Papa: Motrave të Vogla Misionare të Bamirësisë, jini “samaritane” me të varfrit
R.SH. – Vatikan
“Si nëna, dhurata më e madhe që mund t'u bëni fëmijëve që Zoti ua ka besuar është t'u transmetoni atyre dashurinë tuaj të dhembshur dhe plot pasion për Jezusin, t'i mësoni ta duan dhe ta njohin Atë siç e njihni dhe e doni ju, e t'i bëni pjesëmarrës të fesë tuaj në Të."
Kjo porosia e parë që Papa ua drejtoi sot pjesëmarrëseve të Kapitullit të Përgjithshëm të Motrave të Vogla Misionare të Bamirësisë (Opera don Orione), të cilat i priti sot paradite në audiencë. “Jini pranë vëllezërve”, porosia e dytë e Papës për Motrat Orionine, marrë nga jeta dhe apostullimi i Don Oriones. "Të keni, pra, gjithmonë, misid jush dhe ndaj të tjerëve, një ndjenjë butësie amtare, kurrë ftohtësi, të keni përherë fjalë e gjeste mikpritjeje dhe mirësie!"u tha Françesku:
"Shtëpitë dhe vendet tuaja të shërbimit qofshin të mbushura me ngrohtësinë e dashurisë amtare!", pohoi Papa dhe i ftoi Motrat rregulltare, siç thoshte Don Orione, "të punojnë shumë, të mos kursehen në shërbimin ndaj nevojtarëve": "Shërbejuni të varfërve, të vegjëlve, atyre që vuajnë nga çdo e keqe e dhimbje”, si nëna të mira, me dhembshuri, krijimtari e imagjinatë, me dashuri”.
“Një nënë nuk dorëzohet kurrë përballë nevojave të fëmijëve të saj”, kujtoi Papa Françesku: “Ajo kurrë nuk u kursen atyre vëmendjen, butësinë e madje edhe qortimet e nevojshme; arrin të shpikë zgjidhje dhe gjejë ilaçe të papritura, edhe përballë situatave të vështira ose në momentet e mosmarrëveshjeve me të tjerët: kjo ndodh sepse nëna do, dhe dashuria e bën njeriun të lirë dhe krijues!. Kështu do t'u jepni gëzim e shpresë shumë njerëzve dhe një shembull konkret të një jete të vërtetë, të çmuar veçanërisht për të rinjtë, që shpesh janë të çorientuar nga modelet ekzistenciale të brishta dhe boshe”.