Françesku: Ungjilli, përgjigje që i jepet përhumbjes të sotme
R.SH. - Vatikan
Lutja, kumtimi, misioni janë tre “shtigjet” e nevojshme të kujdesit për thirrjet. E kjo është edhe rruga që Papa ia tregoi Familjes Vokacioniste, të cilën e priti sot në Vatikan. Ati i Shenjtë kujtoi shembullin e themeluesit, Shën Giustino Maria Russolillo, apostull i thirrjeve, shpallur shenjt në maj të vitit të kaluar. Falë lutjes - shpjegoi Françesku - bëhemi "pasqyrim i dashurisë së Atit për ata që takojmë udhës". E ky është hapi i parë për thirrjet, për të rinjtë, të cilët mund të "tërhiqen nga rruga që të çon në dhurimin e plotë të vetvetes në duart e Zotit”:
“Thirrjet, posaçërisht ato të kushtimit të veçantë, shpesh lindin në këtë mënyrë, në kontakt me ndonjë prift a ndonjë rregulltare përplot me humanizëm, me qetësi zemre, me gëzim të pamposhtur, me pamje dashamire e mikpritëse. Dhe është lutja ajo, që na bën të tillë. Të mos e shikojmë papërfillshëm!”
Kumtimi për ta komunikuar fenë
Lutjen e shoqëron kumtimi, aspekt po aq i rëndësishëm, që investon “mësimin e katekizmit”. Sot, përballë hutimit të njerëzve, sidomos të të rinjve, të cilët shpeshherë e jetojnë ditën, pa pyetur se më pas vjen një tjetër - shpjegoi Papa - është e nevojshme të rikthehemi te kumtimi i shpalljes, për ta “komunikuar me thjeshtësi e pasion përmbajtjen e fesë”:
“Kisha ka nevojë për këtë: që energjitë e apostullimit tonë të përqendrohen sidomos tek takimi dhe dëgjimi, për t'u shoqëruar edhe me dallimin. Po ju porosis: takojini të gjithë me gëzimin e Ungjillit, ndihmojini njerëzit në shoshitjen shpirtërore, kushtojani gjithë vetveten ungjillëzimit!”.
Mikpritje, dëgjim, afërsi
Së fundi, Papa u ndalua tek fryma misionare, që duhet përtërirë vazhdimisht për të "vënë kështu në qarkullim", si në kishë ashtu edhe në shoqëri, gjithçka "është e dobishme për komunikimin e gëzimit të Ungjillit". Kështu - shpjegoi Françesku - "misioni çohet përpara: duke ju bërë të aftë për të mirëpritur, për të dëgjuar, për të afruar":
“Ju uroj të jeni gjithmonë portë e hapur për të mirëpritur njerëzit dhe për t'u kujdesur për thirrjet; vend lutjeje dhe drite për ata që e kërkojnë; vend ngushëllimi për të plagosurit; ‘dyqan i Shpirtit’ ku kush hyn mund të modelohet nga mjeshtri hyjnor, Shpirti Shenjt”.