Papa takoi në Budapest mitropolitin Hilarion
R.SH. – Vatikan
Sot paradite, në ditën e dytë të udhëtimit të tij në Hungari, Papa Françesku priti privatisht Hilarion, Mitropolitin e Budapestit dhe të Hungarisë. Ai e mori këtë detyrë në qershor 2022, pas 13 vjetësh si kryetar i Departamentit të Punëve Kishtare të Jashtme në Patrikanën e Moskës, praktikisht, si "ministri i jashtëm" i Patrikut rus Kirill. Ndryshim i papritur ky, rezultat i një sërë vendimesh të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Ruse, që ndryshuan strukturat e disa administratave territoriale.
Takim i përzemërt
Mundësia për këtë audiencë u njoftua nga zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, gjatë konferencës për paraqitjen e udhëtimit të 41-të apostolik të Papës. Takimi i sotëm “me ton të përzemërt”, njofton Selia e Shenjtë, zgjati rreth 20 minuta, në prani të nuncit Michael Wallace Banach, pikërisht në nunciaturën e Budapestit, rezidencë e Françeskut këto ditë. Papa e përqafoi mitropolitin dhe i puthi Panaginë e mitropolitit apo Ekolpion, në kraharor. Sipas faqes së internetit të Mitropolitit të Budapestit, Hilarion i tregoi Papës për jetën në kryepeshkopatën hungareze të Patrikanës së Moskës, për veprimtaritë e saj shoqërore dhe edukative, për marrëdhëniet me Kishën Katolike dhe me besimet e tjera të krishtera. Ai i dhuroi Françeskut katër vëllime të monografisë “Jezu Krishti. Jeta dhe Mësimet”, përkthyer në italisht.
Takimet e mëparshme
Papa Françesku e pati takuar Hilarion herën e fundit në Pallatin Apostolik të Vatikanit, më 22 dhjetor 2021. Me atë rast - thuhet në një deklaratë të Sallës së Shtypit të Vatikanit - "u diskutuan disa tema, shkak për shqetësimin dhe për impenjimin e përbashkët në kërkimin e përgjigjeve konkrete njerëzore dhe shpirtërore". Takimi i parë ndërmjet Atit të Shenjtë dhe Mitropolitit Ortodoks u mbajt më 20 mars 2013, një ditë pas fillimit të shërbesës pjetrine të Papës. Por gjatë viteve, ka pasur edhe raste të tjera audience, si për shembull, takimi i shkurtit 2020 dhe ai i Romës me temë "Popuj vëllezër, toka e së ardhmes", organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit.