Papa: bullizmi shkatërron jetën, respektojeni tjetrin ashtu siç është
R.SH. - Vatikan
Mundësia e një udhëtimi në Argjentinë ("vitin e ardhshëm, të shohim nëse mundemi"); dënimi i bullizmit apo i ngacmimit, që "shkatërron" jetën; ftesa për të respektuar çdo njeri "siç është", në "vërtetësinë" e tij; rreziku për “edukimin e çalë” të shumë fëmijëve, që nuk e çojnë deri në fund ciklin shkollor dhe alarmi për përhapjen e pornografisë dhe “komercializimit të dashurisë”, viktima të së cilës janë veçanërisht adoleshentët. E akoma, kujtimi i mëngjeseve të kaluara në shtëpinë e gjyshërve në Buenos Ájres “për të mësuar vlerat” dhe inkurajimi për të dalë nga “krizat” asnjëherë vetëm, por gjithmonë i shoqëruar.
Papa Françesku u përgjigjet pyetjeve të të rinjve dhe të moshuarve nga Amerika Latine, SHBA, Evropa, Amazona kolumbiane, të gjithë anëtarëve të rrjetit të madh të Scholas Occurrentes, organizatë e lindur në 2001 në Argjentinë si përgjigje kulturore dhënë çështjeve politike, ekonomike dhe sociale si dhe krizës së vendit, që më pas u përhap në të gjithë botën, veçanërisht në zonat më të varfra, falë kontributit të kryeipeshkvit të atëhershëm Jorge Mario Bergoglio.
Scholas Occurrentes, ndërkohë kthyer në fondacion papnor, tashmë kanë mbushur dhjetë vjet. Pikërisht me këtë rast u organizua këtyre ditëve kongresi në Romë me temën "Qytetet Eko-edukative" e me pjesëmarrjen e 50 kryetarëve bashkiakë nga Amerika Latine dhe nga Evropa. Veprimtaria përfundoi dje, më 25 maj, me një takim në Institutin Augustinianum në Romë, pak metra larg Shën Pjetrit, në praninë e Papës Françesku i cili, si zakonisht kur bëhet fjalë për Scholas, merr pjesë në dialogët, çastet muzikore, këngët, videot, përshëndetjet dhe shkëmbimet e dhuratave. Dhe çuditërisht lidhet drejtpërdrejt me një shtëpi pushimi për të moshuar në Granada, në Spanjë, një nga vendet ku lëvizja Scholas vë në jetë programin global "Të jesh bashkë", i cili nisi gjatë pandemisë.
Udhëtimi në Argjentinë
Papa mbërriti në Augustinianum rreth orës 16:30, pothuajse një orë pas orarit të planifikuar, pas disa takimeve të mbajtura po në këtë institut. Hyri me karrikën me rrota nga një derë anësore, ndërsa kryebashkiakë, ambasadorë, artistë, sportistë, sipërmarrës (si pronarët e supermarketeve Piccolo ose Yamamay) dhe "miqtë" e Scholas, të pranishëm në sallë, e presin me një stuhi duartrokitjesh, që i ngjasin zhurmës së shiut. Në sfond, notat melankolike të një fadoje luajtur me kitarrë. Një kryebashkiake portugeze intonon një këngë, një tjetër reciton vargjet e njërës prej poezive të veta. Françesku buzëqesh, falënderon, duartroket. Më pas flet me një të ri argjentinas, përmes lidhjes me video dhe, në spanjisht, i përgjigjet pyetjes nëse do të vizitojë vendlindjen: “Ideja ime është të shkoj vitin tjetër, të shohim nëse mundemi”, përgjigjet Françesku.
Urgjenca edukative
Përgjigja e Papës për urgjencën arsimore dhe nevojën për një Pakt Arsimor, të cilin ai tashmë e ka kërkuar për një kohë të caktuar në çdo vend për brezat e rinj, është më e gjatë dhe më e hollësishme. “Sa të rinj sot nuk e kanë mundësinë e arsimimit të plotë. Sa herë për mungesë edukate seksuale përfundojnë në komercializimin e dashurisë, e dashurisë që nuk duhet të dalë në treg, sepse të rinjtë nuk kanë lindur për t'u përdorur…”.
“Edukojini të rinjtë” - fton me këmbëngulje Papa: “Është detyrë e prindërve dhe e shoqërisë në tërësi që fëmijët të kenë arsim. Fëmijët që nuk kryejnë cikle shkollore janë barrë për shoqërinë”. Kujdes edhe që të rinjtë “të mos nxirren në treg”, si të ishin mall - është ftesa tjetër e ipeshkvit të Romës: “Pornografia është më shumë tregti, sesa dashuri. Njeriut që dashuron nuk i pëlqen të përdoret kështu." “Është një gjë e mirë që shkollat kanë këto dy përparësi - thotë Françesku - duke inkurajuar punën e Scholas në pesë kontinente: “Vazhdoni, ia vlen!”.
Respekt për të vërtetën
Një vajzë, përmes ekranit, pyet Papën se çfarë duhet të bëjë që të kapërcehet kriza në vendin e saj; të tjerët bëjnë pyetje rreth homofobisë, racizmit, bullizmit - apo ngacmimit - që “është shumë i rëndë dhe shkatërron jetën”- thotë Papa Françesku. “Çdo burrë, çdo grua, çdo djalë, çdo vajzë ka për detyrë të jetë vetvetja dhe të ketë të drejtën për t'u respektuar, ashtu si është” – shton. Është një fjalë “autenticitet”, që “përdoret shumë, por që kuptohet pak”, e që do të thotë që secili duhet vlerësuar ashtu siç është”.
Më pas Papa u ndalua tek krizat, që e mundojnë botën dhe, si në çastet më të vështira të pandemisë, përsëriti: “Krizën duhet ta identifikosh e ta shoqërosh, për të dalë prej saj. Nga konflikti nuk ka rrugëdalje, është i mbyllur; nga kriza po, me dy kushte: njëri, nuk del nga kriza i vetëm, por i shoqëruar. Tjetri, njeriu nuk del nga kriza siç ishte më parë: del ose më mirë, ose më keq”.
Papa flet për ëndrrat, duke u ndalur te tema e dashur për të, të moshuarit, “los abuelos”, gjyshërit. Nxitjen ia jep një dhuratë tjetër: rrënjët e një peme në bronz. Prej këndej Papa Bergoglio nis e flet për rrënjët e tij, jo prej bronzi… Kujton gjyshërit me të cilët kalonte mëngjese të tëra në Buenos Aires: “Pata hirin që të kisha gjallë gjyshërit derisa isha shumë i madh. Kur gjyshi vdiq, i pari, isha 16 vjeç. Gjyshja, kur isha tashmë ipeshkëv…. Ne jemi emigrantë dhe gjyshërit e mi nga babai jetonin pak metra larg shtëpisë sonë. Gjyshja më merrte me vete, në mënyrë që nëna ime të punonte me të dytin dhe të përgatitej për tre të tjerët. Jemi pesë... Unë kaloja kohën me gjyshërit duke dëgjuar gjuhën e tyre, e duke e mësuar. Dialogët më të thellë i pata me ta, aty i dëgjova që fëmijë e edhe i mësova vlerat”.
Rëndësia e rrënjëve
Papa në moshën 86-vjeçare nuk i harron aspak çastet e miturisë. Askush nuk duhet ta bëjë këtë: "E kemi gjithnjë ndjenjën se duhet të kthehemi tek rrënjët" – thotë - "Një shoqëri prishet pikërisht atëhere kur prishet lidhja ndërmjet rrënjës dhe trungut, atëhere thahet. Nëse nuk e marrim lëngun prej andej, nga rrënjët, thahemi" – nënvizon Papa - duke kujtuar më pas fjalët e Joelit profet, kapitulli 2, verseti 1, cituar gjithnjë gjatë takimeve me të rinjtë në udhëtimet e ndryshme: "Të moshuarit do të ëndërrojnë, të rinjtë do të kenë vegime". Por ata mund ta bëjnë këtë vetëm kur janë të lidhur me njëri-tjetrin; veçanërisht të rinjtë “nuk mund të ëndërrojnë pa rrënjë, përndryshe ëndërrojnë me shitësin e parë në rrugë”, paralajmëron Papa.
Mos i lini vetëm të moshuarit
Më pas, një thirrje për të gjithë të moshuarit që “nuk kanë të drejtë të vdesin në vetmi...”. Papa kujton kur, si ipeshkëv, vizitoi shtëpitë e pushimit dhe infermieret i folën për "njerëz të moshuar" të lënë vetëm nga të afërmit për muaj e muaj. “Marrëdhënia ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve është e natyrshme. Shoqëria, që nuk kujdeset për këtë marrëdhënie, ideologjizohet, bëhet sektare...”, paralajmëron Françesku. "Disa sektorë të shoqërisë i fshehin të moshuarit", ndërsa duhet të bëjnë të kundërtën, nëse duan të mësojnë nga "sabiduría" e tyre, domethënë, nga "urtia" e tyre. “Mos e humbisni iluzionin – i këshillon të rinjtë Françesku, “të moshuarit duhet të mbrohen, të moshuarit mund të thonë e mund të japin urti. Ndaj duhet që të rinjtë t’u afrohen. Sa janë ende të rinj… Pastaj vjen radha e tyre!”.
“Adelante”, brohoriti në fund Papa për të gjithë rrjetin Scholas: “Përpara, jo si piratët”, bëri shaka.
Më në fund një tjetër çast i gjatë, me përshëndetje, shtrëngime duarsh, foto në grup me kryetarët e bashkive, që marrin nga dora e Papës diplomën e Shkollave Laudato si': “Nuk është cak ky, por fillim i ri”.