Kërko

Udha e Kryqit, britma e të vuajturve në Koloseum. Papa lutet në Shën Martë

Një turmë pa fund prej 20.000 vetësh u lut gjatë kremtimit tronditës të së Premtes së Madhe, në Koloseum. Gjatë 14 stacioneve të Udhës së Kryqit, jehoi dhimbja e viktimave të luftës, padrejtësisë dhe varfërisë, që i luten Zotit t’u dhurojë shpresën, pendimin, dialogun, faljen. Françesku, i cili javën e kaluar qe në spitalin Gemelli për shkak të një bronkite, e ndoqi kremtimin nga Vatikan,i për shkak të të ftohtit. Lutjen përfundimtare e lexoi Kardinali mëkëmbës i Papës për Romën, De Donatis

R.SH. - Vatikan

Një turmë pa fund prej 20.000 vetësh u lut së bashku gjatë kremtimit  tronditës të së Premtes së Madhe të Pashkëve, pranë amfiteatrit romak Koloseum. Gjatë katërmbëdhjetë stacioneve të Udhës së Kryqit të Jezu Krishtit, në rrenojat e lashta jehoi dhimbja e viktimave të luftës, padrejtësisë dhe varfërisë, që i luten Zotit t’u  dhurojë shpresën, pendimin, dialogun, faljen. Françesku, i cili javën e kaluar ishte i shtruar në spitalin Gemelli për shkak të një bronkite, e ndoqi kremtimin nga banesa e tij në Vatikan, për shkak të të ftohtit. Lutjen përfundimtare e lexoi Kardinali mëkëmbës, De Donatis

Nga Koloseum lartohet britma e të vuajturve

Nuk kishte rënë ende plotësisht errësira e natës mbi Koloseum, vend i martirizimit të krishterëve të lashtë, kur himni 'Agnus Dei', i kënduar nga kori i Kapelës Sikstine, kumboi nga Forumet Perandorake deri në Harkun e Kostandinit, në Romë ku, si çdo vit, prej rreth gjashtëdhjetë vjetëve, nis kremtimi i Udhës së Kryqit.  "Kremtim i devotshëm" ai i Udhës së Kryqit të së Premtes së Madhe të Pashkëve me pjesëmarrjen e rreth njëzet mijë njerëzve të mbledhur në lutje nën hijen imponuese të amfiteatrit Flavian, që përkujtonte ecjen e mundimshme të Krishtit drejt Golgotës, në këtë 2023 ende të ngarkuar me luftëra e drama humanitare.

Papa e ndoqi nga Shtëpia e Shën Martës, në Vatikan

Nëse tre vjet më parë, për shkak të pandemisë Covid, kremtimi më tronditës në jetën shpirtërore të qytetit të Romës festohej në mungesë të njerëzve, këtë vit u kremtua në mungesë të Papës. Françesku nuk ishte i pranishëm në skenën e Monte Celio-s, i  veshur me pallton e bardhë, por në Shtëpinë e Shën Martës, i bashkuar shpirtërisht me besimtarët e qytetit. Temperatura, që bie me shpejtësi në orët e mbrëmjes, ishte e rrezikshme për Papën që, deri të shtunën e kaluar, ishte i shtruar në spitalin Gemelli për shkak të bronkitës infektive. Nga streha e tij në Vatikan, siç njoftoi pasdite Salla e Shtypit e Vatikanit, Papa e ndoqi Udhën e Kryqit “duke u bashkuar me lutjet e atyre që u mblodhen me Dioqezën e Romës, në Koloseum”.

Udha e Kryqit në Koloseum
Udha e Kryqit në Koloseum

Kardinali De Donatis u priu 14 stacioneve

Kardinali vikar Angelo De Donatis - pasi përshëndeti kryebashkiakun e Romës, Roberto Gualtieri – u priu 14 stacioneve, të transmetuara në mbarë botën, me trotuaret përplot me burra dhe gra të të gjitha moshave, të mbështjellë me shalle, kapuçe dhe kapele, duke mbajtur  në duar flakëzat tipike të festës. Dritat e tyre, kombinuar me mbi 600 projektorë  të vendosur mbi muret e lashta dhe me dritat romake, që ndriçonin rrugën, krijonin një lojë veçanërisht ndjellëse drite.

Në Udhën e Kryqit, zërat e paqes prej territoreve plagosur nga lufta

Ishte përsëri kardinali De Donatis, ai që shqiptoi lutjen e fundit, me një zë tejet të dridhshëm. Një lutje e gjatë, me "14 falënderime drejtuar Zotit". Mirënjohje, pse nuk e la njerëzimin të zhytet në mëkat, në pandershmëri, në të keqen që njeriu është në gjendje të bëjë kundër njeriut. Një e keqe që nuk është ide, por fakt, diçka e ndodhur në jetën e autorëve të meditimeve të lexuara gjatë festës: njerëz të çdo feje dhe kombësie që panë fëmijët dhe prindërit duke vdekur nën bomba dhe mortaja, njerëz të dhunuar në trup e në shpirt, të shkëputur nga vendlindja për t'u katapultuar në varka, në mes të shkretëtirave, brenda bauleve a në qendra torture.

Më pas, ata që rrëfejnë copëza nga historitë e tyre: të vejat dhe refugjatët, jetimët dhe të mbijetuarit, emigrantët e torturuar në Libi dhe meshtarët e persekutuar gjatë luftës në Ballkan. E janë edhe fëmijët nga vendet e sulmuara dhe vendet agresore, që vajtojnë humbjen e të dashurve të tyre: quhen Joseph dhe Johnson, 16 dhe 14 vjeç - të vetmit që kujtohen me emër - e që thjesht, duan të luajnë dhe të studiojnë, ndërsa detyrohen të jetojnë të harruar në blloqe të kampeve të shpërngulurve. Pastaj janë nënat, baballarët, të rinjtë, të moshuarit, murgeshat, priftërinjtë, misionarët. Të gjithë të bashkuar nga dhimbja, nga trauma e vdekjes së të afërmve apo motrave, nga plagët e shkaktuara nga minat dhe thikat, apo nga urrejtja. Çka kujtohet në stacionin e pestë, “e jetuar një herë, nuk harrohet asnjëherë...”.

Një fëmijë, që mban flakëzën e qiriut
Një fëmijë, që mban flakëzën e qiriut

Zërat e paqes

Megjithatë, në temën e zgjedhur prej tij, Papa i quan "Zërat e paqes", sepse në dëshmitë e tyre, të mbledhura nga vetë Françesku gjatë dyzet udhëtimeve apostolike dhe në çaste të tjera të papnisë së tij, nuk ka vetëm padi të tmerrit, pësuar në Lindjen e Mesme, në Afrikë, Azinë Jugore apo Ukrainë, por edhe thirrje për shpresë, dialog, pendesë e falje. Sidomos falje! “Gjithçka do të kalojë…” – theksohet plot shpresë në disa nga meditimet…

Viktimat e luftës mbajnë kryqin

Nuk janë  autorët e teksteve, që mbajnë Kryqin në Koloseum: kryqi prej druri mbahet nga njerëz të tjerë, viktima të dhunës së luftës e përfaqësues të atyre që takuan Papën... Ndërmjet tyre ka refugjatë nga Centro Astalli apo të rinj nga Amerika Qendrore, disa prej të cilëve, me rroba tradicionale, si i riu që mbante kryqin në Stacionin X e që solli dëshminë e një djali nga Mariupoli dhe një djali nga Rusia. Kishte në qafë një shall me ngjyrat e flamurit të Ukrainës. Flamuj, të paktë, valëviteshin në turmën që nuk pipëtinte. Nuk dëgjohej asnjë zë, përveç disa të kollurave dhe vajit të një të porsalinduri. Një vajzë e vogël prej disa muajsh, me një fiongo të madhe rozë në kokë, ishte ndjekësja më e re e kësaj Udhe  Kryqi, në krahët e mamasë dhe babait, që i prinin procesionit në Stacionin XI.

Një i ri me shall, me ngjyrat e flamurit të Ukrainës mban kryqin
Një i ri me shall, me ngjyrat e flamurit të Ukrainës mban kryqin

Lutje mirënjohjeje

Errësira e natës tundet nga një brohoritje “Rroftë Papa Françesku!”. Ndiqet me duartrokitje, që e ndryshojnë atmosferën e kujtimeve të heshtura në fund të Udhës së Kryqit. Turma brohoret pasi Imzot De Donatis shipton fjalët e fundit të lutjes përfundimtare, që lexohen edhe në Twitter @Pontifex:

"Faleminderit, Zot Jezus, për dritën që ndeze në netët tona dhe, duke pajtuar çdo ndarje, na bëre të gjithë vëllezër, bij të të njëjtit Atë që është në qiej”.

Të gjithë vëllezër, të gjithë vëllezër, duke e mbajtur së bashku, por jo duke u dorëzuar nën peshën e simbolit më të madh të dhimbjes njerëzore, kryqit!

08 prill 2023, 12:20