Papa: vëllezër rregulltarë dëshmojeni vëllazërimin, duke e dhuruar heshturazi vetveten
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku u takua sot paradite me një delegacion të vogël rregulltarësh oblatë dioqezanë nga kryeipeshkvia italiane e Milanos, të cilët i përshëndeti lirisht, duke ua dorëzuar fjalimin e përgatitur.
Në të, Ati i Shenjtë reflekton mbi tre aspekte, që kanë të bëjnë me emrin e institucionit: Vëllezërit Oblatë Dioqezanë.
Vëllazërim ungjillor
Papa Françesku nënvizon se rregulltarët duhet të dëshmojnë “vëllazërimin sipas Ungjillit” e duhet ta bëjnë këtë duke u sjellë si vëllezër, më shumë se përmes veprimtarive të tyre apostolike. Vëllazërimi ndërmjet tyre është i natyrshëm në një institucion fetar, ku ata kanë vendosur të bëjnë pjesë e të jetojnë, por është e nevojshme të harmonizohen personaliteti, dhuntitë dhe kufizimet e secilit. Vëllazërimi duhet të krijojë “gëzim shpirtëror”, pasi është mënyra unike e rregulltarëve për të qenë si Jezu Krishti.
Shërbimi i përvuajtur
Papa vazhdon të reflektojë mbi identitetin e vëllezërve si "Oblatë", "i cili vjen nga latinishtja "ord oblatio", ose "oblation", që do të thotë "dhurim i vetvetes" përmes shërbimit. Kështu erdhi edhe Jezu Krishti në botë, shkruan Ati i Shenjtë, si shërbëtor për të gjithë, por i shmangu gjithnjë rastet kur e lavdëronin publikisht. Edhe “i yni – vëren Françesku, ai vetë rregulltar jezuit - është shërbim i fshehtë, i përvuajtur e nganjëherë, edhe poshtërues”, por “kjo është rruga, që duhet të ndjekë çdo i krishterë”. Kjo është edhe thirrja e Vëllezërve Oblatë dioqezanë, prej së cilës buron ai “gëzim shpirtëror” i veçantë, që Nënë Tereza – përmend Françesku shenjten shqiptare të bamirësisë – e quante “gëzimi i shërbimit” e të cilin mund t’ua dhurojë vetëm Shpirti Shenjt. Papa jep shembullin e shën Marisë, e cila shkon për të ndihmuar kushërirën e saj, Elizabetën, që ishte shtatzanë. “Nuk kishte fotografë apo gazetarë që po e prisnin”, vëren Françesku. Por, “gëzimi buron pikërisht nga ky fakt: vetëm Zoti e di çështjen! Prej këtej vjen lumnia e shërbimit”.
Besnikë ndaj vendit e njerëzve
Së fundi, Papa vë në dukje aspektin “dioqezan” të emrit të Vëllezërve Oblatë. Ata i qëndrojnë besnikë një dioqeze, një zone të të caktuar territoriale. “Nganjëherë – shkruan Ati i Shenjtë në fjalimin e dorëzuar – do të na pëlqente të shpëtojmë botën, por Zoti na thotë: ‘qëndrojini besnikë këtij shërbimi, këtyre njerëzve, kësaj pune të mirë’”. Jezu Krishti, shton Françesku, erdhi të shpëtojë “delen e humbur të Izraelit” e në këtë mënyrë, i qëndroi besnik Atit Qiellor e bëri vullnetin e Tij. “Nuk mund ta duam njerëzimin në mënyrë abstrakte – përfundon Papa. – Duam këtë, ose atë person. Besnikëria [ndaj njerëzve të një territori si dioqeza] është dhuratë e rrallë”.