, në të cilin shpreh sigurinë se "të krishterët do të punojnë në bashkim reciprok e do ta ndihmojnë botën plot përçarje dhe mosmarrëveshje". Gëzim për rezultatet e komisionit të përbashkët ndërkombëtar të dialogut teologjik të Kishës Katolike me atë Ortodokse.

R. SH. - Vatikan

Lufta në Ukrainë tregon se të gjitha luftërat janë fatkeqësi "për popujt dhe familjet, për fëmijët dhe të moshuarit, për njerëzit e detyruar të largohen nga vendet e tyre, për qytetet dhe fshatrat, për krijimin". Fatkeqësi, siç ishte "shkatërrimi i digës Nova Kakhovka”. Françesku e jeton shqetësimin e tij për popullin ukrainas me anëtarët e Delegacionit të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, të pritur sot në audiencë. Erdhën në Romë për të marrë pjesë në kremtimin e Shën Pjetrit dhe Shën Palit, më 29 qershor, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Vizitë reciproke e përvitshme, që shkëmbehet më 30 nëntor në Stamboll, në kremtimin e Shën Andreut. Vëllezërve të Patriarkanës, të cilëve iu drejtohet fjalimi, Françesku u kërkon përpjekje të përbashkëta për të siguruar paqen:

“Si dishepuj të Krishtit, ne nuk mund t’i dorëzohemi luftës, por kemi detyrën të punojmë së bashku për paqen. Realiteti tragjik i kësaj lufte që duket se nuk ka fund, kërkon nga të gjithë përpjekje të përbashkët krijuese për të imagjinuar dhe për të zbatuar shtigjet e paqes, një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Sigurisht, paqja nuk është realitet që mund ta arrijmë vetë, por mbi të gjitha është dhuratë nga Zoti. Megjithatë, është dhuratë, që kërkon qëndrimin përkatës nga ana e njeriut e, mbi të gjitha, e besimtarit, i cili duhet të marrë pjesë në veprën paqebërëse të Zotit”.

Të krishterët të ndihmojnë një botë të ndarë

Ungjilli - shton Françesku - u tregon të krishterëve se paqja "nuk vjen thjesht nga mungesa e luftës, por lind nga zemra e njeriut":

“Çka e pengon, në fund të fundit, është rrënja e keqe që kemi brenda vetes: pasja, vullneti për të mbrojtur me egoizëm interesat tona, në nivel personal, komunitar, kombëtar e madje edhe fetar”.

Dashuria e Zotit i bën të pendohen zemrat, e i rinon. "Është dashuri e lirë" - theksoi Françesku - "nuk kufizohet nga grupi", por duhet shpallur, ashtu si duhet t'i dëshmohet Jezusi botës:

“Mbylljeve dhe egoizmave duhet t'u kundërvihet stili i Zotit i cili, siç na mëson Krishti me shembullin e vet, është shërbimi dhe vetëmohimi. Ne mund të jemi të sigurt se, duke e mishëruar atë, të krishterët do të rriten në bashkësi të ndërsjellë dhe do të ndihmojnë botën, e përshkuar nga përçarjet dhe mosmarrëveshjet”.

Përparimi i dialogut katolik-ortodoks

Françesku e takoi me gëzim delegacionin e Patriarkanës Ekumenike, të kryesuar nga Metropoliti i Pisidias Job, bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse, i shoqëruar nga peshkopi i Nazianzus, Athenagoras dhe djakoni patriarkal Kallinikos Chasapis. Në fjalën e tij, Papa shprehu kënaqësinë për rezultatet e seancës së pesëmbëdhjetë plenare të komisionit të përbashkët ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse, pasi "një lexim i përbashkët i mënyrës në të cilën marrëdhënia ndërmjet sinodalitetit dhe epërsisë në mijëvjeçarin e dytë" mund të kontribuojë "për kapërcimin e argumenteve polemike të përdorura nga të dyja palët" të cilat, në vend që të "forcojnë identitetet e tyre përkatëse", përfundojnë "duke përqendruar vëmendjen vetëm te vetvetja dhe tek e kaluara":

“Sot, duke pasur parasysh mësimet e historisë, jemi të thirrur të kërkojmë së bashku një mënyrë për të ushtruar parinë, e cila, në kuadrin e sinodalitetit, është në shërbim të bashkimit të Kishës në nivel universal”.

Megjithatë, duhet nisur nga supozimi sipas të cilit - saktëson Papa - “nuk është e mundur të mendohet se të njëjtat privilegje, që ka ipeshkvi i Romës në lidhje me dioqezën e tij dhe me bashkësinë, mund të shtrihen edhe në bashkësitë ortodokse”.

“Kur, me ndihmë të Zotit, do të jemi plotësisht të bashkuar në fe dhe në dashuri, mënyra me të cilën ipeshkvi i Romës do të ushtrojë shërbimin e tij të bashkimit në Kishë në nivel universal, duhet të jetë pasojë e një marrëdhënieje të pandashme ndërmjet epërsisë dhe sinodalitetit”.

Rruga drejt bashkimit

Uniteti i plotë do të jetë dhuratë e Shpirtit Shenjt - lexohet akoma – e pikërisht nga Shpirti Shenjt duhet kërkuar:

“Sepse bashkimi i besimtarëve nuk është çështje dorëzimi dhe kompromisi, por dashurie vëllazërore, dashuri e vëllezërve që e dinë se janë bij të dashur të Atit dhe, të mbushur me Shpirtin e Krishtit, dinë t'i përfshijnë dallimet e tyre në një kontekst më të gjerë. Ky është këndvështrimi i Shpirtit Shenjt, që i harmonizon dallimet, pa i sheshuar realitetet”.

 Françesku, i cili përmes Delegacionit i dërgon përshëndetjet e tij "vëllait të dashur Bartolomeut dhe të gjithë peshkopëve të Patriarkanës Ekumenike", uron që takimi "të jetë hap i mëtejshëm në rrugën drejt unitetit të dukshëm në besim dhe në dashuri".

30 qershor 2023, 12:38