Françesku ia beson Shën Luigj Gonzagës të rinjtë e botës
R. SH. - Vatikan
Fëmija-ushtar është një nga ikonat e padenjësisë njerëzore për botën e sotme të qytetëruar. Të padenja, duart e vogla që shtrëngojnë me nervozizëm hanxharin a pushkën e rëndë, në vend të topit, e stërviten për të therur, për të vrarë, e jo për të luajtur. E pra, rreth 450 vjet më parë na ishte një djalë i vogël, i cili që në moshën 5 vjeçare sillej andej e këndej i lumtur, i mbërthyer në armaturë çeliku e kënaqej me arkebusët dhe bombardat, i prekur thellë nga ndjenja e fuqisë që buronte nga uniforma dhe nga armët, i zhytur në atmosferën e ngarkuar me tensionet e pallatit ku po rritej, atij të babait, markezit Ferrante Gonzaga.
Shpirti dhe shpata
Vitet kalojnë, e djali i vogël, me tru të arta, karakter të çeliktë e natyrë të zjarrtë, cilësi që i ati i priste nga trashëgimtari i përsosur, i aftë për të drejtuar punët e markezatës me ashpërsinë dhe aftësinë politike të imponuar nga roli, lëshon shtat. Megjithatë, nëna e tij, kontesha piemontese Marta di Sàntena, grua me fe të gjallë, i mëson me delikatesë të birit fjalët e shpirtit, ndërsa burri i saj përpiqet t’i ngulisë në mendje kodet e fisnikve- ushtarakë. Çka mbizotëron vrullshëm, duke pasur parasysh rrethanat - grindjet, intrigat, dhunën dhe gjakun - janë gjërat e shpirtit.
Nga luksi, në veladon
Në moshën 10-vjeçare, Luigji nuk ka më asnjë shenjë nga fëmija-ushtar. Ndërsa ishte në Firence, në oborrin e Mediçve ai vendos t'i kushtohet Marisë, "ashtu si Ajo, që ia kushtoi veten Zotit". Me kalimin e kohës nisi të tregojë interes në rritje për lutjen dhe jo më për praktikën e luftës; për varfërinë e zakoneve, e jo për luksin e botës së tij. Derisa ishte ende 18 vjeç - pasi babai i tij e dërgoi nëpër oborret princore italiane me shpresën se ndonjë princeshë do ta shkëpuste nga ato "çudi" - Luigji vendosi të hiqte dorë formalisht nga të drejtat e të parëlindurit. Babai u tërbua nga inati, të afërmit nisën të tallen me të, noteri, që hartoi dokumentin, nuk deshi t’i besonte. I vetmi që fërkonte duart, ishte djali i dytë, Rudolfi, që çuditej e mrekullohej për vendimin e tij, ndonëse Luigj Gonzaga i përgjigjej sinqerisht: “Unë po kërkoj shëlbimin, kërkojeni edhe ju! Nuk mund t'u shërbesh dy zotërinjve... Shumë e vështirë për një zotëri shteti ta shpëtojë veten”. Kështu ishte Luigji, kur u nis për në Romë që të bashkohej me jezuitët.
"Zoti është prehja ime"
Në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit etërit e formimit e kuptojnë menjëherë se Luigji është diamant. Ai lutet dhe pendohet me një thellësi të tillë, saqë, paradoksalisht, për të zbutur entuziazmin, i imponohet pendimi për të mos u penduar. Ose, në kufijtë e humorit, për të kapërcyer migrenat që po e bëjnë të vuajë, i kërkojnë ta dojë Zotin pa "menduar për Zotin" – e kështu, kur rrëfehet, i ankohet rrëfyesit se nuk e di fare nga t’ia mbajë: “Pater rektori ma ndalon lutjen, që të mos i bëj dëm kokës”, por kjo - rrëfen me thjeshtësi, “është bërë një me mua e vetëm aty gjej qetësi e prehje, larg çdo dhimbjeje”.
Në mes të murtajës "si të tjerët"
Në Romë në atë kohë, pas një zije buke, shpërtheu epidemia e tmerrshme e murtajës. Qyteti shndërrohet në ferr, me mijëra të vdekur në kushte të tmerrshme. Jezuitët janë në krye të ndihmës për të prekurit e Luigji nuk përjashtohet prej tyre: ai, fisniku, troket në dyer për të kërkuar lëmoshë, me moton "Si të tjerët" në kokë dhe në zemër. Një ditë ndesh rrugës një të braktisur, viktimë e murtajës. Ndalohet dhe e ngarkon mbi supe për ta çuar në spital. Ndërsa tashmë e kishte marrë sëmundjen. Ishte gjesti i fundit i guximit dhe i bujarisë, që e keqësoi situatën. Pas pak kohe fëmija-ushtar, që mund të bëhej aristokrat i pasur e i pushtetshëm, por që nuk ia ktheu shpinën Jezusit, vdiq në moshën 23-vjeçare, më 21 qershor 1591. Benedikti XIII e shpalli Shenjt në vitin 1729. E emri Luigj u përhap në mbarë botën, për t’i kujtuar njeriut të të gjitha kohërave çka vlen më shumë në jetë!