Kërko

Udienza ai membri della Pontificia Commissione Biblica  (VATICAN MEDIA Divisione Foto) Udienza ai membri della Pontificia Commissione Biblica (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: sëmundja na mëson të jetojmë sipas stilit të Zotit

Papa priti sot paradite në audiencë anëtarët e Komisionit Papnor Biblik në fund të asamblesë plenare vjetore: përvoja e sëmundjes na mëson të jetojmë solidaritetin njerëzor dhe të krishterë, sipas stilit të Zotit

R.SH. – Vatikan

"Natyra njerëzore, e plagosur nga mëkati, mbart në vetvete realitetin e kufizimeve, brishtësisë dhe vdekjes" këto janë fjalët e Papës në fjalimin - e dorëzuar dhe jo të shqiptuar - në audiencë me anëtarët e Komisionit Papnor Biblik, në fund të asamblesë vjetore plenare, sivjet kushtuar sëmundjeve dhe vuajtjeve në Bibël. Një temë, sipas Françeskut, që ka të bëjë me të gjithë, besimtarë dhe jobesimtarë, të cilën Papa e ka veçanërisht përzemër sepse është zhvlerësuar në epokën moderne: sëmundja dhe fundi-jetës konsiderohen si një humbje, si diçka që nuk ka vlerë dhe që duhet ta minimizojmë e ta kundërshtojmë, madje ta anulojmë me çdo kusht.

Papa Françesku pyet veten nëse ky refuzim është për shkak të dëshirës për t’iu shmangur pyetjeve e çështjeve që përfshijnë pyetje morale dhe ekzistenciale. Megjithatë këto janë pyetje që nuk mund të shmangen dhe që të gjithë ne, herët a vonë, duhet t'u përgjigjemi.

Dhimbja është një përvojë e frikshme që mund të shqetësojë këdo, madje edhe besimtarin, deri në atë pikë sa të rrezikojë ta humbasë fenë.

Reflektimi i Papës vazhdon dhe vihen përpara një udhëkryqi ideal. Në thelb ekzistojnë dy mënyra për të reaguar përballë vuajtjes: ta lëmë veten të pushtohemi prej saj, t'i nënshtroheni ose ta presim atë si një mundësi për një rritje, ta shndërrojmë atë në një rast për të nisur udhën që synon takimin tonë me Zotin. Ky është vizioni i fesë që na ofrojnë Shkrimet e Shenjta.

Midis Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re

Papa tregon dallimet ndërmjet njeriut të Besëlidhjes së Vjetër dhe atij të Besëlidhjes së Re.

Në të parin, vlen besimi i plotë dhe i besueshëm ndaj Hyjit. Në Besëlidhjen e Re ndërhyn figura e Jezusit: Biri na zbulon dashurinë e Atit, mëshirën e tij, faljen e tij dhe kërkimin e tij të vazhdueshëm ndaj njeriut mëkatar, të humbur dhe të lënduar".

“Nuk është rastësi që veprimtaria publike e Krishtit karakterizohet kryesisht nga kontakti i tij me të sëmurët. Shërimet e mrekullueshme të Jezusit janë një nga karakteristikat kryesore të shërbesës së tij”. Dhe pasi numëroi episodet ungjillore që flasin për shërimet, Papa Françesku shpjegoi se

“është pikërisht dhembshuria e tij për të sëmurët dhe shërimet e shumta që Jezusi kryen që na paraqiten si shenjë konkrete se “Hyji e ka vizituar popullin e tij” (Lk 7,16) dhe se Mbretëria e Qiellit është afër (shih Lk 10,9): ato na zbulojnë identitetin hyjnor të Jezusit, misionin e tij mesianik (krh. Lk 7, 20-23) dhe dashurinë e tij për më të dobëtit deri në atë pikë sa të identifikohet me ta, kur thotë: "Isha i sëmurë dhe ju më vizituat" (Mt. 25,36)".

Është me të vërtetë një çështje, siç e përkufizoi Papa Françesku në audiencë me anëtarët e Komisionit Papnor Biblik, që e identifikon Jezusin me ata persona që vuajnë. Kujdesi i Jezusit ndaj të sëmurëve kurorëzohet në shenjën e Kryqit, shenjë e prekshme e "solidaritetit të Zotit me ne njerëzit dhe, në të njëjtën kohë, një mundësi që ne që të bashkohemi me Të në veprën e shëlbimit”.

20 prill 2023, 11:15