Kërko

Françesku: Lëvizjet kishtare, pasuri në shërbim të Kishës e të botës

Lëvizjet dhe grupet kishtare janë dhuratë, pasuri për Kishën. Françesku u kushton atyre ndjetin e lutjes për muajin maj dhe u kërkon t'u përgjigjen sfidave dhe ndryshimeve të botës së sotme, duke shmangur çdo tundim për t'u mbyllur në vetvete

R.SH. – Vatikan

         Gjithnjë në lëvizje, në harmoni me Kishën, duke iu përgjigjur “sfidave e ndryshimeve të botës së sotme”, gjithnjë “në shërbim”. Papa Françesku u beson këtë mandat lëvizjeve kishtare, në videon me të cilin paraqet ndjetin e lutjes për muajin maj. Ai i fton lëvizjet dhe grupet kishtare të rizbulojnë misionin e tyre ungjillëzues.

Dëshmoni hijeshinë dhe risinë e Ungjillit

“Lëvizjet kishtare – pohon Ati i Shenjtë në videon e publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës – janë dhuratë, janë pasuri e Kishës! Kështu jeni ju!". Këto lëvizje, vijon Françesku, “e ripërtërijnë Kishën me aftësinë e tyre për dialog në shërbim të misionit ungjillëzues. Zbulojnë çdo ditë, në karizmën e tyre, mënyra të reja për të dëshmuar hijeshinë dhe risinë e Ungjillit”.

Krijimtari, dallime dhe harmoni

Lëvizjet kishtare, shton Papa, flasin gjuhë të ndryshme dhe duken të ndryshme, "por është krijimtaria, që i krijon këto dallime", sepse, në fund të fundit, ato e kuptojnë fort mirë njëra-tjetrën dhe i vënë këto dallime në shërbim të Kishës e të botës. Ati i Shenjtë i nxit të punojnë për ta ruajtur harmoninë kishtare, sepse ajo “është dhuratë e Shpirtit të Shenjtë". Gjithashtu, të jenë gjithnjë "në lëvizje, duke iu përgjigjur impulsit të Shpirtit” për t’i gjetur përgjigje sfidave të kohës.

Papa u kërkon gjithë të krishterëve të luten që lëvizjet e grupet kishtare të zbulojnë ditë për ditë misionin e tyre ungjillëzues, duke i vënë karizmat e tyre në shërbim të nevojave të botës.

Shumëllojshmëria e thirrjeve

Videoja është realizuar në bashkëpunim me Dikasterin vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe tregon pamje nga jeta e shoqatave të besimtarëve dhe e lëvizjeve kishtare. Thirrje të shumta e të ndryshme, por një mision i vetëm: kumtimi i Ungjillit. Nga skautët portugez në shtegtim me kryqin e Ditës Botërore të Rinisë tek neokatekumenalët e impenjuar në ungjillëzim nëpër rrugët e qyteteve amerikane; nga misionarët e shoqatës Shalom në Madagaskar tek ata të lëvizjes “Bashkim e Çlirim” në Filipine; nga veprimtaritë e shoqatës “Horizonte të Reja” krah familjeve të favelave braziliane e deri te bashkësia “Papa Gjoni XXIII” në Kenia; nga impenjimi i bashkësisë së Shën Egjidit në pritjen e refugjatëve nga Libia, ardhur në Itali me korridoret humanitare tek përkushtimi i fokolarinëve në pastrimin e plazheve të ndotura në Azinë Juglindore dhe tek lutja e të rinjve të Lëvizjes Eukaristike Rinore.

“The Pope Video”

Kujtojmë se Videoja e Papës është nismë zyrtare globale për të përhapur ndjetet e lutjes së Atit të Shenjtë për çdo muaj. Që nga viti 2016, “The Pope Video” është parë më se 196 milionë herë në të gjitha rrjetet shoqërore të Vatikanit. Është përkthyer në 23 gjuhë dhe mbulohet nga shtypi në 114 vende.

02 maj 2023, 16:04