Papa zgjat kohën e ankimimit për rregulltarët e larguar nga Institutet
R.SH. – Vatikan
Për të siguruar mbrojtjen e duhur të të drejtave të njerëzve, që largohen nga institutet e jetës rregulltare, duke ndryshuar kështu statusin e tyre juridik, shpesh, edhe me dhimbje e vuajtje, Papa Françesku vendosi, me një Motu Proprio, të zgjasë kohën gjatë së cilës mund të paraqitet ankimim pranë Autoritetit kompetent: nga "dhjetë ditë" (pesëmbëdhjetë, në rastin e Kishave Lindore) deri në "tridhjetë ditë", "pa nevojën për të kërkuar me shkrim revokimin, ose korrigjimin e dekretit nga autori i tij". Me një Motu Proprio - nënshkruar më 2 prill, të Dielën e Larit, e publikuar sot - Papa ndryshon nenin 700 të Kodit të së Drejtës Kanonike dhe nenin 501 të Kodit Kanonik të Kishave Lindore.
Vlerësim dhe komunikim më i mirë
Për Papën, kohët e parashikuara nga ligjet e Vatikanit “nuk mund të thuhet se përkojnë mirë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut”. Prandaj, shkruhet në tekstin e dokumentit, "një mënyrë, që i kufizon më pak kohët e transmetimit të ankimimit, do t'i lejonte palës së interesuar të vlerësojë më mirë akuzat, si edhe të përdorë metoda më të përshtatshme komunikimi". Që këtej, vendimi për zgjatjen e afatit në tridhjetë ditë.
Respektimi i procedurës
Papa thekson edhe "rrezikun", që procedura e vendosur nga nenet 697-699 të së Drejtës Kanonike dhe nga nenet 497-499 të Kodit të Kishave Lindore të mos "respektohet gjithmonë saktë". Procedurë, e cila, ndër të tjera, parashikon që rregulltari a rregulltarja të qortohet me shkrim, ose para dy dëshmitarëve, duke e njoftuar qartë se do të largohet nga instituti nëse nuk pendohet e duke i sqaruar shkakun, në mënyrë që të ketë mundësinë për t’u mbrojtur. Pra, është e nevojshme një kohë më e gjatë. Dispozitat e reja të Papës do të hyjnë në fuqi, duke filluar nga 7 maji 2023.