Papa përqafon fëmijët e sëmurë të Budapestit: "Faleminderit për butësinë tuaj"
R.SH. – Vatikan
Dita e dytë e shtegtimit apostolike të Papës në Hungari filloi me vizitën në Institutin Katolik për të Verbërit dhe shtëpinë e veçantë për fëmijët e të Lumit László Batthyány-Strattmann. Papa mbërrini në institut rreth orës 8.45, ku u prit nga shumë fëmijë, me shikim të dëmtuar ose me nevoja të veçanta arsimore, të cilët jetojnë në një shtëpi të vërtetë, dhe nga drejtori i qendrës, György Inotay, i cili i tregoi Atit të Shenjtë disa klasa e ambiente tjera të objektit.
Më pas Françesku u shoqërua në një sallë në karrige me rrota, e cila nuk ngjalli kuriozitet apo habi mes shumë fëmijëve të tjerë me aftësi të kufizuara të rënda, të cilët jo vetëm kurohen dhe asistohen në këtë institucion, por edhe arsimohen dhe përgatiten në një profesion. Të pranishëm edhe të rinj, që kanë kaluar në Shtëpinë e të Lumit László Batthyány-Strattmann, ku kanë mësuar një profesion, për shembull si infermierë. Drejtori i qendrës György Inotay e përshëndeti Papën me lutjen françeskane të paqes, më pas të rinjtë kënduan disa këngë. Ati i Shenjtë Françesku i dëgjoi fëmijët e të rinjtë, duke përqafuar të vegjlit me vështrimin e tij, më pas i falënderoi të gjithë "për mirëpritjen dhe butësinë".
Faleminderit për këngët tuaja, për gjestet tuaja, për sytë tuaj. Faleminderit zoti Drejtor sepse e filluat këtë akt me lutjen e Shën Françeskut të Asizit që është një program jete. Sepse Shenjti kërkon gjithmonë hirin e Zotit aty ku mungon diçka që unë mund të bëj, aty ku mungon diçka që unë mund të bëj për të tjerët. Në një rrugëtim të realitetit siç është ky, duhet të shkojmë përpara, të bëjmë që realiteti të ecën.
Papa Françesku shtoi se ky është ungjilli i pastër, se "Jezusi erdhi për ta marrë realitetin mbi vete ashtu siç ishte dhe për ta çuar përpara", se "do të kishte qenë më e lehtë të merrje ide, ideologji dhe t'i çonte përpara pa marrë parasysh realitetin", por rruga ungjillore, ajo e Jezusit, është kjo: të çosh përpara realitetin ashtu siç është.