Papa pranë katolikëve kinezë. Një mendim i veçantë për barinjtë, që vuajnë!
R.SH. – Vatikan
Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku kujtoi Ditën Botërore të Lutjes për Kishën Katolike në Kinë, në përkim me festën e Marisë, Ndihma e të krishterëve, e nderuar në shenjtëroren e Sheshanit, në Shangai. Foli edhe për afërsinë me besimtarët e vendit aziatik e për shpresën se Ungjilli mund të shpallet “plotësisht e në liri”. Një lutje për Ukrainën e martirizuar: "Vuajnë shumë njerëzit atje..."
“I ftoj të gjithë t’i lartojnë lutje Zotit, që Lajmi i Mirë i Krishtit të kryqëzuar dhe të ringjallur të shpallet në plotësinë, bukurinë dhe lirinë e tij, duke dhënë fryte për të mirën e Kishës Katolike dhe të gjithë shoqërisë kineze”.
Nga Sheshi i Shën Pjetrit, i pushtuar nga rrezet e diellit, së bashku me besimtarët e mbledhur për audiencën e përgjithshme të kësaj të mërkureje, 24 maj – ku ishin të pranishëm edhe kapelanët e bashkësisë katolike kineze në Itali - Papa Françesku pohoi se është pranë të gjithë besimtarëve të vendit aziatik në Ditën Botërore të lutjes për Kishën Katolike në Kinë. Siguroi, më pas, se merr pjesë në "gëzimin" dhe "shpresat" e tyre, por edhe në vuajtjet e "barinjve dhe besimtarëve" dhe shpreson se Ungjilli të mund të shpallet "plotësisht” e " në liri".
Nga Shangai në të gjithë botën
Françesku kujtoi se si Dita Botërore, e kremtuar në kisha dhe shenjtërore në Kinë dhe në mbarë botën, përkon "me festën e Zojës së Bekuar, Ndihma e të krishterëve, e nderuar në shenjtëroren e Zojës së Sheshanit, në Shangai". Ishte Benedikti XVI ai që, me letrën e tij profetike drejtuar katolikëve kinezë në vitin 2007, pati shprehur dëshirën që kujtimi i Virgjërës së nderuar "me aq shumë përkushtim" në shenjtëroren e Shangait të mund të bëhej "për katolikët nga e gjithë bota rast për t'u bashkuar në lutje me Kishën, që është në Kinë”.
“Me këtë rast, ju siguroj se ju kujtoj e edhe se shpreh afërsinë me vëllezërit e motrat tona në Kinë, duke marrë pjesë në gëzimet dhe në shpresat e tyre”.
Pranë atyre që vuajnë
Papa u drejton një "mendim të veçantë" "atyre që vuajnë, barinjve dhe besimtarëve, duke uruar që të gjejnë ngushëllim dhe inkurajim në bashkësinë dhe solidaritetin e Kishës universale".
Lutja për Ukrainën
Të njëjtin ngushëllim që Papa dëshiron për popullin e Ukrainës, ku sulmet vazhdojnë dhe njerëzit jetojnë në vdekje e dëshpërim. “Aty ka shumë vuajtje” – kujton Papa, duke i drejtuar lutjen Marisë, Ndihma e të Krishterëve:
“Akoma vijojmë të ndihemi të gjithë të trishtuar për Ukrainën e martirizuar, ku ka kaq shumë vuajtje… Të mos e harrojmë. I lutemi Marisë Ndihma e të Krishterëve të jetë pranë popullit ukrainas”.