Falënderimi i Papës - Gemellit: "Atmosfera vëllazërore dhe familjare më ndihmoi të shërohem"
R.SH. - Vatikan
“Në atë vend vuajtjesh, por edhe shprese, pata mundësi të shijoj përsëri një atmosferë familjare, vëllazërore, mikpritëse, e cila më ndihmoi të shërohem shpejt pas operacionit”. Me këto fjalë plot mirënjohjeje të thellë e falënderoi Papa stafin e Poliklinikës Gemelli, që e mjekoi dhe e shoqëroi nga data 7 deri më 16 qershor kur qe shtruar nëntë ditë në spital për operacionin e laparotomisë dhe kirurgjisë plastike të murit të barkut me proteza. Pas kthimit në Shtëpinë e Shën Martës, Françesku i dërgoi një letër avokatit Carlo Fratta Pasini, president i Bordit Drejtues të Fondacionit Poliklinik Gemelli, profesorit Marco Elefanti, drejtor i përgjithshëm i fondacionit, që drejton spitalin dhe rektorit të Universitetit Cattolica, Franco Anelli, përmes së cilës u shprehu "mirënjohjen e përzemërt për kujdesin dhe vëmendjen" e treguar ndaj tij gjatë qëndrimit në spital.
Gëzim dhe emocion
Letra e Papës u lexua me bashkësinë e spitalit nga avokati Pasini dhe nga profesor Elefanti, të cilët më pas shkruan: “Duhet dhe duam të ndajmë me të gjithë ju gëzimin dhe emocionin për fjalët e Atit të Shenjtë, i cili deshi të shprehte mirënjohjen për praninë dhe vëmendjen e treguar ndaj tij gjatë ditëve të shtrimit”.
Afërsia njerëzore dhe shpirtërore
“Mirënjohja ime e përzemërt shprehet për të gjithë bashkësinë e Gemelli-t, për afërsinë njerëzore dhe shpirtërore”, shkruan Papa në letër, duke e siguruar Profesor Elefantin se lutet për të dhe duke ia kërkuar lutjet edhe për vete.
Mirënjohje gjatë shtrimit në spital
Që kur ishte ende i shtruar në spital, Papa deshi t’i falënderonte personalisht të gjithë ata që u kujdesën për të. E dy ditë para daljes "drekoi së bashku me ata, të cilët e ndihmuan që nga dita e shtrimit në spital", siç kujtoi zëdhënësi, Matteo Bruni. Në shenjë falënderimi, Papa e priti të gjithë ekipin operativ të përbërë nga personeli mjekësor, infermierët, punonjësit socialë, shëndetësorë dhe ndihmës”, të cilët nga 7 qershori “koordinuan dhe realizuan me sukeses ndërhyrjen kirurgjike”.
Nuk duhen harruar as fjalët e mirënjohjes që Papa shprehu gjatë vizitës së tij në Repartin e Onkologjisë Pediatrike, në katin e dhjetë, përballë apartamentit privat të Gemelli-t kur, duke takuar personelin shëndetësor, e falënderoi jo vetëm për aftësitë e larta profesionale, por edhe, e sidomos, për “lehtësimin e vuajtjeve të tjetrit, e jo vetëm me ilaçe, por edhe e kryesisht me butësi e humanizëm”.