Papa, të burgosurve: “gjithkush mund të rrëshqasë, Jezusi na do siç jemi”
R.SH. - Vatikan
“Gjithkush mund të rrëshqasë, Jezusi na do kështu siç jemi”. Ky është mesazhi, që Papa u la të burgosurve të Casal del Marmo, në Romë, ku kremtoi meshën e Darkës së Mbrame, bashkë me ritin e larjes së këmbëve për 12 të rinj. Në homelinë e shkurtër, Ati i Shenjtë kujtoi Jezu Krishtin, që u lau këmbët apostujve:
“Mbetën të habitur dishepujt – vuri në dukje Papa – kur panë se Jezusi po bënte një punë prej skllavi. Nëse do ta pranonim këtë gjë të Krishtit, do të nxitonim për ta ndihmuar njëri-tjetrin, por sillemi si dinakë të zgjuar, që përfitojnë nga njëri-tjetri. Është bukur kur ndihmojmë të tjerët, kjo lind nga një zemër fisnike”.
“Secili prej jush – iu drejtua ai të pranishmëve – mund të thotë: ‘Sikur ta dinte Papa se ç’kam në shpirt. Por Jezu Krishti na do ashtu siç jemi, nuk ka frikë nga dobësitë tona. Dëshiron të na shoqërojë, të na marrë për dore. Unë do të bëj të njëjtin gjest të larjes së këmbëve, por kjo nuk është folklor, është gjest, që na thotë si duhet të jemi”.
“Në shoqëri – vijoi Papa reflektimin – ka shumë padrejtësi: njerëz pa punë, njerëz, që punojnë dhe i paguajnë përgjysmë, familje të shkatërruara. Secili prej nesh mund të rrëshqasë e kjo na jep dinjitetin për të qenë mëkatarë. Për këtë arsye, Jezusi deshi t’u lajë këmbët [apostujve], për të na thënë se duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Kështu, jeta bëhet më e bukur. Shpresoj t’ia arrij, sepse nuk mund të eci mirë, por ju duhettë mendoni: ‘Jezusi më lau këmbët’”.
Papa shkoi drejt pedanës ku ishin vendosur të rinjtë për ritin e së Enjtes së Madhe, duke u mbështetur në shkopin, me të cilin e kemi parë shpesh kohët e fundit. U lau këmbët 10 djemve e 2 vajzave. Ndër ta, dy të rinj me origjinë sinte, një kroat, një mysliman nga Senegali, një rumun dhe një rus.