Kërko

Françesku Patriarkut Tawadros: koptët e vrarë në Libi janë martirë edhe për Kishën Katolike

Bisedë dhe lutje, sot, ndërmjet Papës dhe Kreut së Kishës Ortodokse Kopte të Aleksandrisë në Pallatin Apostolik, në Vatikan, 50 vjet pas takimit të parë historik midis Palit VI dhe Shenudës: "Nga ajo ngjarje ka pasur shumë fryte në marrëdhëniet me Kishat e Lindjes”. Papa falënderon Zotin për "hapat e ndërmarrë" dhe njofton se 21 të krishterëve të cilëve iu prenë kokat në vitin2015 do të përfshihen në Martirologun Romak si shenjë bashkimi shpirtëror: "Të shkojmë përpara drejt unitetit"

R. SH. – Vatikan

Shpresa e bashkimit Eukaristik, siguria e dialogut, dëshmia prekëse e martirëve koptë, të cilëve ua prenë kokën tetë vjet më parë në një plazh në Libi, të cilët nga sot do të përfshihen në Martirologun e Kishës Romakesi një "shenjë e bashkimit shpirtëror" që bashkon Kishën Katolike dhe Kishën Kopte Ortodokse. Pas audiencës së përgjithshme të djeshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, ulur krah për krah për të bekuar turmën e besimtarëve së bashku, Papa Françesku dhe Shenjtëria e Tij Tawadros, Papa i Aleksandrisë dhe kreu i Kishës Kopte Ortodokse të Egjiptit, u takuan përsëri sot paradite, më 11 maj, në Pallatin Apostolik në Vatikan. Papa Françesku e priti Patriarkun Tawadros, "vëllain e dashur", për një bisedë private, e cila u pasua nga lutja e përbashkët në kapelën Redemptoris Mater në Vatikan.

Takimi midis Palit VI dhe Tawadros II

Audienca e sotme dhe i gjithë udhëtimi i Shenjtërisë së Tij Tawadros në Romë, deri të dielën e 14 majit, ka si sfond takimin historik të vitit 1973 ndërmjet Shenouda III dhe Papës Palit VI, i pari takim "midis një Kreu të Kishës Kopte Ortodokse dhe një Ipeshkvit të Romës”, që shënoi edhe fundin e një polemike teologjike që datonte nga Koncili Kishtar i Kalqedonisë,në vitin 451 pas Krishtit, në saje të nënshkrimit, më 10 maj, të një deklarate të përbashkët kristologjike “të paharrueshme”. Dokument ky më vonë qe "frymëzim për marrëveshje të ngjashme me Kishat e tjera ortodokse lindore".

Koptët e vrarë në Libi në Martirologun Romak

Ajo audiencë e pesëdhjetë vjetëëve më parë filloi me një përqafim dhe përshëndetje nga Papa Montini në Bazilikën e Shën Pjetrit: "Kjo është dita që Zoti ka bërë: le të gëzohemi dhe të gëzohemi në të!".

Fjalët që Papa Françesku ia përsëriti Patriarkut në takimin e sotëm, duke e falënderuar me emocion (“Nuk kam fjalë...”, tha ai) për dhuratën e çmuar të një relike të martirëve koptë, të cilëve xhihadistët në Libi ua prenë kokat e masakruan më 15 shkurt 2015. Papa i pati përmendur edhe dje në përshëndetjen e tij gjatë audiencës së përgjithshme: "Ata janë martirët tanë", tha Ati i Shenjtë Bergoglio, duke përsëritur atë që pati pohuar dhenë videomesazhin e 15 shkurtit 2021 me rastin e përkujtimit të Koptëve të shenjtëruar nga Kisha Ortodokse Kopte. Ata janë shenjtorët tanë, shenjtorët e të gjithë të krishterëve, shenjtorët e të gjitha konfesioneve dhe traditave”, pati deklaruar me atë rast.

Këta martirë u pagëzuan jo vetëm me ujë dhe në Shpirt, por edhe me gjak, me një gjak që është farëë e unitetit për të gjithë ndjekësit e Krishtit.

Papa Françesku tha se është "i kënaqur të njoftojë" që, "me pëlqimin e Shenjtërisë suaj, këta 21 martirë do të përfshihen në Martirologun e Kishës Romake si shenjë e bashkimit shpirtëror që bashkon dy Kishat tona". Një ngjarje, në emër të "ekumenizmit të gjakut", që është edhe një nga temat më të përmendura të papnisë së Françeskut, që pati edhe një precedent në vitin 2001 kur Kisha Katolike pati përfshirë në Martirologun e Përgjithshëm Romak disa shenjtorë të Kisha ortodokse lindore, Kisha që jetuan pas ndarjes mes Kishave.

Hapat në rrugëtimin ekumenik

Një kapitull i ri në udhën ekumenik, pra, në të cilën - nënvizon Papa Françesku - "është e rëndësishme të shikojmë gjithmonë përpara", "duke kultivuar në zemër një padurim të shëndosh dhe një dëshirë të zjarrtë për unitet". Mbi të gjitha unitetin, ripohoi Papa duke pyetur: “Quanta est nobis via? Sa udhë mbetët akoma për të bërë ?”.

Megjithatë, Papa Françesku nuk shikon vetëm hapat që duhet të ndërmerren, por edhe ato që janë bërë tashmë: “Ne duhet të kujtojmë, veçanërisht në momentet e dekurajimit, për t’u gëzuar për rrugën që kemi bërë tashmë dhe të zgjojmë e kultivojmë zellin e pionierëve që na paraprinë”.

E megjithatë, është padyshim edhe më e nevojshme të shikojmë lart, të falënderojmë Zotin për hapat e ndërmarrë dhe t'i lutemi që të na japë dhuratën e unitetit të shumëpritur.

Frytet e dialogut

“Të falënderojmë dhe të përgjërohemi” është pra qëllimi i përkujtimit të sotëm, nënvizoi Papa, duke kujtuar edhe një herë takimin e paraardhësve, një “etapëë historike në marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shën Pjetrit dhe Selisë së Shën Markut” që çoi në krijimin e një komisioni të përbashkët ndërkombëtar midis Kishës Katolike dhe Kishës Kopto Ortodokse. Në vitin 1979, organizmi miratoi Parimet "pioniere" për të udhëhequr kërkimin e unitetit midis Kishës Katolike dhe Kishës Kopto Ortodokse, nënshkruar nga Shën Gjon Pali II e nga vetë Shenouda III, që hapi rrugën për lindjen e " një "dialogu teologjik frytdhënës ndërmjet Kishës Katolike dhe gjithë familjes së Kishave Ortodokse Lindore”, e cila mbajti takimin e saj të parë në vitin 2004 në Kajro. Dhe gjithnjë në Egjipt, kohëve të fundit, është krijuar Këshilli Kombëtar i Kishave të Krishtera.

Miqësia midis Kishës Katolike e Kishës Kopte Ortodokse

Shkurtimisht, takimi midis Palit VI dhe Shenudës "nuk pushoi së dhëni fryte në rrugëtimin e Kishave tona drejt bashkimit të plotë". Ndër frytet është edhe takimi i parë midis Papës Françeskut dhe Patriarkut Tawadros më 10 maj 2013, "disa muaj pas zgjedhjes në krye të Kishës katolike dhe disa javë pas fillimit të papnisë time". Me atë rast, Papa i Aleksandrisë propozoi që çdo 10 maj të kremtohet "Dita e Miqësisë mes Koptëve dhe Katolikëve", e cila që atëherë festohet rregullisht në të dyja Kishat. Ati i Shenjtë Bergoglio e identifikoi këtë miqësi në një ikonë kopte të shekullit VIII që paraqet Krishtin Zot duke mbështetur dorën mbi shpatullën e mikut të tij, murgut të shenjtë Mena të Egjiptit.

Kjo ikonë nganjëherë quhet "ikona e miqësisë", sepse Zoti duket se dëshiron të shoqërojë mikun e tij dhe të ecë me të.

Lutja e Papës

Në përfundim, përpara shkëmbimit të dhuratave dhe prezantimit të dy delegacioneve, Papa Françesku shprehu urimin e përzemërt që "Kishat tona të rriten në miqësi, deri në ditën e bekuar në të cilën do të mund të kremtojmë së bashku në të njëjtin altar dhe të kungohemi në të njëjtin Trup dhe Gjak të Shpëtimtarit Jezus”.

11 maj 2023, 12:08