“Larg duart nga Afrika!” – sapo doli libri i ri i Papës
R.SH. – Vatikan
“Larg duart nga Afrika! Mos e mbytni Afrikën: nuk është minierë për t'u shfrytëzuar, as tokë për t'u plaçkitur. Afrika të jetë protagoniste e fatit të saj!” Këto ishin fjalët e Papës Françesku në ditën e tij të parë në Republikën Demokratike të Kongos, në fillim të këtij viti. Dje, Shtëpia Botuese e Vatikanit njoftoi për publikimin e një libri të ri, shkruar në italisht, me titull “Larg duart nga Afrika”, ku mblidhen të gjitha fjalimet e Papës si gjatë atij udhëtimi, ashtu edhe gjatë vizitës së tij në Sudanin e Jugut, menjëherë pas.
Libri nuk përmban vetëm zërin e Papës, por edhe zërin e atyre që takoi gjatë udhëtimit. Si në RD të Kongos, ashtu edhe në Sudanin e Jugut – dy vende të shkatërruara nga konflikte pa fund – Ati i Shenjtë dëgjoi dëshmitë e viktimave të luftës, tregimet e të cilëve përfshihen në vëllim. Parathënia është shkruar nga shkrimtarja nigeriane Chimamanda Ngozi Adichie, e cila pohon se libri “është një copëz e vogël shprese për Kongon dhe për kontinentin e dashur dhe zemërthyer, që unë e quaj shtëpi”. Kujtojmë se ajo është në frontin e parë të luftës për të drejtat e grave.
"Shtegtim paqeje"
Papa Françesku vizitoi RD të Kongos dhe Sudanin e Jugut nga 31 janari deri më 5 shkurt të këtij viti. Vizita njëjavore, të cilën ai e quajti "Shtegtim paqeje", kishte për qëllim promovimin e pajtimit në vendet e përfshira nga konflikti, si dhe promovimin e pavarësisë së tyre nga ndërhyrjet e huaja. Në RD të Kongos, Ati i Shenjtë u takua me politikanë, ipeshkvij dhe të rinj, duke denoncuar “kolonializimin ekonomik” të Afrikës, që i ka zënë vendin "kolonializmit politik" të dikurshëm, pavarësisht se mbetet “po aq skllavërues". Në Sudanin e Jugut, ai iu drejtua politikanëve të të gjitha palëve, të cilët po e shkatërrojnë vendin me konfliktin ndërmjet tyre, duke theksuar se "Tani është koha për të thënë: Jo më kështu!"
RD e Kongos dhe heshtja e botës
Në parathënien e saj, Adichie përqendrohet posaçërisht në udhëtimin e Papës në RD të Kongos, "një vend, burimet e të cilit janë shfrytëzuar prej kohësh, vend i rraskapitur nga plaçkitjet dhe konfliktet, vend i dëshpëruar, për t'u rindërtuar". Tragjedia më e madhe, shkruan ajo, "nuk janë konfliktet e brendshme, por heshtja planetare" për gjendjen e Afrikës, e cila "flet për zhvlerësimin e vazhdueshëm të humanitetit afrikan nga një botë, që megjithatë, konsumon pa pushim burimet natyrore të këtij kontinenti". Në këtë kuadër, vijon ajo, vizita e Papës Françesku në RD të Kongos dhe mesazhet e tij "të fuqishme" janë “qortim i nevojshëm" për kombet e pasura. Ati i Shenjtë, vë në dukje shkrimtarja, "nuk thotë vetëm se RD e Kongos - e, më tej, edhe Afrika – është e rëndësishme, por se ajo është e rëndësishme për një arsye të vetme. Jo për burimet e saj natyrore, nga të cilat varet veriu global, jo për frikën se kontinenti mund të bëhet sërish skenë betejash për perëndimorët, siç ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë, por thjesht për njerëzit e saj. Afrika ka rëndësi sepse janë të rëndësishëm afrikanët".