Kërko

Papa priti pjesëmarrësit në Asamblenë e Përgjithshme të Caritas Internationalis Papa priti pjesëmarrësit në Asamblenë e Përgjithshme të Caritas Internationalis

Françesku: kush punon për Karitasin duhet të dëshmojë dashurinë e Krishtit për botën

Papa priti sot, e enjte, 11 maj, pjesëmarrësit në Asamblenë e Përgjithshme të Caritas Internationalis. Nga Ipeshkvi i Romës, ftesa për të qenë "dishepuj misionarë", duke i shoqëruar kishat lokale "në impenjimin e tyre aktiv për dashuri baritore" dhe duke e jetuar pluralizmin si pasuri

R.SH. – Vatikan

Fjalët e shën Palit apostull janë më se të vërteta: e mira, që bëhet në emër të Zotit është "ajo pjesë e jona që nuk do të zhduket, nuk do të humbasë". Papa e përmend disa herë Apostullin e Popujve në audiencën e sotme me 400 pjesëmarrësit e Asamblesë së Përgjithshme të Caritas Internationalis, në Vatikan. Ati i Shenjtë ua dorëzoi fjalimin e shkruar, në të cilin reflekton mbi faktin se përmes dashurisë bamirëse “kuptojmë jo vetëm sa e rëndësishme është jeta jonë, por edhe sa e çmuar është ajo e të tjerëve”.

Krishti në qendër të bamirësisë

Papa Françesku kujton himnin e mirënjohur, që shën Pali ia kushton dashurisë, për të nënvizuar se çdo vepër, çdo përpjekje nuk është “e plotë” pa dashurinë e vërtetë. Bamirësia e bërë me dashuri, është edhe formë fisnike për t’i treguar Zotit mirënjohje, për t’i dëshmuar se e kemi kuptuar ç’do të thotë pjesëmarrje në Eukaristi e për t’ia dhuruar të tjerëve ç’kemi marrë falas prej Tij.

“Çka e dallon Karitasin Ndërkombëtar nga agjencitë e tjera, që veprojnë në sferën shoqërore – shkruan Papa - është thirrja e tij kishtare dhe, brenda Kishës, çka e bën të veçantë shërbimin e tij, në ndryshim nga shumë institucione dhe shoqata kishtare kushtuar bamirësisë, është detyra për të bashkëpunuar dhe për të lehtësuar punën e ipeshkvijve në ushtrimin e bamirësisë baritore, në bashkim me Selinë Apostolike dhe në harmoni me Magjisterin e Kishës”.

Dishepuj misionarë

Ky impenjim frymëzohet nga Krishti, vijon Françesku në tekstin e dorëzuar, sepse ai u mëson dishepujve të vet dashurinë vëllazërore, me të cilën të bëjnë bamirësi. “Kush punon për Karitasin duhet ta dëshmojë këtë dashuri përpara botës. Bëhuni dishepuj misionarë, ndiqni Krishtin! – i këshillon Ati i Shenjtë anëtarët e organizatës bamirëse. – Kujdes unitetin. Konfederata juaj përbëhet nga shumë identitete: jetojini ndryshimet dhe pluralizmin si pasuri. Bëni garë si ta vlerësoni më mirë njëri-tjetrin, duke i shndërruar konfliktet në konfrontim paqësor, në zhvillim dhe jo në ndarje”.

Së fundi, Papa Françesku kërkon t’i bëhet ballë sfidës për të formuar laikë të vetëdijshëm, sepse pikërisht ata duhet dhe mund të shprehin, “me liri krijuese, zemrën amnore dhe shqetësimin e Kishës për drejtësinë shoqërore, duke u përfshirë në detyrën e vështirë për të ndryshuar strukturat e padrejta shoqërore dhe për të promovuar lumturinë e çdo njeriu”.

11 maj 2023, 13:09