Kërko

Papa në lutje në Bazilikën e Zojës së Madhe Papa në lutje në Bazilikën e Zojës së Madhe

Papa, në Shën Marinë e Madhe, ia beson Zojës udhëtimin në Hungari

Për të 105-tën herë, Papa shkoi sot në Bazilikën Zojës së Madhe në Romë, për t’u lutur përpara ikonës ‘Salus Populi Romani’, për t'ia besuar Zojës Bekuar shtegtimin apostolike të 28-30 prillit në Budapest, në zemër të një Evrope "në të cilën - siç u shpreh Ati i Shenjtë në lutjen e fundit të Mbretëreshës Qiellore - vazhdojnë të fryjnë erërat e akullta të luftës"

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku, si gjithmonë përpara një shtegtim të ri apostolik, shkoi sërish, pak ditë përpara nisjes për në Hungari, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, për t’ia besuar Zojës shtegtimin e tij në zemër të Evropës. Është shtegtimi i 41-të apostolik ndërkombëtar, hera e 105-të që Papa, duke vijuar traditën e pandërprerë që nga fillimi i papnisë së tij, shkon në Bazilikën Liberiane për të kërkuar mbrojtjen e Virgjërës Salus Populi Romani, figure e dashur për banorët e Romës, sipas traditës, pikturë e Shën Lukës. Françesku ndaloi për disa çaste i vetëm, në heshtje, i ulur në karrigën me rrota, përballë figures mariane. Më pas - njofton Salla e Shtypit e Vatikanit - u kthye në Vatikan.

Nunci në Hungari: Papën e pret një bashkësi në festë

Përveç mbrojtjes së Zojës, Papa u kërkoi besimtarëve ta shoqërojnë me lutje gjatë udhëtimit të afërt në Hungari, më 28-30 prill. Ftesën e bëri në përfundim të lutjes drejtuar Mretëreshës Qiellore, të dielën e kaluar, më 23 prill, duke i kujtuar botës se për tri ditë do të jetë në Budapest, kryeqytet i Hungarisë "për të përfunduar udhëtimin e vitit 2021 me rastin e Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik". Një udhëtim - shtoi - në një Evropë "në të cilën vazhdojnë të fryjnë erërat e akullta të luftës", ndërsa "lëvizja e shumë njerëzve është çështje urgjente humanitare, në rendin e ditës". Papa iu drejtua "me dashuri" edhe vëllezërve e motrave të tija hungareze, të zënë me përgatitjet për ardhjen e tij: "Ju falënderoj sinqerisht për këtë. Kërkoj nga të gjithë të më shoqërojnë me lutje”- kujtoi.

Programi i udhëtimit

Gjatë tri ditëve, në të cilat do të jetë në Budapest, "qytet urash" që provoi luftëra dhe pushtime, shkatërrime dhe rindërtime, ndarje dhe ribashkime, dhe që ka parë një fluks të pandërprerë refugjatësh nga Ukraina që nga 24 shkurti 2022, Papa Françesku do të takohet me autoritetet drejtuese civile dhe politike, duke përfshirë Presidenten Katalin Novak dhe Kryeministrin Viktor Orbán, ipeshkvij dhe kardinaj, refugjatë (edhe disa ukrainas), të rinj, fëmijë të sëmurë, përfaqësues të botës së shkencës dhe të kulturës. Programi përfshin edhe një takim me bashkësinë e madhe greko-katolike të vendit, disa përfaqësues të së cilës do të japin dëshmitë e tyre gjatë takimeve të ndryshme. Gjashtë - fjalimet e Papës, të gjitha në italisht, do të prekin temat e unitetit evropian, të ardhmen e të rinjve, dialogun ekumenik, inkurajimin për një kishë që ka përjetuar periudha persekutimi dhe, natyrisht, dramën e luftës dhe thirrjen për paqe, në një komb që ka 135 km kufi të përbashkët me Ukrainën në flakë. Një rrip i ngushtë toke, rrugë e arratisjes për shumë të shpërngulur, të cilët mbërrijnë në Hungari me autobus, tren ose me makinë pas rradhëve të gjata kilometrash, duke  kaluar nëpër këtë vend si pikë tranziti, për t’u zhvendosur, më pas, në Gjermani, Holandë, Itali e vende të tjera.

26 prill 2023, 14:10