Kërko

Papa Françesku për vizitë në Hungari

Papa Françesku filloi sot shtegtim e tij apostolik ndërkombëtar të 41-ti në Hungari, - një shtegtim, në zemër të Evropës. Nëpërmjet hungarezëve, Bergoglio kujton Evropën, lindur nga ndërtimi pasionant i një bashkësie kombesh e vlerash, që duhen kultivuar e mbrojtur.

R. SH. – Vatikan

Papa Françesku filloi sot shtegtim e tij apostolik ndërkombëtar të 41-ti në Hungari, - një shtegtim, në zemër të Evropës, që "nisi si premtim" i bërë popullit dhe Kishës hungareze për t'i vizituar përsëri, pas ndalesës së shkurtër në shtator të vitit 2021, në Meshën përmbyllëse të Kongresit të Eukaristik në Budapest. Françesku mbërrini sot në 9.52 në aeroportin Ferenc Liszt të kryeqytetit të Hungarisë, "tokë plot histori".

Budapesti, “perla e Danubit” e priti sot paradite me përzemërsi dhe entuziazëm Papën Françesku, pas dy muajsh përgatitjesh të pandërprera, një qytet që me vizitën e Atit të Shenjtë shkruan një faqe të re në historinë e tij 2000-vjeçare. Para se të nisej nga Vatikani drejt Budapestit, Papa takoi, në shtëpinë e Shën Martës, pesëmbëdhjetë të pastrehë që jetojnë pranë Sheshit të Shën Pjetrit, të shoqëruar nga kardinali Krajewski

Papa mbërrini sot paradite në orën 09:53 në aeroportin Ferenc Liszt të Budapestit, ku u prit nga zëvendëskryeministri dhe nga një djalë e një vajzë me veshje tradicionale hungareze, të cilët i ofruan Atit Shenjtë, në shenjë të mirëseardhjes, bukë dhe kripë, simbol jete, bekimi dhe urimi. Papa Françesku e theu një pjesë të vogël të bukës me dorën e djathtë dhe e kërkoi, nën duartrokitjet e të pranishmëve. Me dhjetëra fëmijë mbanin në duar flamujt e Vatikanit dhe të Hungarisë, e me valëvitjen e tyre shprehnin gëzimin për vizitën e Papës. Pas prezantimit të delegacioneve, Ati i Shenjtë Françesku e filloi ditën e parë të shtegtimit treditor apostolik në Budapest me një takim të shkurtër me Presidenten e Hungarisë, Zonjën Katalin Novák, në Pallatin Sàndor, rezidencën e Presidentit të Republikës Hungareze.

Këtu në Pallatin Sandor, pas takimit privat me Presidenten, Papa ka shkruar në librin e nderit: "Kam ardhur si shtegtar dhe mik në Hungari, një vend i pasur me histori dhe kulturë; nga Budapesti, qyteti i urave dhe shenjtorëve, kujtoj të gjithë Evropën dhe lutem që", e bashkuar dhe solidare, Evropa të jetë në ditët tona shtëpi paqeje dhe profeci e mirëpritjes".

Sot Dita e parë e vizitës së Papës ka në program dy takime, në ora 12.20, pranë ish manastirit a kuvendit të Etërve Karmelitanë, Ati i Shenjtë u takua me autoritetet e vendit, shoqërinë civil dhe trupin diplomatik dhe pasdite, në ora 17.00, në Konkatedralen e Shën Shtjefnit, në Bidapest, Papa takon ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, seminaristët e operatorët baritorë të famullive kishtare.

Hera e dytë e Françeskut në Budapest

Vizita e Papës zhvillohet tërësisht në Budapest. Në kryeqytetin hungarez është në festë, kudo ndjehet entuziazmi i një komuniteti të etur për të mirëpritur sërish Papën, pas herës së parë, dy vjet më parë. Në fakt, në vitin 2021 pati vizituar kryeqytetin hungarez me rastin e Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik. Po kujtojmë edhe një herë se Ati i Shenjtë Françesku është Papa i dytë që bën një udhëtim apostolik në Hungari, pas atyre të Gjon Palit II më 1991 dhe më 1996. Shumëçka ka ndryshuar që atëherë, kur Hungaria qe çliruar përfundimisht nga regjimi komunist. Në fakt, që nga viti 2004, Hungaria, si pjesë e Bashkimit Evropian, ka shënuar një zhvillim të rëndësishëm ekonomik dhe qyteti i Budapestit është bërë, me kalimin e viteve, një destinacion i rëndësishëm edhe turistik ndërkombëtar. Por sot vështrimi është kthyer edhe nga kufiri verilindor, ai me Ukrainën. Në fakt, mbi një milion ukrainas kanë kaluar Hungarinë pas fillimit të luftës, që nga fundi i shkurtit 2022. Papa do të qëndrojë në kryeqytetin hungarez deri më 30 prill.

Gëzim dhe mirënjohje

Në Budapest ndjehet një gëzim i madh për ardhjen e Françeskut. Në gazetat hungareze, lajmi për vizitën e Papës është në faqet e para, me tituj si "Ku është Pjetri, atje është Kisha". Lajmet e radios dhe televizionit i kushtojnë një vëmendje e hapësirë të madhe kësaj vizite historike. Në Budapest ndjehet fortë edhe mirënjohja ndaj Papës si një shtegtar i paqes, bartës i shpresës, i cili deshi të vizitonte vendin, pavarësisht nga problemet e tij shëndetësore të kohëve të fundit. Budapesti e pret pasardhësin e Pjetrit në një vit veçanërisht domethënës: kufijtë modernë të Budapestit në fakt u përcaktuan në 1873, saktësisht 150 vjet më parë, kur u bashkuan qytetet kodrinore të Budës dhe Obudës, në perëndim, dhe Pestit, në fushën e bregut lindor të Danubit.

 

28 prill 2023, 13:36