Papa: toka vuan, nevojiten politika largpamëse për ekologjinë e gjithanshme
R.SH. – Vatikan
Kur shpërtheu revolucioni industrial në Angli në shekullin e 18-të, oxhaqet e Mançesterit, që nxirrnin pa pushim tym, duke e nxirë qiellin, u bënë një nga simbolet e përparimit galopant, i cili u nis nga Britania e Madhe për t’u përhapur në mbarë botën, duke përuruar një epokë të re. Por, filloi edhe procesi i ndotjes së ambientit, që gradualisht ndikoi kudo. Papa Françesku e nisi nga ky reflektim fjalën e tij për delegacionin e "Udhëheqësve Ndërfetarë nga Mançesteri i Madh", një grup ndërfetar i metropolit britanik, i cili është dëshmitar i këtij procesi.
Pasojat tragjike të degradimit
Ati i Shenjtë e falenderoi delegacionin, duke vënë në pah “nevojën urgjente për mbrojtjen e ambientit” dhe për të “punuar konkretisht që të përballohen pasojat e ndryshimeve klimatike”, sipas vlerave të shprehura në enciklikën “Laudato si'”.
“Është bërë gjithnjë e më e qartë se impenjimi ynë aktual për të mbrojtur krijimin, dhuratë e Zotit, duhet të shihet në kuadrin e përpjekjeve më të mëdha për të promovuar ekologjinë e gjithanshme, e cila respekton dinjitetin dhe vlerën e çdo njeriu dhe vë në dukje pasojat tragjike të degradimit të ambientit në jetën e të varfërve”.
E mira e përbashkët kundër kulturës “përdor e hidh”
Me një fjalë, ripohoi Françesku, duhet “pranuar se krizat ambientale dhe shoqërore të kohës sonë nuk janë dy kriza të ndara nga njëra-tjetra, por një krizë e vetme, e cila “kërkon krijimin e modeleve ekonomike të reja dhe largpamëse”.
“Por kërkon edhe vendosmëri për të kapërcyer kulturën ‘përdor e hidh’, kulturën e hedhurinave të krijuar nga konsumizmi dhe indiferenca e globalizuar, që frenon përpjekjet për t’i përballuar këto probleme njerëzore dhe shoqërore nga perspektiva e së mirës së përbashkët”.
Politika largpamëse
Papa shprehu mirënjohjen për dëshminë e veçantë të grupit ndërfetar, që “kontribuon në kthesën ekologjike tejet të nevojshme, e cila – sipas Atit të Shenjtë – duhet bazuar në vlerat e respektit për natyrën, në thjeshtësinë e në solidaritetin njerëzor, si edhe në shqetësimin për të ardhmen e shoqërisë”.
“Aspekt thelbësor i këtij kontributi është impenjimi juaj, si gra e burra të fesë, për të formuar mendjet dhe zemrat e të rinjve dhe për të plotësuar nevojën, që kanë ata, për ndryshimin e mendësisë e për politika largpamëse, të cilat kanë si objektiv zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjithanshëm njerëzor”.