Papa do të marrë pjesë në #NotAlone, takim botëror mbi vëllazërimin njerëzor
R.SH. – Vatikan
Në praninë e Papës Françesku, më 10 qershor, në orën 16.00, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e, njëkohësisht, në tetë sheshe të tjera në mbarë botën, do të mbahet Takimi Botëror për Vëllazërimin Njerëzor, i titulluar "Jo të vetëm" (#notalone). Në shesh, do të vijnë edhe 30 fitues të Çmimit Nobel dhe mijëra të rinj nga e gjithë bota. Veprimtaria organizohet nga Fondacioni vatikanas “Fratelli tutti”, në bashkëpunim me Bazilikën e Shën Pjetrit, Dikasterin për Promovimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor dhe Dikasterin për Komunikimin.
Përqafimi i të rinjve
Nisma, e frymëzuar nga enciklika “Fratelli tutti” - informon një deklaratë e vetë Fondacionit - do të përfshijë njerëz nga e gjithë bota për të promovuar së bashku kulturën e vëllazërimit dhe të paqes, si edhe për të inkurajuar impenjimin personal në favor të korrigjimit të vendimeve të gabuara, në favor të dialogut dhe të faljes, duke kapërcyer vetmitë dhe mënjanimet, që mohojnë dinjitetin njerëzor. Veçanërisht, do të marrë pjesë një përfaqësi ndërkombëtare të rinjsh, të cilët në fund të ditës, kapur dorë për dore, do të bashkohen në një përqafim të madh rreth shtyllave të Sheshit të Shën Pjetrit, që simbolizojnë nga pikëpamja arkitektonike, përqafimin universal të Kishës.
Në shesh, edhe më të mënjanuarit
Me këtë rast, në Sheshin e Shën Pjetrit priten rregulltarë dhe laikë, familje, shoqata, por edhe të mënjanuarit e shoqërisë, nga më të varfërit dhe të pastrehët deri tek emigrantët, viktimat e dhunës dhe të trafikimit të qenieve njerëzore. Falë një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar me Ministrinë Italiane të Arsimit dhe të Meritave, Takimi do të paraqesë edhe punën e kryer muajt e fundit nga shkollat në Itali mbi temën e vëllazërimit.
Impenjimi për vëllazërimin njerëzor
Dita, e konceptuar si përvojë për arritjen e vëllazërimit, do të ndahet në dy faza: paradite, disa grupe do të mblidhen për të përcaktuar udhë bashkimi, të cilat do të përshkruhen shkurtimisht pasdite. Në veçanti, fituesit e çmimit Nobel do të takohen me njëri-tjetrin dhe me personalitete të shkencës, kulturës, ligjit dhe organizatave ndërkombëtare për të hartuar një dokument, që bën thirrje për angazhim në favor të vëllazërimit njerëzor. Ai do t'i paraqitet Papës Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit dhe do t’u drejtohet gjithë njerëzve, të cilët ndihen të thirrur për të kontribuar në arritjen e miqësisë shoqërore dhe të paradigmës së vëllazërimit, drejtësisë e paqes. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt në televizion nga Vatican Media, në faqen e internetit “fondazionefratellitutti.org” dhe në kanalet Facebook e YouTube të këtij Fondacioni.