Papa: thirrja, dhuratë e Zotit dhe impenjim misionar për të gjithë
R.SH. – Vatikan
Vokacioni, thirrja e Zotit për "secilin prej nesh në botën e sotme", është hir, është "dhuratë falas" e njëkohësisht, "është impenjim për të shkuar, për të dalë e për të çuar kudo Ungjillin", një detyrë, që kthehet “në gurrë jete të re e në gëzim të vërtetë”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Lutjes për thirrjet në meshtari e në jetën rregulltare, e cila do të kremtohet për të gjashtëdhjetën herë të dielën e 30 prillit. Nismë "providenciale", kujton ai, themeluar nga Shën Pali VI në vitin 1964, gjatë Koncilit II të Vatikanit. Këtë vit, Papa Françesku propozon temën "Thirrja: hir dhe mision".
Ndjeshmëria e familjeve për thirrjet meshtarake e rregulltare
Duke uruar që të gjitha nismat e planifikuara “të forcojnë ndjeshmërinë e familjeve e të bashkësive për thirrjet meshtarake e rregulltare”, Françesku shpreson që “Shpirti i Zotit të ringjallur të na shkundë nga apatia, të na dhurojë simpati dhe empati, për të jetuar çdo ditë të përtërirë si bij të Dashurisë së Zotit”, në gjendje ta dhurojmë këtë dashuri, sidomos “aty ku ka përjashtim dhe shfrytëzim, varfëri dhe vdekje”.
Jemi të thirrur, sqaron Papa, duke hyrë në temën e Ditës, "të dëshmojmë fenë", që bashkon "jetën e hirit të Tënzot me apostullimin në botë, përmes Sakramenteve dhe bashkimit kishtar”. I krishteri e pranon sfidën e “periferive ekzistenciale dhe është i ndjeshëm ndaj dramave njerëzore”, për një mision, që është gjithmonë "vepër e Zotit" dhe "nuk kryhet vetëm, por në bashkim kishtar".
Zoti na zgjodhi që përpara krijimit të botës
Siç shkruan Shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Efesianëve, vijon mesazhi i Atit të Shenjtë, Zoti "na zgjodhi që përpara krijimit të botës për të qenë të shenjtë dhe të papërlyer", pastaj na krijoi në shëmbëlltyrë e në ngjashmëri me të, prandaj na do si bij të tij. Papa Françesku kujton mënyrën si e thirri Hyji, kur më 21 shtator 1953, - tregon - “ndërsa po shkoja në festën vjetore studentore, ndjeva dëshirën për të hyrë në kishë dhe për t’u rrëfyer. Ajo ditë ma ndryshoi jetën dhe la një gjurmë, që ekziston ende sot”. Por “fantazia e Zotit, që na thërret, është pa fund”, nënvizon Ati i Shenjtë. Thirrjen mund ta ndiejmë “në kontakt me ndonjë gjendje varfërie, në një çast lutjeje, falë një dëshmie të qartë ungjillore, gjatë një leximi që na e hap mendjen, kur dëgjojmë një Fjalë të Zotit dhe e ndjejmë se na drejtohet neve, në këshillën e një vëllai ose të një motre që na shoqëron, në kohë sëmundjeje, ose zie…”.
Hyji pret përgjigjen tonë
E nisma e Zotit pret përgjigjen tonë, sepse thirrja është "gërshetim i përzgjedhjes hyjnore dhe i lirisë njerëzore". Thirrje, që na e hap zemrën për Zotin dhe për të tjerët: "Zoti na thërret, sepse na do e ne, mirënjohës, përgjigjemi duke e dashur". Por thirrja, sqaron Papa, “përfshin dërgimin”, sepse “nuk ka thirrje pa mision. Nuk ka lumturi dhe realizim të plotë të vetvetes, pa ua ofruar të tjerëve jetën e re, që kemi gjetur”. Më pas, Papa përmend Nxitjen Apostolike “Evangelii gaudium”, në të cilën shpjegon se të gjithë të pagëzuarit mund të thonë: "Unë jam mision në këtë tokë dhe për këtë arsye jam në botë".
Misioni i përbashkët për ne të krishterët, vazhdon Françesku, "është të dëshmojmë me gëzim, në çdo situatë, me qëndrime dhe fjalë, gjithçka përjetojmë duke ndenjur me Jezu Krishtin, në bashkësinë e tij, që është Kisha”. Konkretisht, kjo dëshmi shndërrohet "në vepra materiale dhe shpirtërore të mëshirës, në një stil mikpritës dhe të thjeshtë jetese, të aftë për afërsi, dhembshuri dhe butësi, stil kundër rrymës në krahasim me kulturën e shpërdorimit dhe të indiferencës". Sepse thelbi i thirrjes së krishterë është "imitimi i Jezu Krishtit, që erdhi për të shërbyer dhe jo për t'u shërbyer".
Si dishepujt e Emausit
Veprimtaria misionare, vijon Françesku, nuk lind vetëm “nga aftësitë” apo nga vullneti ynë, por “nga përvoja e thellë me Jezusin”. Vetëm atëherë mund të bëhemi dëshmitarë, si dy dishepujt e Emausit, të cilët me zemrën, që u hovte në kraharor, dëgjonin Jezusin, ndërsa u shpjegonte Shkrimet e Shenjta gjatë rrugës. Papa shpreson që kjo të ndodhë edhe gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë, të cilën e pret me gëzim: duke ndjekur temën "Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim" çdo i ri dhe e re "të ndihet i thirrur të ngrihet dhe të shkojë me nxitim, me zemrën e përflakur!"
Së fundi, Papa Françesku shkruan se Kisha është "Ekklesía", term grek që do të thotë "asemble njerëzish të thirrur, të ftuar" për të formuar bashkësinë e dishepujve misionarë të Jezu Krishtit. Në Kishë, kujton ai, "të gjithë jemi shërbëtorë, burra dhe gra, sipas thirrjeve, karizmave dhe shërbesave të ndryshme". Vërtet, thirrja për ta dhuruar vetveten me dashuri, e përbashkët për të gjithë, konkretizohet "në jetën e të krishterëve laikë, burra dhe gra, që impenjohen ta kthejnë familjen në një kishë të vogël shtëpiake dhe t’i përtërijnë ambientet e ndryshme të shoqërisë me tharmin e Ungjillit”.
Kisha është simfoni vokacionesh
Por thirrja shihet edhe "në dëshminë e burrave dhe të grave të shuguruara, që ia kanë dhuruar jetën Zotit për vëllezërit dhe motrat, si profeci e Mbretërisë së Hyjit"; në meshtarët, diakonët e ipeshkvijtë, “në shërbim të Fjalës, të lutjes dhe të bashkimit të popullit shenjt të Zotit". Vetëm në marrëdhënie me të tjerat, përfundon Papa Françesku mesazhin e tij për Ditën e Lutjes kushtuar Thirrjeve, "çdo thirrje e veçantë në Kishë” del në pah "me gjithë të vërtetën dhe pasurinë e vet", sepse Kisha "është simfoni vokacionesh, me të gjitha thirrjet bashkë e të dallueshme, në harmoni". Të gjitha në dalje, "për të rrezatuar në botë jetën e re të Mbretërisë së Hyjit”.