Të Enjten e Madhe, Papa, pas 10 vjetësh, në burgun e të miturve në Casal del Marmo
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku rikthehet, pas dhjetë vjetësh, atje ku pati kremtuar Meshën e parë in Coena Domini (Darkës së Mbrame) të papnisë së tij. Më 6 prill do ta kremtojë të Enjten e Madhe në burgun e të miturve të Casal del Marmo, në Romë. E konfirmoi sot drejtori i zyrës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, pak orë pas daljes së Papës nga spitali Gemelli. Mesha do të kremtohet në formë të kufizuar, jo të hapur për publikun. I planifikuar, transmetimi i drejtpërdrejtë.
Kremtimet e Javës së Madhe
Sapo doli nga spitali, ku u shtrua për shkak të bronkitës infektive, Papa rifilloi axhendën e Javës së Madhe dhe, nëpërmjet zëdhënësit të tij, bëri të ditur se do të kryesojë ritet e Pashkëve: metodat e festimeve të Javës së Madhe "mbeten të pandryshuara", konfirmon Bruni. Nesër Mesha e të Dielës së Larit. E Enjtja e Madhe na çon në zemër të Pashkëve, me Meshën e Bagmit, në Bazilikën e Vatikanit e më pas me Meshën e Darkës së Mbrame të Zotit, shoqëruar nga riti i lashtë dhe gjithmonë prekës i larjes së këmbëve. Që sot e dimë vendin; i njëjti, siç u përmend, i zgjedhur nga Papa argjentinas më 28 mars 2013, pesëmbëdhjetë ditë pas fillimit të papnisë.
Përsëri pas dhjetë vjetësh
Në institutin në periferi të Romës, Papa u pati larë këmbët dhjetë djemve dhe dy vajzave të kombësive dhe të konfesioneve të ndryshme: “T’i lash këmbët, do të thotë se duhet ta ndihmosh tjetrin”, pati thënë, duke shpjeguar gjestin. “Është detyra ime si prift dhe si ipeshkëv të jem në shërbimin tuaj” - pati shtuar - “Por sidomos është detyrë që vjen nga zemra ime: dua ta bëj. Më pëlqen, sepse kështu më mësoi Zoti”. Më pas, ftesa që në vitet në vijim do t’ua drejtonte gjithnjë brezave të rinj: “Mos lejoni askënd t’jua grabisë shpresën”.
Në "periferitë ekzistenciale"
Pati rënë në sy asokohe, zgjedhja e Papës së sapozgjedhur për të anuluar kremtimin solemn të Meshës së Darkës së Mbrame, në katedralen e Romës a në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran e për të shkuar në një vend simbolik, një udhëkryq historish, vuajtjesh e dhimbjesh, por edhe e rilindjesh. Është bërë tashmë 'traditë' që Jorge Mario Bergoglio e solli në Romë nga Buenos Ajres, duke i jetuar çastet më dramatike të lindjes së krishterimit, në "periferitë ekzistenciale". Gjatë gjithë viteve në vijim, Papa e kremtoi gjithnjë të Enjten e Madhe ndër burgje, qendra refugjatësh, ambiente pritjeje dhe kujdesi për të sëmurët apo të rinjtë në kushte të vështira.
Mes të sëmurëve dhe të burgosurve
Në vitin 2014, Papa argjentinas shkoi në lagjen Casalotti-Boccea të Romës për të kremtuar Meshën e Darkës së Mbrame me fëmijët e Fondacionit Don Carlo Gnocchi - Centro Santa Maria della Provvidenza, një strukturë për pritjen, ndihmën dhe rehabilitimin e njerëzve me çrregullime mendore dhe me patologji të rënda. Ndërsa në vitin 2015, shkoi në Rebibbia, në burgun e famshëm romak, ku u mirëprit nga një turmë brohoritëse të burgosurish, të cilëve u tha:
"Dashuria e Jezusit nuk të zhgënjen kurrë, sepse ai nuk lodhet duke na dashur, ashtu siç nuk lodhet duke na falur e duke na përqafuar”.
Menjëherë më pas, u pati larë këmbët dymbëdhjetë të burgosurve, meshkuj dhe femra. Në vitin 2016, një tjetër çast intensiv në festën që e kryesoi në CARA, (Qendra e pritjes për azilkërkuesit) në Castelnuovo di Porto, jashtë Romës, e cila në atë kohë strehonte rreth 890 migrantë të kombësive të ndryshme. Papa Françesku ua lau këmbët dymbëdhjetëve prej tyre. Gjest të cilin, në dritën e sulmeve terroriste që shpërfytyruan fytyrën e Evropës atë vit, ai e shpjegoi me këto fjalë:
"Të gjithë ne, së bashku, myslimanë, indianë, katolikë, koptë, ungjillorë, vëllezër, bij të të njëjtit Zot, duam të jetojmë në paqe, të integruar”.
Për tre vjet, burgjeve
Më pas, Papa zgjodhi burgun edhe për tre vitet e ardhshme. Në vitin 2017 shkoi në burgun e Palianos, në provincën e Frosinones, ku takoi dhe përqafoi idealisht rreth shtatëdhjetë të burgosur, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, që vuanin dënime shumë të gjata, përfshirë disa, që jetonin në izolim. Në vitin 2018, erdhi radha e Regina Coeli-t në Romë, disa hapa larg Shën Pjetrit. Ndërsa më 2019 Papa ishte në burgun e Velletrit, institucion mashkullor disa kilometra larg kryeqytetit.
Homazhe për priftërinjtë në Bazilikën e Vatikanit
Në vitin 2020 kufizimet për shkak të pandemisë Covid-19 e detyruan Papën të kremtojë në Bazilikën e Shën Pjetrit. Nuk ishte në ndonjë vend në periferi, por gjithsesi funksioni qe prekës, me homazhet plot pasion të ipeshkvit të Romës për priftërinjtë "që flijojnë jetën e tyre për Zotin", pra, për meshtarët që vdiqën gjatë pandemisë, "shenjtorë të portës kundruall” ashtu si mjekët e infermierët. Një vit më pas, më 2021, festimi ishte ende i planifikuar në Shën Pjetër, por i kremtuar nga dekani i Kolegjit të Kardinajve, Giovanni Battista Re. E kjo, sepse Papa kishte shkuar në apartamentin privat të kardinalit Angelo Becciu, në Pallatin e Sant'Uffizio, disa metra larg Shtëpisë së Shën Martës, për të kryesuar Meshën në kapelën e shtëpisë së kardinalit, i cili qe paditur atë vit në gjyq, në procesin për përdorimin e fondeve të Selisë së Shenjtë.
Vitin e kaluar, në Civitavecchia
Më në fund, në vitin 2022, vitin e kaluar, Papa Françesku u kthye përsëri në burg. Zgjodhi Kompleksin e Ri të Burgjeve të Civitavecchia-s, ku kaloi rreth tre orë duke përshëndetur autoritetet, duke përqafuar të burgosurit që e pritën me kore dhe thirrje. Kremtoi meshën në Kapelë dhe u lau këmbët të burgosurve të moshave dhe kombësive të ndryshme, të gjithë të emocionuar sa më s’ka gjatë kësaj ngjarjeje të paharrueshme! Me atë rast, Papa shkoi edhe në Sallën e Bisedimeve aty pranë për t’i përshëndetur një nga një të burgosurit e sektorit të sigurisë së lartë.