Kërko

Papa priti në audiencë anëtarët e Shoqatës Fetare të Instituteve Shoqëroro-Shëndetësore (ARIS) Papa priti në audiencë anëtarët e Shoqatës Fetare të Instituteve Shoqëroro-Shëndetësore (ARIS)

Papa: të respektohet dinjiteti i të moshuarve, t’i privosh nga ilaçet është eutanazi e fshehur

Duke pritur në audiencë anëtarët e Shoqatës Fetare të Instituteve Shoqëroro-Shëndetësore (ARIS), Françesku foli për kulturën e hedhurinave, e cila në sektorin e shëndetësisë mund të ketë pasoja tejet të dhimbshme. I ftoi të vigjëlojnë mbi rrezikun e “spekulimeve me fatkeqësitë e të tjerëve”. “Kisha është e thirrur t'u përgjigjet nevojave të të braktisurve, duke bashkuar aftësi e burime dhe duke shmangur çdo frymë konkurrence”

R.SH. – Vatikan

         Ashtu si bujtina e Samaritanit të Mirë, siç e quajti Papa, Shoqata Fetare e Instituteve Shoqëroro-Shëndetësore (ARIS) administron strukturat shëndetësore me frymëzim të krishterë. Ati i Shenjtë i pret sot anëtarët e saj në Vatikan, së bashku me kryetarin, Át Virginio Bebber dhe me drejtorin e Zyrës për Baritorinë e Shëndetit në Konferencën Ipeshkvnore Italiane.

Pacienti të trajtohet me dinjitet

Në fjalën e tij, Papa kujton se kujdesi shëndetësor i Kishës Katolike ka një histori të bukur dhe shekullore në shërbim të më të varfërve. Por, jo pa rreziqe:

“Në sektorin e shëndetësisë, kultura e hedhurinave mund të ketë pasoja të dhimbshme më shumë se kudo tjetër, nganjëherë, tejet të qarta. Në fakt, kur i sëmuri nuk vendoset në qendër dhe dinjiteti i tij nuk merret parasysh, krijohen situata, që mund të çojnë edhe në spekulime me fatkeqësitë e të tjerëve e kjo duhet të na bëjë të jemi vigjilentë”.

Audienca e Papës me Shoqatën Fetare të Instituteve Shoqëroro-Shëndetësore (ARIS)
Audienca e Papës me Shoqatën Fetare të Instituteve Shoqëroro-Shëndetësore (ARIS)

Kisha duhet t'u përgjigjet nevojave të të varfërve

Françesku nënvizon karizmën themeluese të shëndetësisë katolike, në vetëdijen se sot, për arsye të ndryshme, "është gjithnjë e më e vështirë të mirëmbahen strukturat ekzistuese".

“Duhet të ndërmarrim udhë shqyrtimi e vendime të guximshme, duke kujtuar se thirrja jonë është të qëndrojmë në kufijtë e nevojave të të tjerëve: thirrja jonë është ajo, në kufijtë e nevojave të njerëzve. Si Kishë, jemi të thirrur t'i përgjigjemi sidomos kërkesës së më të varfërve për kujdes shëndetësor, kërkesës së të përjashtuarve dhe të atyre që, për arsye ekonomike apo kulturore, nuk u plotësohen nevojat. Këta janë më të rëndësishmit për ne, ata janë në krye të radhës: këta”.

Të moshuarit e privuar nga barnat e nevojshme: është eutanazi

Papa flet për të ashtuquajturin “kthim të 'varfërisë shëndetësore'”, i cili, sipas tij, po merr përmasa të rëndësishme, sidomos në rajonet me gjendje më të vështirë shoqëroro-ekonomike. “Ka njerëz, që nuk mund të mjekohen për mungesë mjetesh, për të cilët edhe një pagesë e vogël është problem”, nënvizon ai. Më pas, Françesku kujton “listat shumë të gjata të pritjes, edhe për vizitat urgjente e të nevojshme” dhe këmbëngul në nevojën gjithnjë e më të madhe për kujdesin shëndetësor të ndërmjetëm. E pastaj, flet edhe një herë për të moshuarit, duke e lënë mënjanë fjalimin e përgatitur:

“Një i moshuar, që duhet të marrë ilaçe, nëse nuk ia japin për të kursyer paratë, ose për çfarëdo arsye tjetër, kjo quhet eutanazi e fshehur dhe progresive. E duhet ta themi haptazi. Çdo njeri ka të drejtë për ilaçe. E sa herë… të moshuarit, që duhet të marrin katër-pesë ilaçe, arrijnë të kenë vetëm dy: kjo është eutanazi progresive, sepse nuk u jepet atyre çfarë mund t’i shërojë”.

Audienca e Papës me Shoqatën Fetare të Instituteve Shoqëroro-Shëndetësore (ARIS)
Audienca e Papës me Shoqatën Fetare të Instituteve Shoqëroro-Shëndetësore (ARIS)

Kujdesi për të përjashtuarit nga ekonomia shëndetësore

Për Atin e Shenjtë është e qartë se sot ka mundësi të ndryshme trajtimi mjekësor për ata që kanë burime financiare, por jo për njerëzit pa mjete të tilla. “Misioni i spitaleve fetare – saktëson ai –është kujdesi për të përjashtuarit nga ekonomia shëndetësore dhe nga një kulturë e caktuar bashkëkohore”.

“Shëndetësia me frymëzim të krishterë ka për detyrë të mbrojë të drejtën për trajtim mjekësor sidomos për shtresat më të ligështa të shoqërisë, duke privilegjuar vendet ku njerëzit vuajnë më shumë dhe ku kanë më pak kujdes shëndetësor, pavarësisht se kjo mund të kërkojë shndërrimin e shërbimeve ekzistuese në realitete të reja”.

Rrezikoni

Françesku i inkurajon institutet shëndetësore katolike të japin dëshminë e një “administrimi të aftë e të qartë”, duke bashkuar punën kërkimore, inovacionin dhe përkushtimin për më të fundmit e shoqërisë.

“Realiteti është i ndërlikuar e mund ta përballoni si duhet vetëm nëse institucionet shëndetësore të frymëzuara nga feja kanë guximin të bashkohen në rrjet, duke shmangur çdo frymë konkurrence, duke kombinuar aftësitë dhe burimet dhe ndoshta, duke krijuar subjekte të reja juridike, përmes të cilave mund të ndihmojnë sidomos realitetet më të vogla. Mos kini frikë të ndërmerrni rrugë të reja, rrezikoni: rrezikoni”.

Audienca e Papës me Shoqatën Fetare të Instituteve Shoqëroro-Shëndetësore (ARIS)
Audienca e Papës me Shoqatën Fetare të Instituteve Shoqëroro-Shëndetësore (ARIS)

Kujdes i plotë për njeriun

Këshilla e fundit e Papës për Shoqatën është t’i shoqërojë njerëzit e shtruar në institucionet e saj "me kujdes të gjithanshëm, pa neglizhuar asistencën shpirtërore dhe fetare të të sëmurëve, të familjeve të tyre dhe të punonjësve shëndetësorë".

“Nuk është fjala vetëm për të ofruar sakramentet, por për t'i kushtuar vëmendje të plotë personit. Askush, askush nuk duhet të ndihet vetëm në sëmundje! Përkundrazi, secili duhet përkrahur në gjetjen e përgjigjeve për pyetjet e tij ekzistenciale duhet ndihmuar të ecë me shpresën e krishterë në rrugën, nganjëherë të gjatë e të lodhshme, të sëmundjes”.

13 prill 2023, 11:16