Kërko

Larja e këmbëve po në burgun Casal del Marmo, 28 mars 2013 Larja e këmbëve po në burgun Casal del Marmo, 28 mars 2013

Papa në Casal del Marmo, kapelani: shenjë shprese për jetë të re

Don Nicolò Ceccolini rrëfen për burgun e të miturve, ku, sot pasdite, Françesku do të kremtojë meshën in Coena Domini: “Vizitë e shumëpritur, edhe nga myslimanët që kanë Ramazanin këto ditë”. Papën e pret një “bashkësi shumëngjyrëshe” djemsh e vajzash të moshave dhe etnive të ndryshme, në burg për lloj-lloj krimesh: “Për ne janë të gjithë njësoj, duhen parë jo vetëm për atë që kanë bërë, por më thellë”

R.SH. – Vatikan

         Natyrisht, nuk janë po ata të rinj, që e pritën Papën Françesku para 10 vitesh, kur po të Enjten e Madhe, në vitin 2013, kremtoi në burgun Casal del Marmo, meshën e Darkës së Mbrame të Krishtit. Ati i Shenjtë shkon sot po në atë burg për të mitur, për t’u larë këmbët të burgosurve të tjerë, në një meshë, që mund të ndiqet në faqen tonë të internetit “vaticannews.va”. Fakti që të rinjtë e dikurshëm kanë dalë tashmë nga burgu është shenjë se programet edukative e integruese funksionojnë, shpjegon në mikrofonin e Radio Vatikanit, kapelani, don Nicolò Ceccolini. Për të, të burgosurit janë “të rinjtë e tij”, djem e vajza nga 14 deri në 25 vjeç, italianë, arabë, afrikanë, rom, ateistë a katolikë, ortodoksë e rreth 50 myslimanë, që këtyre ditëve, jetojnë Ramazanin.

Bashkësi “shumëngjyrëshe”

         “Këtu në Casal del Marmo kemi një bashkësi shumëngjyrëshe”, tregon kapelani. Papa do t’u lajë këmbët 12 të rinjve, siç ka bërë gjatë 10 viteve të fundit, gjatë të cilave, për këtë rit të lashtë, ka zgjedhur gjithnjë vende vuajtjeje, jo vetëm burgje, por edhe qendra për refugjatë e për të sëmurë. Ardhja e Atit të Shenjtë “është për ne gëzim i madh – vëren don Nicolò – sepse është gjest, që tregon një preferencë nga ana e Papës, i cili vjen për herë të dytë në Casal del Marmo. Dëshmon edhe parapëlqimin e Papës për botën e burgut, sidomos për të rinjtë. Fatmirësisht, nuk kemi më asnjë nga të rinjtë, që ishin këtu 10 vite më parë. Është çast i rëndësishëm, shenjë shprese, shenjë mundësie për një jetë të re e të ndryshme për të gjithë”, jo vetëm për ata, që kanë kryer krime të vogla.

Dritëhije

         Natyrisht, në burg ndodhen të rinj, që kanë vjedhur, ose kanë shpërndarë drogë, por edhe ata, që kanë vrarë njerëz. “Nuk është e lehtë”, pranon don Nicolò, që shërben në këtë institucion që nga viti 2011. “Para 10 vitesh, kur erdhi Papa, isha diakon. Tani do ta takoj sërish”, buzëqesh. “Në burgun për të mitur kemi të njëjtin realitet me burgun për të rritur përsa i përket tipologjisë së krimeve. Burgu paraqet gjithnjë kufizime të mëdha për riedukimin e të rinjve, pasi në të errësira e drita bashkëjetojnë përherë. Nëse për disa të rinj mund të jetë i dobishëm e të shërbejë për reflektim, për të tjerë mund të bëhet ‘universitet i krimit’, sepse kush hyn për vjedhje mund të mësojë gjëra të tjera”, edhe më të këqija. Për këtë, brenda mureve të burgut ka projekte edukimi si shkolla e laboratorë për t’u mësuar të rinjve një zanat, nga ai i kopshtarit tek ai i parrukierit, ose i marangozit. Meshtarët janë më se të nevojshëm për t’i dëgjuar të rinjtë e për t’u kushtuar atyre kohë, duke i parë me një vështrim më të thellë, që shkon përtej fajit e krimit, që kanë kryer.

06 prill 2023, 14:24